Artikuj

28-A është e nevojshme alternativa socialiste e zhvillimit në Shqipëri 13.03.1992

Posted by Genc Hoti

Loading

28 – A është e nevojshme alternativa socialiste

                     e zhvillimit në Shqipëri?

(përgjigje dhënë artikullit të docent Vasillaq Kuretës, të botuar   në gazetën “Zëri i    Popullit”, 26 mars 1992)

 

– Defekti i Marksit në lidhje me revolucionin proletar

– Utopizmi leninist

– Mashtrimi stalinist i raportit Marks – Lenin për problemin e revolucionit socialist

– PK Shqiptare ka qënë një parti intelektuale dhe jo proletare, le pastaj PPSh qe ka qene nje parti antishqiptare

– Pamundësia e aplikimit të socializmit në Shqipëri edhe sikur socializmi “shkencor” të ishte i saktë si teori.

 

Vetëm katër ditë ju deshën Partisë Socialiste të ngrihej në këmbë pas nogdaunit të 22 marsit 1992; vetëm katër ditë ju deshën kësaj partie të kalojë nga sulmi në mbrojtje; vetëm katër ditë ju deshën dishepujve të sajë ta transformojnë mashtrimin internacional në një gënjeshtër kombëtare. Nuk e dimë se ku e gjetën guximin ishkomunistët shqiptarë të pretendojnë për të mësuar popullin shqiptar me idetë antikombëtare; vetëm në qoftë se ata kanë pasur për qëllim të mësojnë botën. Po të jetë kjo e fundit pirolla u qoftë, nuk e paskemi ditur se Partia e Punës (sot Socialiste) paska pasur dhe ka shkencëtarë të kalibrit botëror; në këtë rast ne duhet të tërhiqemi. Por, duke e kuptuar që fjala bëhet për një mundësi aplikimi këtu në Shqipëri dhe idetë e tyre janë të lidhura me Marksin, jemi të detyruar t’i përgjigjemi: Ndalu beg se ka hendek! Ju kërkoni të mashtroni popullin shqiptar në një formë të re.!

Artikulli i docent Vasillaq Kuretës është fund e krye një mashtrim i tillë. I nderuar docent, Ju pretendoni se në B. Sovietik u realizua socializmi dhe në momentin aktual ai u shkatërrua. A jeni i sigurtë për këtë? A e dini vallë Ju dhe shokët e atij instituti ku keni ngrënë bukë dhe jeni formuar, se çfarë është socializmi sipas autorëve të tij? Në asnjë vënd të librave që keni shkruar Ju shkencëtarët e institutit të studimeve marksiste – leniniste nuk është zbërthyer ky socializëm në planin teorik dhe kjo ka ndodhur në një masë të tillë sa ne dyshojmë në njohuritë e juaja filozofike. Me fjalë të tjera Ju dhe shokët e atij instituti nuk e njihni aspak Marksin, por vetëm keni spekulluar në emrin e tij. Kjo vihet re në punimet e Tua dhe të shokëve  të atij instituti, në punimet e pedagogëve të shkollave të larta shqiptare. Po ju a përmënd disa në mënyrë që idetë e tyre mos t’i përdorni më në të ardhmen, pasi pretendoj se Ju e keni harruar të kaluarën:

Artan Fuga, “Filozofët e rinj” shërbëtorë të kapitalizmit

Fatos Nano, Politika ekonomike e Kinës për t’u bërë  superfuqi

Hulusi Hako, Ateizmi shkencor (për këtë libër mund t’ju them me siguri të plotë se     është mashtrim shkencor)

Kleanthi Zoto, Filozofia marksiste – leniniste, e vetmja filozofi shkencore

Omer Hashorva, Hrushovizmi ideologji e kundërrevolucionit dhe e agresionit

Pavllo Gjidede, Vigjilenca e klasës në veprim

Raqi Madhi, Shtrëmbërimi i teorisë marksiste – leniniste për socializmin nga P.K. e Kinës

Servet Pëllumbi, Nga materializmi në idealizëm (ky “shkencëtar” nuk ka qe si ta dijë që mendimi filozofik botëror ka kaluar nga idealizmi në materializëm dhe jo sipas titullit).

Servet Pëllumbi, Formimi i filozofisë marksiste

Shyqyri Ballvora, Revolucioni kinez dhe zig – zaket e politikës antimarksiste të P.K.K.

Thimi Nika, Tej fasadës  “populli unik sovietik”

Vangjel Muisiu, Thellimi i kursit revizionist në B.S.

Vasillaq Kureta, Thelbi antimarksist i koncepteve filozofike të mao       cedunidesë (librit Tuaj e lashë për në fund pasi idetë që parashtroni në të i janë nënshtruar me kohë një kritike ku spikat hipokrizia ndaj Enver Hoxhës).

Ka dhe shume libra te tjere me keto tema, por qe nuk kane krijuar suport zhvillimi ne inteligjencen shqiptare, dmth kane qene limonada per tituj shkencore.

Përmëndja e tyre nuk bëhet thjeshtë si një akt, por në ato libra të publikuar autorët e tyre nuk kanë thënë të vërtetën në mënyrë absolute. Ata vetëm janë munduar të mos thënë të vërtetën dhe t’i bëjnë qejfin diktatorit.

Ju pretendoni se në vëndet ish socialiste gradualisht erdhi duke u dobësuar e u zhduk dinamika e brëndëshme e zhvillimit  ekonomik e social, por nuk na thoni gjënë më kryesore: cili qe shkaku? Ju nuk keni si ta dini dhe rrjedhimisht nuk keni si ta pranoni, që e gjithë veprimtaria e popujve “socialistë” nën udhëheqjen e partive të tyre ka qënë një revoltë e qënies natyrore ndaj qënies shoqërore (po citoj Balzakun). Ju nuk keni si ta dini që e gjithë kjo dinamike ka qënë një shfrytëzim shtazor i masave popullore nga ana e udhëheqjes. Mbi këtë bazë është e pamundur të pranosh idenë Tuaj, sipas së cilës

“të depërtosh më thellë, lind mundësia për një arësyetim të argumentuar për të ardhmen e alternativës socialiste të zhvillimit”.

Por të gjitha këto hedhin poshtë edhe “rëndësinë” e pikëpamjes tjetër, po Tuajës, që thotë:

“të diskutosh jo për të kthyer modelin e përmbysur, por për të gjetur rrugën e afirmimit nga e ardhmja e materializmit i idealit socialist e parë kjo si një lëvizje reale historike e jo si skemë”.

Si mund të pretendosh për një zhvillim të tillë kur vetë konkluzioni i Marksit mbi revolucionin proletar mbështetet në  një skemë dhe pikërisht në skemën britanike të shekullit të XIX-të? Përpara se të na thoni gjëra të tilla duhet të pranoni se keni hequr dorë prej Marksit, e meqënëse Ju nuk e keni bërë akoma këtë ne do t’ju luftojmë me armën e tij dhe në fushën që keni lëvruar deri tani.

E di që është pak e vështirë në një gazetë të parashtrosh kritikën e një epoke, qoftë edhe vetëm në një aspekt, por do të kufizohemi në tre pika, që ne mendojmë se përbëjnë kryesoren e asaj që keni mbrojtur deri tani.

Së pari, konkluzioni përfundimtar i Marksit lidhet me vendosjen e komunizmit ku fillesa është politika me mjete e dhunës. Unë e di që tani se edhe Ju nuk e pranoni më këtë përfundim, por nuk dini ta argumentoni. Konkluzioni marksist mbështetet në politikën pushtuese të Mbretërisë Britanike dhe në Komunën e Parisit. Dhe duke ditur se dhunës i duhej përgjigjur me dhunë ai konkluzion për atë kohë, mund të konsiderohej i drejtë megjithëatë edhe për atë kohë ai duhet marrë me rezervë. Ja sepse; sipas Marksit, kapitalizmi është forma e fundit e shtetit dhe rewwvolucioni proletar e përmbys këtë formë shtetërore duke kaluar në fazën kalimtare drejt komunizmit që e emërtoi gjysëm shtet proletar. Marksi nuk mori parasysh aspak se kalimi nga jo shteti në shtet u bë pa luftë, por me anë të ideve juridike (përmëndim këtu Solonin në Athinë dhe ligjet e dymbëdhjetë tabelave në Romë); atëhere përse duhet të pranojmë që kalimi nga shteti në jo shtet u bëka me anë të dhunës? Vallë nuk ka pasur parasysh idenë e Hegelit mbi përputhjen e ekstremeve? Apo mos vallë e ka ditur se ai rend që e fillon jetën me luftë do ta vazhdojë po me luftë, atehere i bie qe edhe rendi socialist do te permbyset me dhune revolucionare? Kjo eshte nje pike qe e permbys vete teorine e Marksit, prandaj kerkohet modifikimi i tij. Tjetër, kalimi nga feudalizmi në kapitalizëm u bë me anë të revolucionit borgjez ku dhuna ishte e pranishme. A e dinte vallë Marksi se natyra njerëzore (qoftë dhe forma jo të tilla) nuk njeh përsëritje dhe vetëm mbi këtë bazë revolucioni që zhduk dhunën kapitaliste është pjesë e vetë rendit. Pastaj Marksi me komunizëm nuk presupozonte një ideal, por me komunizëm ai dhe Engelsi kuptonin lëvizjen shoqërore që i jepte fund gjëndjes ekzistuese. A nuk i dhanë fund gjëndjes shtazore të shfrytëzimit vëndet e Europës Perëndimore e Veriore, Sh.B.A-ës, Japonia e Kanadaja pa revolucionin proletar të Karl Marksit? Domethënë në këtë pikë Marksi ose është interpretuar krejtësisht mbrapsht nga pasuesit e tij (dhe unë kështu pretendoj) ose ai i ka bërë llogaritë gabim (në një vënd duhet të jetë kështu)

Së dyti, teoria e Marksit mbi revolucionin proletar, që e përmban në brëndësi revolucionin socialist (dhe jo ndryshe siç keni thënë ju nëpër librat shkollorë) mbështetet në kontradiktën midis forcave prodhuese dhe marrëdhënieve në prodhim. Ky fenomen, sipas Marksit, është karakteristikë e vdekjes së sistemeve shoqërore. Po atëhere si mund të pranojmë ne vdekjen e rendit kapitalist në Rusi dhe kalimin në socializëm ku ky rend kishte vetëm 12 vjet jetë? Pikërisht në këtë piklë ne kemi utopizmin e Leninit dhe përsëritjen analoge të ngjarjeve më të hershme. Po përmënd vetëm kryengritjen në vitet 104 – 100 Para Kri. të Siçilisë, të skllevërve; dhe kryengritjen e viteve midis fundit të shekullit XVI dhe fillimit të shekullit XVII në Kinë ku spikat kryengritja e madhe e endësve të ndërmarjeve e manifakturave private në qytetit Suxhon më 1601, të cilat u munduan të vendosin një barazi sociale, por që degjeneruan shumë shpejt në forma të njëjta me ato ekzistueset. Ju a përmënda të gjitha këto për t’ju treguar se është e pamundur të përmbyset një rend pa i zhvilluar deri në fund forcat e veta prodhuese, të paktën sipas Marksit. Ja përse Lenini është kokë e këmbë utopist dhe asgjë më shumë.

Së treti, dua t’Ju kujtoj se bashkimi Marksit me Leninin është një ndër poshtërsitë që bëri Stalini në fushën e socializmit (si mundësi) në sferën sasiore. Qe Stalini ai që nxorri teorinë se Marksi pat thënë se revolucioni socialist triumfon në të gjithë botën, ose në vëndet më të zhvilluara në të njëjtën kohë, kurse Lenini e ndreqi atë duke thënë se socializmi mund të triumfojë edhe në një vënd të vetëm. E gjithë kjo paçavure që keni shkrojtur tek Materializmi Historik është një kopjim pikë për pikë që i keni bërë Stalinit pasi as Marski dhe as Lenini nuk kanë dhënë finicione të tilla. Për saktësi lexoni të gjithë faqen 526 tek vepra e 26 e Leninit se aty keni përfundimin se socializmi në mënyrë të plotë nuk mund të ndërtohet në një vënd të vetëm. Ndërsa komunistët – socialistë në pushtet janë grindur me njëri – tjetrin prej kohësh se kush ishte në socializëm dhe sa larg komunizmit ishin, kush do të mbërrinte më përpara atje.

Ju a përmënda të gjitha këto për t’i treguar lexuesit se Ju dhe shokët tuaj e keni gënjyer të gjithë popullin shqiptar me këto përralla për 45 vjet. Problemi shtrohet krejt ndryshe për ndryshe. Unë nuk kam ndërmënd t’Ju mësoj marksizmin, por dua t’ju shpjegoj tani përse alternativa socialiste e zhvillimit është e pamundur në Shqipëri duke e lidhur me të djeshmen dhe të sotmen.

Gjëja e parë që duhet kuptuar është pozicioni lindës i komunizmit në Shqipëri edhe para datëlindjes së PKSh-re. Idetë komuniste u importuan nga Europa e revoltuar kundra shtypjes dhe shfrytëzimit duke u sjellë në Shqipëri nga intelektualët e rinj si një shprehje kundra mbretërimit të Zogut të Parë dhe aspak si shprehje e antagonizmit midis klasës punëtore dhe marrëdhënieve në prodhim. Ju ja keni fshehur gjithmonë nxënësve dhe studentëve tanë nëpër shkolla këtë fakt. Me fjalë të tjera duhet pranuar se grupet komuniste (po pranojmë tezën e Enver Hoxhës për këtë problem) ishin grupe intelektuale dhe aspak grupe komuniste proletare apo punëtorësh siç pretendon Enver Hoxha. Gjithashtu duhet pranuar se komunizmi në Shqipëri kishte karakter intelektual dhe aspak proletar. Ky i fundit nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri në përmbjajte, pasi vetë klasa punëtore shqiptare ishte shumë – shumë e re dhe rezultat i relacioneve me të huajt. Prej këtej del e qartë edhe kush e formoi PKSh-re, të paktën në drejtim të marrjes së pushtetit pas mbarimit të luftës. Mbi këtë bazë si mund të pretendosh për socializmin në Shqipëri në të ardhmen (flasim për vitin 1948).

Është një kapitull tepër i gjatë se çfarë ka qënë në realitet PPSh-së dhe roli i sajë në zhvillimin e shoqërisë sonë, por për ta lidhur me socializmin shqiptar është e nevojshme të tregohet struktura shoqërore e popullit shqiptar. Autorët e Materializmit Historik kanë pretenduar se tek ne ka dy klasa shoqërore dhe një shtresë drejtuese. Kur i pata thënë mësuesit të filozofisë në një provim se tek ne kemi tre klasa shoqërore ai më pati vënë katër. Sot e shoh që paskam pasur të drejtë, vetëm se duhej specifikuar se klasa e tretë ishte e ndarë në dy grupime: në intelektualë që punonin bashë me punëtorët e fshatarët dhe në intelektualë që nuk punonin, por përgatisnin teorinë për shtypjen dhe shfrytëzimin e popullit shqiptar. Ja përse nuk mund të pranohet pa doreza ideja se inteligjenca shqiptare është persekutuar gjatë 45 vjetëve të sundimit të Enver Hoxhës. Ju dhe shokët tuaj që keni punuar në atë institut nuk mund të përfshiheni në shtresën e intelektualëve të persekutuar.

Por duhet të pranojmë se titulli pyetës i artikullit Tuaj kërkon një përgjigje sipas kushtit internacional dhe atij kombëtar. “Çuditërisht” Ju nuk keni të drejtë për të dy rastet.

Në botë alternativa socialiste nuk ka më atë përmbajtje teorike të socializmit të shekullit të XIX-të dhe ekziston, duke luajtur një rol pozitiv, në ato vënde ku kemi një zhvillim real të indistrisë moderne. Kjo alternativë është thjeshtë një socializëm europianoperëndimor dhe shërben si një pol opozitar dhe vetëm kaq. Por kjo nuk mund të zbatohet dot në vëndet e prapambetura, sepse i ashtëquajturi socializëm në këto vënde degjeneron detyrimisht në absolutizëm individual, siç degjeneroi duke sjellë në skenën polkitike shumë dhimbje shoqërore. Përpara se të përcaktohet nevojshmëria e një teorie duhet përcaktuar më përpara shkalla e zhvillimit shoqëror të një vëndi që e lind dhe pastaj të përcaktohet zhvillimi hapsinor i popullatës ku do të zbatohet. Ju si materialist që pretendoni të jeni duhet ta dini që është qënia shoqërore ajo që përcakton ndërgjegjen dhe është e parpanueshme që ndërgjegja shkencore e shekullit të XIX-të (e cila ka qenë prudukt i kapitalizmit në zhvillim) t’ja injaktosh popujve në shekullin e XX-të, por që janë në fazën kalimtare nga feudalizmi në kapitalizëm dhe këtë në sajë të relacioneve me europianët perëndimorë. Domethënë shkalla e ulët e zhvillimit kapitalist e përjashton alternativën socialiste të zhvillimit në vëndet e ndryshme të globit.

Por Ju nuk e kini fjalën për botën, edhe pse përmëndni e aludoni me vëndet e industrializuara. Ju pretendoni për një aplikim të mundëshëm të sajë në Shqipëri dhe me këtë doni të ruani pozicionin tuaj si parti. Në qoftë se për vëndete e pazhvilluara kapitaliste alternativa socialiste mund të pranohet për më vonë dhe me rezerva, ajo për Shqipërinë është e dëmshme. Kjo del po të studiohet pak me vëmëndje vetë autori i socializmit “shkencor” Karl Marksi, sipas të cilit:

 

“Një shoqëri, edhe në qoftë se ka rënë në gjurmët e ligjit natyror të zhvillimit të saj,-……-nuk mundet as t’i kapërcejë, as t’i anulojë me dekrete fazat natyrore të zhvillimit. Por ajo mund t’i pakësojë dhe t’i zbutë dhimbjet e lindjes”.

 

Meqënëse Ju keni pretenduar se jeni marksist – leninist, së bashku me të gjithë shokët Tuaj, përse na servirni të tilla teorira kur populli shqiptar ndodhet tepër – tepër larg natyrës së vet socialiste, e cila nga pikëpamja kohore e zhvillimit mund ta kërkojë këtë alternativë vetëm pas 10 000 vjetëve dhe këtë me ndihmën e Europës (sepse e izoluar nga Europa populli shqiptar mund të prodhojë ide socialiste pas 10 milion vjetësh). Nuk e di në i kuptoni fjalët e Marksit, por një imponim socialist, qoftë dhe në formën e opozitës, në  popullin tonë  do të thotë ta lësh në vënd duke i shkaktuar shumë dhimbje të tjera. Për të kuptuar se sa larg aplikimit të alternativës socialiste është populli shqiptar duhet zbërthyer më përpara gjëndja shoqërore dhe prejardhja e tij. Unë shkurtimisht mund t’Ju përmënd se popullata shqiptare fshatare (e cila më 1930 zinte 84%) karakterizohej nga prona fisnore (jo private), familja patriarkale (jo monogame), kulti i natyrës është feja autoktone (dhe jo monoteizmi), e drejta zakonore e pashkruar (dhe jo juridiksioni shtetëror), të cilat së bashku tregojnë se populli shqiptar është tepër – tepër larg zbatimeve të ideve socialiste. Në qoftë se qyteti shqiptar në mesin e shekullit të XX-të mund të krahasohej me shoqërinë franceze të mesit të shekullit XVIII, fshati shqiptar ka qënë më mbrapa se epoka soloniane në Greqinë Klasike. Ja në një truall të tillë zbatuat Ju për 45 vjet socializmin “shkencor. Ekziston një teori (të mbështetur në teorinë e dy binjakëve të Ajnshtajnit, veçse me konkluzione krejt të tjera) mbi lidhjen e popujve të prapambetur me idetë moderne; shkurtimisht mund t’Ju them se konkluzioni i parë që rrjedh prej saj është roli negativ i kësaj lidhje duke sjellë në skenë komponentë shoqërorë hibridë dhe të dëmshëm (mafia është një produkt i tillë).

Ja përse në Shqipëri nuk duhet të ekzistojë alternativa socialiste e zhvillimit. Sot populli ynë nuk e ka në natyrën e vet këtë alternativë. Ajo në vënd të zhvillimit do të sjellë përçarjen dhe shkatërrimin e kombit tonë.

Si mbyllje mund të them se Ju që na afroni oferta të tilla jeni tre herë gënjeshtar: na keni gënjyer me shkollën tuaj (shkolla shqiptare filozofike është fund e krye një mashtrim) një herë; na kemi gënjyer me librat që keni botuar kur keni punuar në Institutin e studimeve marksiste – leniniste për herë të dytë; na gënjeni përsëri me idetë e Juaja antikombëtare për herë të tretë. Ja përse nuk është e nevojshme alternativa socialiste e zhvillimit  në Shqipëri.

 

Tiranë, më 31. 03. 1992

Botuar në: logoreci.com, 15.04.2009

albanovaonline.com, 03.06.2009