Artikuj

27-Historia e Flamurit të ngritur në Vlorë më 1912 14.04.2009

Posted by Genc Hoti

Loading

27- Historia e Flamurit të ngritur në Vlorë më 1912

(vazhdim i asaj që nuk dinë shqiptarët për historikun e Flamurit Kombëtar Shqiptar)

 

Në qoftë se përgjithësisht të gjitha ngjarjet e Mëvetësisë së Popullit shqiptar kanë elementë të dyshimtë, të paqartë, të ndryshuar, të mohuar, të tjetërsuar, etj, historia e Flamurit tonë Kombëtar është e qartë si drita e diellit dhe kjo falë punimeve të Etërve tanë Françeskanë. Është shpirti i tyre shekullor që thërret nga thellësitë e Tokës Nënë: Flamuri Kombëtar Shqiptar është vepër e jona dhe jo e komunizmit antishqiptar. Dmth jam i detyruar të deklaroj që në fillim se stilizimi i shqiponjës, që kemi sot ne stemën e Republikës, është vepër e komunizmit dhe jo e atyre që shpallën pavarësinë e popullit tonë më 1912. Flamuri i ngritur në Vlorë më 1912 nuk është  ai që pretendohet në asnjë përmasë dhe autorët e tij janë krejt të tjerë nga ata që janë propoganduar dhe propogandohen prej mbi gjysëm shekulli.

Dy janë librat që pretendojnë se e kanë zgjidhur problemin e flamurit të 1912-ës: ai i Prof. Dr. Valentina Duka: Histori e Shqipërisë 1912-2000 (faqe 20-23) dhe ai i Jaho Brahaj-t: Flamuri i Kombit Shqiptar (faqe 118). Në sitet e internetit, kur flitet për flamurin shqiptar, gjërat janë shtjelluar sipas idesë të librit të dytë çka do të thotë se autorët janë të njëjtë.

I pari përshkruan të gjithë historinë e Flamurit shqiptar të ngritur në Vlorë më 1912, sipas të cilit varianti i kohës së monizmit është i lidhur me emrin e Marigo Pozios, por i copëtuar sipas dy ngjarjeve të ndryshme ku emri i sipërpërmëndur është sinonim i Flamurit, ku sipas variantit të dytë autorja e Flamurit na ishte vetëm transportuesja e saj. Autorja nuk na tregon variantin para monizmit dhe kush ja dha Marigo Pozios qëndisjen e Flamurit të Ismail Qemalit Por sipas studimit të autores së librit të mësipërm rezulton që ekziston një variant krejt tjetër për tjetër ku emri i Marigo Pozios nuk ka asnjë lidhje me Flamurin e ngritur në Vlorë. Gjithëshka i dedikohet Don Aleandro Kastriotit, i cili na ia kishte dhuruar Eqerem Bej Vlorës (pretendohet se i është dhënë bejlerëve të Vlorës, për këtë shih Përpjekja Shqiptare, f. 11, artikulli i Jakov Milaj: Zonja Marigo dhe Flamuri Kombëtar, GH) një flamur dhe ky i fundit ja kishte dhënë Ismail Qemalit për ta ngritur më 28 Nëndor 1912 në Vlorë. Për këtë ekzistojnë dhe dokumenta, pronë e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Fakti që profesoresha e historisë nuk përmënd polemikën për këtë temë, sipas këtij versioni, midis studiuesve shqiptarë të para 1944-ës duhet të tregojë për një mangësi në materialin e saj dhe dyshimin mbi saktësinë dokumentare të përdorur. Këtë material të injoruar zonja profesoreshë mund ta gjejë në faqet e revistës kulturore Përpjekja Shqiptare të Branko Merxhanit, janar 1938, ku përmëndet dhe personazhi i saj. “Fatkeqësisht” ky flamur ishte djegur nga qeveria Vorioepirote e Delvinës në vitet 1914/15 dhe sot nuk ekziston në asnjë lloj forme deri në atë masë sa kërkush nuk ja di as formën dhe as llojin e stilizimit të shqiponjës.

Por si duhen interpretuar faktet që na jep Jaho Brahaj në librin e tij ku nuk mungon edhe pamja e flamurit të ngritur në Vlorë më 1912 (faqe 118, por që autori bën një akrobaci duke e emërtuar “forma grafike e Flamurit Kombëtar Shqiptar, që u lartësua në Vlorë nga Kuvendi Kombëtar, më 28 Nëndor 1912)? Sipas këtij autori forma e Flamurit të 1912-ës është ajo e paraqitur në fig. 1. Atëhere kë duhet të pranojmë: historianen të mbështetur në dokumenta të sakta, sipas saj, apo autorin e librit mbi flamurin të pa mbështetur në dokumenta? Kë duhet të besojmë në këtë rast, pasi autori i parathënies, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, ka bërë një paralajmërim sipas të cilit “kjo literaturë (ku mbështetet kjo monografi, GH) është dhënë me kritere shkencore dhe me saktësi, pa lënë rast për ekuivoke”? Edhe tek ky autor ekziston informacioni mbi Aladro Kastriotin, i cili i paska dhënë Ded Gjo Lulit, me anë të Preloc Prekë Kisit, një flamur të madh mbi 2 metra të cilin e ngriti përballë Tuzit më 1906 (f.109-110).

Që dikush, nga dy autorët e mësipërm, ja fut në tym as që e diskutoj, por unë kam frikë që në tym ja kanë futur të dy autorët pasi materialet e publikuara nga ata as që kanë lidhje me ngjarje historike, por mbështeten në katrahuren që sajoi komunizmi enverist duke qënë në kontradiktë me ngjarjet reale të ndodhura në territorin e banuar nga shqiptarët dhe jo rrallë herë në kundërshtim me ligjet e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Analiza e tyre mbështetet në “historinë” e krahinave të tyre a thua se Shqipëria kufizohet në to dhe anashkalohet pjesa realisht shqiptare me histori milionavjeçare. Dmth autorët e mësipërm kanë tentuar t’i krijojnë histori krahinave shqiptare pa histori duke mohuar krahinat me histori. Është kjo e fundit që më ka detyruar t’i kthehem problemit të Flamurit pasi të vetëquajturit “historianë” pretendojnë për një panoramë hapsinore krejt tjetër për tjetër. Pra ka një të vërtetë jo vetëm të ndryshme, por edhe të kundërt ku çfaqet shpirti patriotik shqiptar i autorëve të Flamurit dhe mbrojtësve të Tij.

Por si është historia e Flamurit Kombëtar Shqiptar të ngritur në Vlorë më  1912  dhe si lidhet me Flamurin që kemi sot, sidomos me stilizimin e shqiponjës në Stemën e Republikës së Shqipërisë (fig. 2)? Pikërisht për të fshehur këtë lidhje dhe mënyrën se si është kaluar nga Flamuri i shpalljes së Pavarësisë në Flamurin e sotëm janë sajuar këto libra që emërtohen studime, dhe është sajuar stilizimi i paraqitur në fig.1. Qëllimi i publikimit të librit të Jaho Brahaj-t  është fshehja e autorëve të vërtetë të stilizimit të shqiponjës që ka sot Stema e Republikës, pa çka se ai bie ndesh me një pjesë të ideve të historianes Valentina Duka. E vërteta e stilizimit të shqiponjës sot, në  Flamurin tonë Kombëtar, është një turp për mashtruesit e historisë së  Shqipërisë pas 1944-ës duke na argumentuar mënyrën se si është përdorur historia përgjatë 45 vjetëve të sundimit komunist.

(foto 1)
(foto 2)

Duhet pranuar që në fillim se ekzistenca e një tradite mbi shqiponjën dy krenore – dy krena (jo krenare, siç pretendon Jaho Brahaj…f. 8) është e lidhur me emrin e Gjergj Kastriotit dhe aspak me një kult iliro-shqiptar. Po të filtrosh praninë e shqiponjave në veprimtarinë shoqërore të banorëve vëndas, dmth sipas trinomit iliro-arbërve-shqiptarë, përgjatë 3000 vjetëve do të arrihet në përfundimin se ato nuk janë produkte të vëndasve, por të relatorëve me banorët e sipërpërmëndur për faktin më të thjeshtë fare: trinomi ilir-arbër-shqiptar nuk e ka njohur politeizmin, mbi çbazë fillon ekzistenca e shqiponjës. E bukura është që kulti i natyrës, besimi autokton i vëndasve nuk e ka shqiponjës si pjesë të perëndive pagane. Është një problem i thjeshtë, por që është vështirësuar  ne Shqiperi nga manipulatorët e historisë. Fakti qe shqiponja ka qene pjese e formacioneve luftarake romake eshte i mjaftueshem per te çveshur popullaten iliro-shqiptare si pronaren fillestare shpikese te shqiponjes ne stemat dhe flamuret. Eshte tjeter pune pse shqiponjat çfaqen ne flamuret dhe stemat e prijesve arberore ne mesjeten europiane. Gjitheshka duhet t’i dedikohet Perandorise Bizantine dhe Kryqezatave europiane kundra Lindjes se Aferme. Jane mbeturinat e ketyre kryqezatave qe bashkeshoqerojne flamujt e prijsave arberore duke i dhene pamjen e princave feudale mesjetare, por qe kane realizuar dhe mashtrimin e madh ne historine e popullit shqiptar dhe pengesen kryesore të vërtetimit te lidhjes shqiptaro – ilire.

Historia e Flamurit te ngritur ne Vlore me 1912 e fillon rrugen e vet me 06 prill 1911 tek Kisha e Traboinit ku Kol Ded Gjoni, i biri i Ded Gjo Lulit, shpalosi Flamurin kuq e zi, për herë të parë mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit, duke ju drejtuar njerëzve:

 

“Shiqo popull! Nji ky asht flamuri i Shqipnisë, i kuq me shqipe me dy krena”.

 

Atë ditë edhe Dok Ujka te Kisha e Grudës e Prel Luca në Triesh ngritën flamurin e Shqipnis (Kolec Traboini, Lufta e Maleve 1911, f. 127). Bëhet fjalë për flamurin e paraqitur në  fig. 3 (marrë nga libri: Gjurmë të historisë kombëtare në fototekën e Shkodrës, f. 122, libri i Kolec Traboinit…f 104 apo Jaho Brahaj-t….f. 110). Historia e këtij Flamuri është i lidhur me emrin e mësuesit të ri, për atë kohë, Palok Traboini (1888-1951) i cili solli nga Austria, përmes Dalmacisë, tre flamuj të tillë, njëri prej të cilëve është pikërisht ai i ngritur në Deçiq dhe paraqitur në fig. 3.

(foto 3)

Ngjarja është e përshkruar në një poemë epike me titull: Lufta e Maleve, me autor Palok Traboini kulmi i së cilës paraqitet në vargjet:

 

“Rrnoftë flamuri e rrnoftë Shqipnija,

                                       orën çuet e ka Malsia!”

 

I them të gjitha këto për t’i treguar lexuesit se ngjarjet e atyre kohërave janë përshkruar në poemën epike më 1911, shkruar në Prizren, nga vetë pjesmarrësi kryesor në atë luftë dhe detyrimisht nuk kanë si të kenë fije dyshimi mbi vërtetësinë. Për Flamurin e Shqipnis, në majën e Deçiqit, kane dhënë jetën shtatë trimat e Kojës në luftë kundër forcave turke, për të cilët në Sh.B.A është ngritur një lapidar në shënjë nderimi dhe respekti (Kolec Traboini, Lufta e Maleve, f.24).

Qenë anëtarët e nderuar të Kishës Katolike Shqiptare që vunë dyshimin mbi barazinë e stilizimit të shqiponjës në atë flamur me atë të Gjergj Kastriotit, pasi kanë qënë pikërisht këta klerikë që e kishin vizituar varrin e Kastriotëve në Kalabri të Italisë dhe dinin më tepër. Në ndihmë u erdhi kleriku Dom Mark Vasa (edhe sot në Vlorë thonë: tek Dom Marku), i cili solli skicimet e stlizimit të shqiponjës të varrit të Kastriotëve ku  përfshihej  vula  dhe  shqiponja e flamurit  te  Gjergj  Kastriotit  (fig. 4, 5, marrë nga libri i Jaho Brahaj-t….f. 64, 67),  ku  së bashku me Petro Fotografin (Petro Dhimitri) përgatitën stilizimin e shqiponjës në Flamurin e Ismail Qemalit (sipas: Përpjekja Shqiptare, Nr 13, f. 12). Është ky stilizim që qëndiset në dy pika të Shqipërisë, njëra në Vlorë nga Marigo Pozio (shpalosur më 1912) dhe tjetra në Shkodër nga Bernadina Marubi-e bija e gjeniut patriot të fotografisë shqiptare (shpalosur më 1914). Autores së parë, Imzot Vinçenc Prenushi, OFM, i kushtoi romancën e pavdekshme “Gruaja Shqiptare” (Përpjekja Shqiptare,Nr 13, f. 12- në libër merret si hipotezë sentimentale), pa dyshim kryevepra e letërsisë shqiptare, në këtë gjini, për të gjithë kohërat. Jam i detyruar e nderuar historiane t’Ju a rikujtoj:

 

“……………….

Merr pelhurën, qi pat enë

Bija e sajë; kishte pasë kenë

Kuq e zi e m’të qindisë

Gjen dashtnin qi e kisht’molis

N’krye të flamurit kisht’punue

Për rreth shqypje, m’dorë prarue,

Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:

Se Shqypnia asht e Shqyptarëve;

E nder skaje fjalët “liri”

Me ket flamur kuq e zi

Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi.

Qi, pat njofët tjetër dashtni,

Ishte shkri veç për Shqypni

……………………………………….

Pse, po kje qi,si kjo bi,

Rriten vashat në Shqypni.

N’vend do shkojë-o fjala e t’Parëve,

Se Shqypnia asht e Shqyptarëve.

Lidhniu tok, si bajshin motit

Ato bijat e Kastriotit,

E broh’ritni n’gzim e n’vajë:

Rrnoftë Shqypnia e flam’ri i sajë.

 

A e kuptoni e nderuar historiane që kjo romancë është dokumenti më i saktë se kush e ka qëndisur Flamurin e Ismail Qemalit më 1912 dhe e anashkalon pronën e Ministrisë së Jashtme të Shtetit Shqiptar që nuk habitem mund të jetë e sajuar?

Për të ditur se si ka qënë forma e atij Flamuri nuk është e vështirë të zbulohet, pasi familjarët e autores së qëndisjes të Flamurit të ngritur në Kala të Shkodrës më 1914 ja dhuruan Muzeumit Historik të Shkodrës rreth vitit 1978, pak vjet pasi patën dorëzuar edhe fototekën Marubi. Pamja e atij flamuri tregohet në fig. 6.

Po të krahasojmë këtë flamur me pamjet e vulës dhe flamurit të Kastriotëve do të dallojmë ngjashmërinë e stilit të shqiponjës dhe kjo duhet të tregojë se si ka qënë Flamuri ditën e 28 Nëndorit 1912 në qytetin e Vlorës. Më duket se ai është tepër larg stilizimit të paraqitur në librin e Jaho Brahaj-t dhe duhet të jetë kjo arësyeja përse këto të dhëna nuk përmënden në librin e tij.

(foto 4)
(foto 5)

Boshllëku statistikor që përshkruan librin e autorit të mësipërm është jo vetëm i qëllimshëm, por ai fsheh dhe arësyet përse është publikuar libri i tij. Autori ka meritën se ka propoganduar llojet e stilizimit të shqiponjave në flamurët që kanë bashkëshoqëruar politikën shqiptare në vitet 1912-1939, çka duhet të shërbejë për të treguar anën pozitive të punës së tij. Karakteri dualist që çfaqet në librin e tij bie në sy në heshtjen ndaj shumëllojshmërisë së stilizimeve të përdorur në atë kohëra dhe autorët e tyre. Nuk është i mjaftueshëm vend përdorimi i tyre dhe autorësia e disa prej tyre (f. 129-136) ku bie në sy dhe fshehja e stilizimit kryesor të përdorur nga fashizmi italian.

Të gjitha këto dallohen po të analizohet rruga se si është kaluar nga stilizimi i shqiponjës në Flamurin e ngritur në Vlorë më 1912, në stilizimin e shqiponjës në flamurin e përdorur nga komunizmi.

Unë pretendoj se ky është një problem  i një rëndësie të veçantë për historiografinë shqiptare të sotme, pasi argumenton arësyet përse është përdorur historia në apokën e diktaturës dhe përse përdoret sot.

(foto 6)

 

Do të dallojmë se ndryshimi është vetëm sasior dhe historianët shqiptarë janë të paaftë të shkëputen nga shkolla e tyre formaliste dhe antishqiptare; kjo jo vetëm për faj të shkollës së tyre dhe filozofisë politike, por për faktin më të thjeshtë fare: janë të keqarsimuar që në barkun e nënës. Problemi i stilizimit të shqiponjës në Flamurit tonë Kombëtar sot e ka një të fshehtë të vogël, që, po të zbërthehet, do të tregojë fare hapur  lidhjen e komunizmit shqiptar me fashizmin italian jo vetëm në ngjashmërinë sociale, dmth filozofike, por, kryesisht, në atë statistikore, dmth politike. Shumë ngjarje nuk janë tamam ashtu siç thuhen dhe stilizimi i shqiponjës në Flamurin tonë Kombëtar është i aftë të zbërthejë njërën prej tyre.

Kur italianët fashistë shkelën Tokën tonë më 07 prill 1939 gjënë e parë që bënë eleminuan stilizimet e shqiponjave nëpër stemat dhe flamujt e shumtë shqiptarë duke marrë kryesisht njërin prej tyre dhe i vendosën sopatat e liktorit (fig. 7). Ishte ky stilizim që ju bashkangjit monedhave  të  tyre,  duke  treguar  dhe  një  lidhje  të këtij stilizimi me atë të përdorur në kohën e mbretit Zogu I-rë, ku dhe duhet të qëndrojë e gjithë e panjohura mbi këtë lloj stilizimi.

Rëndësia e këtij stilizimi nuk qëndron në përmbajtjen e tij se sa në ngjashmërinë absolute që ai ka me stilin e shqiponjës të përdorur nga komunistët. Është kjo arësyeja përse fig. 7 është vendosur pranë fig. 2 (ngjashmëria është e padiskutueshme). Pyetja është shumë e thjeshtë: përse komunistët nga të gjithë stilizimet e shqiponjës të përdorur në kohën e mbretit Zogu i I-rë muarën pikërisht atë të përdorur nga fashizmi italian dhe jo një tjetër? Ku qëndron djallëzia e përdorur? Nuk na habit heshtja e historiografisë së sotme për këtë problem, por na habit këmbëngulja e historianëve të sotëm për të anashkaluar problemin duke  e  shtrëmbëruar  atë.  Kjo  përbën  të  pafalshmen  në  adresë  të   tyre  dhe  karakterin spekullues të ekzistencës së profesionit që mban emrin: historian.

(foto 7)
(foto 2)

Nuk ka rëndësi statistika historike në këtë rast, por kryesorja qëndron në ndërgjegjen e ngjarjes, ku është anashkaluar ndërgjegjja kombëtare e atyre që e formuan Flamurin Kombëtar Shqiptar me emrin: Kleri Katolik Shqiptar. Ka ardhur koha t’u themi shqiptarëve se Heroi ynë Kombëtar ka mangut subjektin e tillë, i vetmi që mund t’i qëndrojë përkrah për të gjithë periudhën e Kastriotit dhe pas vdekjes së Tij. Kleri Katolik Shqiptar dhe Gjergj Kastrioti përbëjnë një unitet të pandashëm në qëllim dhe vepër. Ata janë truri dhe dora e Shqipnisë. Ja përse janë sulmuar qoftë Kleri Katolik Shqiptar, qoftë Gjergj Kastrioti.

 

Tiranë, më 14.04.2009