Artikuj

38- “Morali bolshevik” dhe ndikimi i tij mbi popullin shqiptar. 15.01.2010

Posted by Genc Hoti

Loading

38-“Morali bolshevik”

 dhe ndikimi i tij mbi shqiptarët

Politika e drejton sot jetën shoqërore të shqiptarëve, por asnjë njeri nuk merr guximin të diferencojë instiktin  nga ligjet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, në funksion të politikës. Në qoftë se kjo për botën e zhvilluar nuk paraqet rëndësi, pasi është kaluar faza e adoleshencës së saj, për shqiptarët problemi nuk është ashtu dhe kjo për shumë e shumë arësye biologjike e shoqërore të pavarura nga bo shqiptare. Por shqiptarët kanë një mundësi për të ndrequr vetveten duke mësuar nga të tjerët pasi rendi shoqëror autokton i tyre është më mbrapa, bile shumë më mbrapa, se rendi i sotëm kapitalist në botën e zhvilluar. Dukuritë analitike që shpalosen sot ne mediat shqiptare janë më tepër propogandë se sa një realitet historik dhe e gjithë kjo për të fshehur një realitet të maskuar nga politika prej më shumë se gjysëm shekulli. Fjala është për moralin komunist, që në realitet është tipikisht moral bolshevik, dhe mënyrën se si ai ka ndikuar mbi popullin shqiptar në mënyrë që të mund të realizohet kundërveprimi, si mënyra e vetme për të shpëtuar shoqërinë tonë nga bataku ku idetë bolshevike e futën pas 1944-ës. Mjafton të shikojmë shtrirjen e infeksionit shoqëror dhe do ta kuptojmë mirëfilli se ku ka ndikuar morali bolshevik në shoqërinë shqiptare.

Sot, në mijëvjeçarin e tretë, shikojmë se dy elementët më kryesorë të shoqërisë shqiptare ku ajo rrotullohet rreth vetvetes prej 20 vjetësh pa e kuptuar thelbin e problemit, është prona dhe familja. Shqiptarët e sotëm nuk e dinë, ose e kanë harruar, se mbrojtësja shekullore e këtyre dy qelizave ka qënë Kanuni i shqiptarëve, pamvarësisht specifikave që ato kanë pasur. Nuk është e rastit që kanunet u muarën në mbrojtje nga Klerikët shqiptarë pikërisht kur shqiptarëve i imponuan mëvetësinë e tyre kombëtare. Institucionet fetare dhe kanunet shqiptare kanë përbërë rregullatorin shoqëror të shqiptarëve, të paktën në 500 vitet e fundit të jetës së sotme dhe ato përbënin një unitet që u siguroi shqiptarëve mbijetimin e tyre shekullor. Dhe pikërisht këto katër institucione goditi më ashpër morali bolshevik i komunizmit shqiptar përgjatë 45 vjetëve të diktaturës duke i shumëzuar me zero, dmth duke e zhveshur shoqërinë shqiptare nga morali njerëzor. Ja përse shoqëria shqiptare, pas 1990, ndodhet në një udhëkryq pa dalje dhe e groposur nga vetvetja.

Analiza historike e këtyre katër institucioneve, para dhe pas 1945, është e aftë të na tregojë rrugën nëpër të cilën duhet të kalojë shoqëria jonë përpara se të zhduket nga historia në mënyrë të turpshme. Me fjalë të tjera, politika e sotme nuk është e aftë ta shpëtojë popullin shqiptar nga bataku ku e ka futur epoka bolshevike e Enver Hoxhës jo vetëm pse është produkt i saj, por, kryesisht, sepse është e paditur në thelbin e saj intelektual.

Këto katër qeliza shoqërore tek shqiptarët nuk kanë bashkëjetuar kurrë me politikën dhe vetëm në sajë të Klerit Katolik Shqiptar mundën të përbashkohen duke realizuar mbijetimin shekullor në mënyrë autoktone dhe të jashtëzakonshme me përmasa realisht paradoksale. Për këtë arësye lind nevoja e analizës së tyre dhe kërkesa metodike për të realizuar këtë analizë. Konkretisht këto katër qeliza tek shqiptarët nuk kanë lidhje varësore si tek popujt e tjerë europianë dhe zhvillimi specifik i gjithëseicilës është realizuar në funksion te relacioneve universale që kanë realizuar bartësit e tyre duke krijuar diferencimet në zhvillimin e gjithseicilit, por krejt të përkohëshëm dhe pa ndikim të domosdoshëm. Kjo gjë ka çuar në lindjen e qelizave dhe veprimtarive të tjera shoqërore që gjithsesi nuk kanë qënë determinuese dhe gjurmëlënëse në zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Kjo ka rëndësi të vihet të dukje pasi do të dalë dhe gjurma goditëse që rendi antishqiptar i komunizmit realizoi mbi popullin shqiptar përgjatë 45 viteve të sundimit të tij. Pra:

                      1- Prona; 2- Familja; 3- Kanuni; 4- Feja

përbëjnë kuartetin shoqëror autokton të shqiptarëve dhe elementët e vetëm që e përbashkojnë me popujt e tjerë europianë vetëm se e gjitha kjo e sfazuar në kohë dhe e harruar nga Europa për efekt të mos dijes. Në qoftë se europianët e mesjetës nuk e dinin prejardhjen e tyre të lavdishme nga helenët dhe romakët, duke e mësuar këtë nga arabët, europianët e kohërave moderne nuk i dinë qelizat paraardhëse shoqërore të tyre, të themi para 5000 vjetëve, rezultat i shpejtësisë së madhe të zhvillimit që disponojnë dhe këtë, në qoftë se duan ta mësojnë, janë të detyruar të kthejnë sytë nga shqiptarët e sotëm.

Fillojmë pikërisht me atë që është strumbullari i politikës botërore, por që tek shqiptarët ka pasur tjetër suport, tjetër qëllim dhe tjetër bartës, të lidhura të gjitha këto me botën e madhe të relacioneve universale krejt të rastësishme për popullin shqiptar, por që në shekullin e XX-të u paraqitën si të domosdoshme për shkak të pjekurisë së tyre të parakohëshme.

1 – Prona

Problemi i pronës në brëndësi të popullatës shqiptare nuk është e të njëjtës hapësirë strukturore si ndër popujt e tjerë europianë edhe vetëm prej faktit të mbrojtjes së pronës së grupit dhe jo të individit. Dmth shqiptarët nuk e kanë njohur përgjithësisht pronën private jo vetëm si tërësi territoriale, por as pronë individuale. Shqiptarët në thelbin e tyre  kanë njohur vetëm pronën fisnore si paraqitje të grupit shoqëror dhe e gjitha kjo deri në mesin e shekullit të XX-të. Marrëdhëniet e grupeve të ndryshme parashqiptare dhe shqiptare me botën jashtë tyre ka çuar në lindjen e nënqelizave të pronës çka krijon imazhin e rreme të ekzistencës së pronës private në brëndësi të popullit shiptar. Ky proçes, nga ana kohore, është tepër-tepër i gjatë dhe veçohet në katër pika të botës shqiptare: Kosovë, Shkodër, Voskopojë-Korçë dhe Gjirokastër. Prania e pronës private në pika të tjera të territorit të banuar nga shqiptarët duhet t’i dedikohet zgjerimit të relacionave jashtë këtyre territoreve, por me përkohëshmëri të dukshme.

Kështu për shëmbull popullata shqiptare e Kosovës e ka mësuar ekzistencën e pronës nga marrëdhëniet me sllavët dhe otomanët, kur ata të Shkodrës kryesisht nga marrëdhëniet me Venedikun  Tregëtar (marrëdhëniet me romakët nuk krijuan vazhdimësinë e zhvillimit të pronës), ndërsa dueti Voskopojë – Korçë nga marrëdhëniet me mbeturinat e Perandorisë Bizantine dhe krahinat helene, dhe banorët e Gjirakastrës nga marrëdhëniet me krahinat helene e më vonë greke. Të gjitha këto marrëdhënie nuk kanë qënë të afta të krijojnë unitetin politik të racës shqiptare vetëm për faktin e mos unitetit dhe zhvillimit të pronës në të gjithë territorin e banuar nga shqiptarët pamvarësisht nga stuhitë politike.

Dinamika e pronës nëpër krahinat e ndryshme të Shqipërisë së Sotme ndër shekuj është e aftë të na çojë në këtë deduksion edhe pse diku ajo mori pamjen e mirëfilltë të pronës private me qëllim fitimi. Kjo pikë përbën esencën e zhvillimit të pronës tek shqiptarë duke arritur në përfundimin se: prona tek populli shqiptar ka qënë thjeshtë një mjet jetese deri në masën e ekzistencës dhe jo të lluksit. Ky përfundim, nga pikëpamja hapsinore, duhet të jetë elementi më i parë i pronës në historinë dinamike të saj nëpër të cilën duhet të kenë kaluar të gjithë popujt europianë, por që unë pretendoj se ata nuk duhet ta mbajnë mënd pasi kjo formë fillestare ka lindur shumë përpara shkrimit dhe, rrjedhimisht, nuk duhet të ketë dokumenta (gjërat, nga pikëpamja shkencore, duhet të jenë marrë me mënd duke realizuar krahasimet e rastit me popujt e prapambetur ndër racat e tjera, pra është përdorur metoda relativiste).

Vazhdimësia analitike e pronës ndër shqiptarët – arbër është e lidhur me institucionet fetare ku vlen të përmëndet qyteti i Drishtit dhe institucioni katolik i tij që në vitin 743 ( Statutet dhe urdhëresat e Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit, f. 25). Problemi nuk duhet paragjykuar sipas përmbledhësve të punimit në fjalë, por ajo duhet kufizuar në rolin që kanë luajtur institucionet fetare në lindjen dhe zhvillimin e pronës ku edhe në vëndin e banuar nga arbërit – shqiptarë nuk kanë bërë përjashtim edhe pse kanë qënë reflektim nga vëndet e zhvilluara. Është kjo arësyeja përse institucioni i pronës në tokën e shqiptarëve ka qënë në dorë të klerikëve fillimisht dhe nuk ka pasur zhvillim të mëtejshëm përtej pronës së fisit (grupit në këtë rast). Është i papranueshëm pranimi i mesjetës ndër arbërit – shqiptarë dhe ekzistenca e pronës fisnore. Janë dy elementë shoqërore që teorikisht varen nga njëri- tjetri, por që në rastin konkret nuk përbëjnë dot një unitet historik. Atë përputhen vetëm nga ana kohore duke mos realizuar një zhvillim sipas dialektikës. Ja përse është e domosdoshme metodika e re për analizën e këtyre fenomeneve ku raporti kohor – hapsinor na mëson se shkaku i lindjes së fenomenit në fjalë nuk është i lidhur me zhvillimin specifik të pronës dhe ka karakter të përkohshëm.

Edhe vetëm mbi këtë bazë ne mund të aludojmë mbi prejardhjen autoktone të shqiptarëve të sotëm nga arbërit-epirotë ku bartësit e pronës fisnore nuk kanë arritur fazën e organizimit shtetëror të tyre dhe, rrjedhimisht, janë një popullatë vëndase miliona vjeçare. Në këtë rast nuk duhet marrë për bazë e veçanta imponuese, që shfaqet me Statutet e Drishtit, por specifika e lidhjes së pronës me institucionin fetar. Kjo ka rëndësi të vihet në dukje pasi vetëm tek shqiptarët dallohet jo vetëm kjo lidhje, por e gjithë jeta shoqërore e tyre përbën kredon e mbijetesës së lidhjes se institucionit fetar me jetën shoqërore.

E thënë me fjalë më të thjeshta prona tek shqiptarët ka lindur e lidhur me institucionet fetare prej nga ajo ka reflektuar në masën njerëzore të tyre duke u paraqitur specifikisht si pronë fisnore. Në këtë rast ekuacioni kohor tek shqiptarët duhet pranuar:

Institucion fetare pronë (prona fisnore)

Që do të thotë se imponimi i këtij institucioni ka përbërë kredon historike të lindjes së pronës ndër shqiptarë dhe jo zhvillimi specifik i tyre. Rëndësi ka të pranohet që në Shqipëri në shekullin e XX-të ka ekzistuar mirëfilli prona fisnore dhe jo prona private mbi tokën apo mbi mjetet e prodhimit ku këto të fundit kanë qënë dukuri tepër-tepër të rralla dhe pa ndikim të domosdoshëm mbi popullatën vëndase.

Pikërisht këtë lloj prone goditi rendi bolshevik i komunizmit shqiptar duke devijuar rrugëzhvillimin historik prej 2000 vjetësh. A nuk do të thotë kjo se ky rend goditi historinë reale të popullit shqiptar, duke e devijuar nga rruga e vet? A nuk do të thotë kjo se kohëzhvillimi i pronës stopoi në vënd, akoma më keq ajo u devijua në thelbin e saj?

2 – Familja

Analiza e kësaj qelize, me përfundimet e veta, është me e dhimshmja ndër shqiptarët. Jo vetëm pse është më e plota, por është qeliza e vetme autoktone e zhvilluar jashtë relacioneve universale edhe pse ka pasur ndikime anësore më një jetëgjatësi mbi njëmijëvjeçare. Shqiptarët e shekullit të XX-të, edhe pse të edukuar me materializmin dialektik e historik pas viteve .45, nuk e patën kuptuar asnjëherë qe familja e tyre ndodhej midis dy zjarreve edhe para se komunizmi të merrte frenat e zhvillimit shoqëror të tyre.

Mbi familjen shqiptare te asaj kohe vepronin dy forca te te njejtes hapesire, por te sfazuara per efekt te marredhenieve universale te pjesmarresve ne te. “Lufta” midis patriarkalizmit autokton dhe monoteizmit te imponuar nga marredheniet historike, jashte vullnetit te shqiptareve, perbejne konfliktin e zhvillimit te familjes shqiptare pergjate 1000 viteve te fundit. Ky fenomen vihej re ne marrëdhëniet qytet – fshat dhe justifikon numurin e pakët të qyteteve dhe të popullsive në to. Proçesi në fjalë i nënshtrohet parametrit shpejtësi zhvillimi mbi çbaze justifikohet gjëndja ekzistuese e popullit shqiptar nga pikëpamja shoqërore. Familja shqiptare në thelbin e saj ka qënë patriarkale që nënkupton organizimin fisnor si një organizim kalimtar që ndan komunën primitive klasike nga organizimi shtetëror. Në qoftë se shumë qeliza shoqërore jo autoktone mund dhe duhet të bashkëjetojnë me rendin shoqëror që nuk i ka pjellur duke përbërë pikën e nisjes sasiore drejt cilësisë së re, familja i ka shpëtuar këtij proçesi duke argumentuar se qelizat shoqërore kanë kohë-hapësirën vetiake dhe është e pamundur t’i imponohesh këtij proçesi në mënyrë artificiale. Karakteri shkencor i analizës së këtij proçesi ka shumë kohë që njihet, por ai nuk është marrë parasysh dhe shoqëria shqiptare ka ecur drejt të panjohurës në mënyrë tepër-tepër instiktive pa marrë parasysh pasojat.

Kjo vihet re sot kur kërkohet trajtimi i figurës së gruas në mënyrë të posaçme. Në qoftë se diferencimi gjinor ka mundësi të ndiqet nëpërmjet familjes në popujt e zhvilluar, tek populli shqiptar kjo është e pamundur pasi ky diferencim tek ata nuk është prezent. Loja që është luajtur për 45 vjet mbi këtë temë ka qënë thjeshtë një mashtrim politik dhe përfshihet në ndikimin e moralit bolshevik mbi popullin shqiptar, pasi proçesi në fjalë sapo kishte filluar dhe gruaja shqiptare akoma nuk e kishte ndjerë peshën e shfrytëzimit shoqëror brënda familjes dhe kjo atje ku mbizotëronte patriarkaliteti familjar. Është tjetër punë ajo çka është trumbetuar gjë që ka rënë ndesh me realitetin, sidomos në familjet qytetare të mirëfillta që e kishin kapërcyer këtë fazë në sajë të relacioneve me popujt e zhvilluar dhe pozicioni i gruas qëndronte krahas atij të burrit pa pasur kahe diferencimi.

Propoganda komuniste në këtë drejtim ka trumbetuar një mosqënie si realitet duke ulur figurën e gruas shqiptare në sytë e opinionit ndërkombëtar për të realizuar skllavërimin e saj politik. Problemi nuk ka qënë aspak ashtu siç është pretenduar dhe është poshtërsi politike të kërkosh sot pjesmarrje të gruas në përqindje dhe jo pjesmarrje mbi bazën e meritokracisë profesionale. Gjyshet dhe stërgjyshet tona nuk kanë qënë kurrë numra, por Nënat e prindërve tanë dhe shqiptarët këtë  nuk  e kanë kuptuar kurrë, por e pranuan uljen e figurës së gruas shqiptare për efekt ekzistence duke e kthyer familjen shqiptare në një strofull politike ku fshihej djalli dhe krimi. Diktatura komuniste e ka pasur folenë e krimit të saj pikërisht në brëndësi të familjes shqiptare dhe këtu është luajtur e gjithë ajo lojë politike që mbante emrin diktaturë e proletariatit: burrin spiunonte gruan dhe anasjelltas, babai spiunonte fëmijën dhe anasjelltas, por fatmirësisht nëna nuk i tradhëtoi fëmijët e saj (jo për meritë, por për ligjësi natyrore) dhe kjo përbënte pengesën e pakapërcyeshme të partisë-pushtet dhe larove të saj.

Thelbi i të gjithë krimit shoqëror të realizuar në brëndësi të popullit shqiptar, në sajë të shpërfytyrimit të familje shqiptare, përbën poshtërsinë e asaj faze kriminale të realizuar përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX-të.

Nuk ka qënë e rastit bashkëekzistenca dhe bashkëjetesa e klerikëve shqiptare në brëndësi të familjes shqiptare dhe këtu qëndron mbojtja historike që Kleri Katolik Shqiptar i bëri familjes shqiptare monogame mbi çbazë ajo ekziston sot bindshëm dhe në mënyrë përfundimtare. Proçesi në fjalë ka një shtrirje kohore mbi 500 vjeçare dhe përbën aktin më të parë dhe kryesor të qëndresës së shqiptarëve nëpër shekuj. Bashkëjetesa e feve të tjera, krahas katoloçizmit institucional, ka qënë një refleksion pozitiv që ka ndihmuar në konsolidimin e familjes shqiptare pamvarësisht nga specifika e tyre pasi thelbi patriarkal i është nënshtruar rregullatorit shoqëror të shqiptarëve, i cili sot në mijëvjeçarin e tretë ka mbetur i pazbuluar.

3 – Kanuni

Analiza historike e kanunit tek shqiptarët është parë gjithmonë me përçmim, sidomos përgjatë shekullit të XX-të, paçka se ai ka qënë instrumenti më kryesor që i ka drejtuar shqiptarët nëpër shtigjet e panjohura të historisë. Sa herë që politika ka dashur të depërtojë në brëndësi të shoqërisë shqiptare ajo ka goditur së pari Kanunin pa e vrarë mëndjen se po ndeshej me instrumentin shpëtimtar e të vetëm të mbijetesës së shqiptarëve. Gjithmonë është parë me fodullëk kundërveprimi ndaj tij me tendencë poshtërimin dhe asgjësimin e të drejtës zakonore shqiptare pa e vrarë mëndjen për pasojën.

E keqja nuk qëndron vetëm në këtë aspekt, por unë pretendoj se e keqja më e madhe qëndron në mos nxjerrjen e mësimeve reale nga prania e Kanunit dhe analiza thelbësore e përmbajtjes së tij. Është e palejueshme për një Akademi Shkencash të mos diferencojë dot Kanunin e Lek Dukagjinit, apo të Skëndërbeut, nga Kanunet e Maleve të Dibrës, Lurës, apo Labërisë dhe t’i paraqesë në unitet, kur në realitet atë kanë tjetër suport lindës, tjetër qëllim formimi dhe tjetër hapësirë aplikative shoqërore. Në qoftë se për 45 vjet është heshtur nga frika e diktaturës, nuk ka asnjë argument për të sotmen dhe në mos nxjerrjen e mësimeve nga ekzistenca e kanuneve, prania e të cilave ka qënë shumë-shumë më pozitiv se sa politika e sotme. Vetëm krahasimi i Kodit Civil dhe Penal të sotëm me një nga Kanunet shqiptare mund të tregojë se çfarë ka përfaqësuar në të kaluarën bashkësia e kanuneve shqiptare dhe çfarë përfaqëson drejtësia shqiptare sot. Në qoftë se i pari ka tentuar t’u sigurojë shqiptarëve bashkëjetesën dhe mbijetesën historike, i dyti ka 65 vjet që e vret dhe grabit këtë popull pa mëshirë dhe në mënyrë sistematike. E keqja më e madhe qëndron në pasojën e drejtësisë shqiptare të epokës komuniste dhe në lidhjen që ajo ka me njerëzit e drejtësisë sot. Me fjalë të tjera grupimi njerëzor i drejtësisë komuniste është po ai i drejtësisë së demokracisë, të themi. E gjitha kjo është pasoja më kryesore e veprimit të moralit bolshevik mbi kanunet shqiptare anë e kënd vëndit.

Nuk është e rastit që këto kanune u muarën në mbrojtje nga klerikët tanë katolikë; e gjitha kjo jo vetëm si një instrument për të shpëtuar popullatën vëndase përgjatë shekujve nga relacionet me të huajt, por kryesisht për ta shpëtuar nga pasojat që impononte zhvillimi i popullit shqiptar kundrejt historisë. Pikërisht kjo nuk u pat kuptuar asnjëherë, por e trajtuan problemin me një sentimentalizëm hipokrit deri në krimin politik duke u imponuar shqiptarëve të shekullit të XX-të kushtetuta bolshevike që godisnin pronën, familjen, kanunet dhe fenë e shqiptarëve.

Problemi nuk është kaq i thjeshtë sa duket; nuk është fjala për të mbrojtur struktura shoqërore primitive, por kryesisht për të parë lidhjen e tyre me popullin shqiptar për të përcaktuar shkaqet e vonesës së unitetit të popullit shqiptar në vazhdën kohore historike të zhvillimit të tij dhe çfarë përfaqësojnë në realitet bashkësitë e të drejtës zakonore të pashkruara shqiptare të shekullit të XX-të. Sepse ato kanë ekzistuar bindshëm jashtë ndërgjegjes së shqiptarëve duke i nënshtruar ato. Përse kushtetuta e mijëvjeçarit të ri duket anakronike në raport me kanunet shqiptare? Dhe, në fund të fundit, përse rendi komunist i Enver Hoxhës i goditi dhe i asgjësoi politikisht ato, çfarë pengese i sillnin ato politikës së tij? Mos vallë pas kësaj fshihej mbrojtësi i kanuneve, armës së vetme të mbijetimit të shqiptarëve?

4 – Feja

Në qoftë se ka probleme të paqarta në planin filozofik e shoqëror në botën shkencore shqiptare është pikërisht tërësia e ideve fetare dhe e institucioneve të tyre deri në atë masë sa nuk janë kuptuar kurrë rolet që ato kanë luajtur nëpër shekuj dhe çfarë përfaqësojnë ato realisht. Pikësëpari duhet dalluar fakti që qoftë idetë fetare, qoftë institucionet e tyre, dallohen nga ato të botës europiane edhe vetëm për pasojat që ato kanë realizuar dashur pa dashur. Proçesi në fjalë përmbledh dukurinë më kryesore të shqiptarëve të sotëm: ekzistencën e tyre. Këtë gjë shqiptarëve të sotëm ja kanë ndaluar ta dinë dhe ta mësojnë duke mbetur gjysmakë në intelektin e tyre kombëtar. Nuk është vështirë të kuptohet se kush është shkaktari i të gjithë kësaj katrahure dhe kush është fajtori i mbijetimit të saj.

Shqiptarët e sotëm duhet të mësojnë njëherë e mirë rolin që ka luajtur feja dhe institucionet e saj përgjatë shekujve krejt ndryshe nga ai i realizuar në botën e qytetëruar. Të paktën pasoja është krejt tjetër për tjetër duke argumentuar se lufta e klasave nuk është forca e vetme e zhvillimit të shoqërisë. Në brëndësi të popullit shqiptar kanë vepruar forca të tjera në përputhje me ligjet që imponon natyra për rastet e shpejtësive të vogla të zhvillimit shoqëror, gjë që ka çuar në formimin e moralit të tyre specifik. Kjo nuk duhet harruar kur flitet për influencë të moralit komunist mbi popullatën shqiptare, sepse vetëm tani dallohet roli real i moralit shekullor të shqiptarëve dhe çfarë ndodhi kur ai u përplas me moralin bolshevik për 45 vjet në pozita inferiore për të.

Në qoftë se tek shqiptarët idetë fetare kanë bashkëjetuar konform lidhjes histori-antihistori duke mos luajtur asnjë rol konkret, për institucionet fetare nuk ka qënë kështu dhe bashkëjetesa e cilësorëve nëpër shekuj është një iluzion i politikës e jo real. Por kjo nuk paraqet rëndësi vendimtare pasi lufta midis tyre vetëm sa ka forcuar njërin krah në favor të ekzistencës së shqiptarëve duke lënë në heshtje krahët e tjerë në një masë të tillë sa kur erdhi koha e mëvetësisë kombëtare, këto të fundit, heshtën dhe e ngritën zërin vetëm kur erdhi epoka e komunizmit antishqiptar. Gjysma e parë e shekullit të XX-të nxorri në pah pikërisht këto proçese për të cilat propoganda komuniste vendosi barazinë e persekutimit duke fshehur atë që ka ndodhur në territorin e banuar nga shqiptarët në të kaluarën. Unë pretendoj se goditja kundër fesë pikërisht këtë ka pasur për qëllim të realizojë më 1967 dhe jo fenë si subjekt më vete. E gjithë kjo jo vetëm ngaqë ndërgjegja fetare nuk mund të goditet në asnjë mënyrë, por në pasojën që institucionet fetare pësuan pas atij viti në Shqipëri dhe kjo përbën esencën e veprimit të moralit komunist mbi moralin historik të shqiptarëve.

Duke ju rikthyer historisë së këtyre institucioneve vëmë re se proçesi i persekutimit të tyre pas 1945 nuk ka ndjekur atë rrugë përgjithësuese që u mundua të ngulitë në mëndjet e shqiptarëve morali komunist dhe këtu fillon loja e politikës komuniste pas atij viti. Në qoftë se pranojmë se populli shqiptar ka pasur ndonjëherë baballarë të kombit të vet, ata kanë qënë vetëm anëtarët e nderuat të Klerit Katolik Shqiptar ekzistenca 500 vjeçare e të cilëve ka përcaktuar jo vetëm ekzistencën e shqiptarëve të sotëm por dhe moralin e tyre njerëzor në përputhje me moralin botëror. Ishte morali komunist ai që devijoi moralin historik të shqiptarëve dhe kjo u realizua duke goditur fenë historike të shqiptarëve dhe institucionin krijues të tij. Pikërisht këtë të fundit nuk dinë shqiptarët e sotëm, por hallakaten pas ideve mbi bashkëjetimin harmonik të feve. Ja përse ka rëndësi bota e moralit dhe historia e saj. A nuk ishin klerikët katolikë ata që arsimuan popullin shqiptar përgjatë 400 viteve të fundit? A nuk ishin klerikët katolikë shqiptarë ata që mobilizuan një popull të tërë kundra armiqve shekullorë të tij për më shumë se 1000 vjet duke u treguar atyre se kush ishin armiqtë e përhershëm të popullit shqiptar? A nuk ishin klerikët katolikë shqiptarë ata që drejtuan pavarësinë kombëtare të shqiptarëve në fillim të shekullit të XX-të, në bashkëpunim me Perandorinë Austro-Hungareze pjellë e së cilës ajo ishte? A nuk ishin klerikët katolikë shqiptarë ata që drejtuan politikën e popullit shqiptarë në mesin e parë të shekullit të XX-të duke realizuar shtetin e tyre në sytë e Europës? A nuk ishin klerikët katolikë shqiptarë të vetmit njerëz që i dualën përballë murtajës komuniste duke e paralajmëruar popullin shqiptar për apokalipsin që po afrohej (kjo e fundit është e dokumentuar më 1944 në një bisedë midis Padër Anton Harapit, avokatit dr. Vasil Dilos dhe mësuesit shëmbëllor Gabriel Meksit; – merite kjo e avokatit te nderuar)?

Atëhere për çfarë morali komunist është bërë fjalë në Shqipëri përgjatë 45 viteve të ekzistencës së komunizmit; pasi ka një përplasje midis moralit historik të shqiptarëve dhe antimoralit komunist?

Përfundime

Sipas formules marksiste morali nuk ka zhvillim, nuk ka histori, nuk ka permbajtje. Keshte qe në thelb del i pakuptimte nocioni “moral komunist”. Ky nocion eshte nje shpikje e shkolles bolshjevike, por qe komunizmi shqiptar e pervetesoi pa i ditur kuptimin dhe autoresine dhe e gjithë kjo për ta vënë përballë moralit historik të shqiptarëve dhe krijuesit të tij.

Akti i parë i veprimit të moralit komunist mbi popullin shqiptar ishte lufta antishqiptare kundër monumentit karizmatik të popullit shqiptar: Klerit Katolik Shqiptar, të cilin e asgjësoi në dy faza (1944-1948 dhe 1967-1972). Arësyeja nuk ka qënë formale; nëqoftë se në vitet e para të vendosjes së diktaturës Kleri Katolik Shqiptar ishte armiku politik i moralit komunist, në vitet 1967 Kleri Katolik Shqiptar ishte mbrojtësi i vetëm i moralit historik të shqiptarëve që çfaqej me ekzistencën e kuartetit historik pronë + familje + kanun + fe. Duke dashur të asgjësonte këtë kuartet morali komunist asgjësoi pikësëpari krijuesin dhe mbrojtësin e tij, pikërisht Klerin Katolik Shqiptar. Dhe po në atë kohë u vodhi shqiptarëve pronat fisnore të tyre nën emrin e reformës agrare ku për 0,4 hektarë tokë e futi popullin shqiptar në luftë me vetveten. Vetëm pasi kësaj ju vërsul si një bishë antinjerëzore të drejtës zakonore të shqiptarëve duke e konsideruar një zakon prapanik dhe, duke shpalosur kushtetutën socialiste, u hoqi shqiptarëve themelin kryesor të ekzistencës. Pas kësaj propogandoi eleminimin e ideve fetare  duke e lënë familjen shqiptare të çveshur nga çdo moral njerëzor. Morali komunist propogandoi me të madhe familjen e re socialiste si krijuesen e vet duke u fshehur shqiptarëve faktin që familja shqiptare ishte kthyer në një fole kriminale. Pa dyshim që ishte goditja më e madhe që mori shoqëria shqiptare  pas 1945, por shqiptarët e sotëm e kanë harruar që kjo luftë filloi me asgjësimin e krijuesit dhe mbrojtësit të moralit historik të tyre: Klerit Katolik Shqiptar.

Kjo do të thotë qe e gjithë lufta politike në Shqipërinë komuniste është bërë midis Moralit historik të shqiptarëve, i vetmi që bashkonte shqiptarët me Europën, dhe moralit bolshevik të komunistëve të rinj të Enver Hoxhës e lakejve të tij ku këta të fundit nuk lanë gur pa lëvizur, krim pa kryer, për ta zhdukur nga historia. Koha do të tregojë në e ka realizuar këtë qëllim final morali bolshevik për të 45 vitet e ekzistencës së tij.

 

15 . 01 . 2010