Artikuj

76- Cfare mund te mesoje nje shqiptare per nje ore ne Ferizaj? 26.01.2014

Posted by Genc Hoti

Loading

76 – Cfare mund te mesoje nje shqiptar per nje ore ne Ferizàj?

Kush ka pasur rast te udhetoje neper Shqiperi natyrisht do te ngreje supet me kete pyetje: E cfare mund te mesohet per nje ore ne nje kafe te cfaredo te cdo qyteti shqiptar? E per Ferizajn kjo pyetje ka shume kuptim po te kihet parasysh se do te takosh Ibrahim Hysenin (Goga) mesuesin veteran te ketij qyteti, qe me 24 gusht te ketij viti mbush plot 81 vjet. Miku im nga ky qytet, Rexhep Halilaj (paraardhesit e tij jane te vendosur ne fshatin Halilaj te Fierit) – shkurt Rexha, me kishte thene disa here te takoja mesuesin e tij te fillores pasi prej tij mund te mesoje shume e shume gjera te paditura per Ferizajn e Kosoven. Rasti u krijua me 19 janar 2014 ku ne kafe Bubba Bar me pronar Valon Koxha, ne ora 10 te mengjesit takova per here te pare mesuesin Ibrahim Hysenin (Goga), per familjen e cilit kisha lexuar se ishte me e vjetra e qytetit dhe themeluese e ketij vendbanimi ne gjysmen e pare te shek. te XIX-te, qe asokohe njihej si ngaster e fshatit Nikadin; – Ferizaj njihet si qyteti me i ri i Kosoves  dhe familja Goga kishte gjashte pjestare te familjes pa shenja varri nga terrori serb(Enver Zhinipotoku, Portrete te anatemuarish, f. 37, Prishtine 2010).

Nje babaxhan tipik shqiptar, teper i thjeshte me nje fytyre te rrumbullaket me mustaqe qe te ngjallte nje besim dhe dashuri per jeten e cdo shqiptari ne Kosoven e Lire, u prezantua thjeshte si nje mesues i lendeve te shkencave natyrore. E une, i entuziasmuar nga ajo qe kisha pare nje dite me pare ne shpellen e Gadimes, nuk fola asnje fjale dhe me gjysem zeri i thashe emrin tim qe ai e kishte mesuar nga Rexha. Fjala e pare e mesues Ibrahim Hysenit ishte stacioni i trenit ne Ferizaj (financuar nga Turqia) per te cilin me tha se ishte ndertesa me e vjeter e qytetit dhe themelet datoheshin te vitit 1873 (fotografine e ketij stacioni e kishte vendosur ne kapakun e librit qe kishte shkruar per qytetin e tij, Ferizajn). Duke me treguar librin me tha se ishte nje foto e vitit 1920 dhe mungesa e kishes ortodokse ne krah te xhamise tregonte se objektet e kultit ortodoks ishin ndertuar pas formimit te Jugosllavise Mbreterore, dmth pas vitit 1919.

Me pas u hodhem ne historine arsimit ne kete qytet, qe ishte dhe kerkesa e pare e imja. Mesues Ibrahim Hyseni pranonte qe shkolla e pare shqipe zyrtarisht ishte hapur me 1941 me inisiativen dhe vendimin e Ministrit te Arsimit ne Qeverine e Tiranes, Ernest Koliqit dhe si date merret 27 Nentori 1941 si dita e pare e tremujorit te pare te vitit shkollor 1941-1942 ne shkollen fillore “Ismail Qemali”, qe me vone (1961) ndryshoi emrin ne “Tefik Canga”, emri i deshmorit te levizjes antifashiste nga Shkodra. Themeluesi i kesaj shkolle konsiderohej mesuesi vendas Shaban Shaqir Vata (1915-1979). Sipas tij mesuesit e pare nga Ferizaj kane qene: Gjina Karasani – Arni dhe Anica Lora. Interesant ishte qe Ministria e Arsimit ne Tirane pat derguar nje numer te konsiderueshem mesuesish per te organizuar procesin mesimor. Mesues Ibrahim Hyseni fliste me shume respekt te thelle per mesuesit nga Shqiperia, te cilet i kishin dhene mesimet e para mbi Gjuhen Shqipe. Emrat e Petro Papakosta nga Gjirokastra, Ymer Shypheja nga Elbasani, Bashkim Karagjozi nga Gjirokastra, Fadil Idriz Hoxha nga Shkodra (ky mesues ka qene dhe drejtori i pare i kesaj shkolle), Koco Koca nga Gjirokastra, dhe Franc Kurti nga Shkodra ishin jo vetem mesuesit e tij, por dhe emrat qe ai kishte kerkuar se pari ne Shqiperi kur erdhi pas 1999.

Emri i fundit u be objekt diskutimi, pasi mesues Ibrahimi Hyseni me tha se ne Ferizaj ndodheshin disa familje te besimit katolik dhe me permendi pikerisht familjen Kurti dhe ate Serreqi. Familja e pare kishte nxjerre nga gjiri i saj Dom Shtjefen Kurtin (1898-1973), klerikun qe tronditi mbare Evropen ne vitet 80 kur, kjo e fundit, mori vesh se ishte pushkatuar pse pagezoi nje femije. Kur me foli per Dom Shtjefnin ishte i revoltuar dhe interesantja qendronte ne ate se kur banoret e Ferizajt e kishin marre vesh kete krim kishin filluat ta shikonin figuren e Enver Hoxhes dhe qeverine e Tiranes me tjeter sy.

Ne funksion te ketij ndryshimi e pyeta: Po per kollonen me shqiptaret e Kosoves qe kaluan neper Shqiperi dhe qe e lidhin me Masakren e Tivarit cfare mund te me thuash? E pashe drejt e ne sy per te kuptuar reagimin pasi me interesonte jashte mase pergjigjja. Jashte cdo parashikimi ma ktheu shikimin dhe serbes e serbes me tha: Ata te shkrete i vrate ju dhe ky ka qene nje krim i perbindshem i komunizmit shqiptar ne bashkepunim me serbet. E kuptova qe mesues Ibrahim Hyseni kete problem e dinte sakte dhe nuk ishte nevoja per sqarime te metejshme. Atehere nderrova teme dhe i thashe qe gjyshja ime nga babai ishte pikerisht nga famija Serreqi ne Shkoder dhe diskutuam mbi lidhjen e mundeshme te tyre nga pikepamja gjenetike.

Ne kete menyre kaluam tek familjet qe kishin populluar qytetin nder vite. Hapi librin qe kishte shkruar per qytetin e tij (Ferizaj 1873-1944, Ferizaj 2013, ribotim) dhe me citoi kujtimet e tij: “Pervec shtepive te vendasve shqiptare, qe jetonin prej kohesh te familjeve Goga, Qenani e Nazifi, rreth 40 shtepi ishin serbe, me se shumti te ardhura nga Prizreni, rreth 20 shtepi vlleh (cincar), qe kishin ardhur nga regjioni i Manastirit, 20 shtepi shqiptaresh katolik te ardhur nga Prizreni dhe Shkodra, 50 shtepi romesh, rreth 100 shtepi te muhaxhereve boshnjak, te ikur nga Bosnja dhe hercegovina pas pushtimit austro-hungarez, nja 60 shtepi te muhaxhereve shqiptare te ikur nga Serbia pas vitit 1878 dhe disa shtepi shqiptaresh te shperngulur ne Ferizaj nga fshatrat e rrethines” (f. 10).

Pastaj e pyeta per historikun e familjes se tij, Goga. Mesues Ibrahimi pretendonte se familja Goga ishte me origjine te larget nga viset veriore  te Shqiperise, nga Malesia e Madh, fshati Muraj. Patronimi Goga eshte mjaft i perhapur ne ate ane dhe do te thote gurgdhendes e murator. Aty nga fillimi i shek. XVIII-te disa nga familjet Goga jane shperngulur nga vendlindja e tyre dhe pasi kaluan nje kohe duke kerkuar kushte me te mira per jetese ne viset etnike shqiptare, te cilat gjendeshin nen sundimin turk, dalin ne Rrafshin e Kosoves dhe aty shohin te ardhmen e tyre. Keto familje, gjate rrugetimit te tyre, nje kohe jane ndalur ne fshatin Jezerc dhe pas nje qendrimi te shkurter aty, kalojne dhe vendosen ne treven e sotme te Ferizajt, per te jetuar gjithmone ketu (f. 18-19).

Kur erdhi puna tek familjet katolike hapi perseri librin dhe me permendi familjet katolike qe kishin ardhur qe ne fillimin e lulezimit te Ferizajt duke qene te profesionit zejtare. Me permendi emrat e kryefamiljareve te familjeve me te njohura katolike te Ferizajt qe vazhdonin te jetonin ne kete qytet: Anton Kurti – farmacist, Anton Gjoni – bukepjekes dhe piktor, Bate Kajtazi – nepunes, David Kurti – teneqepunues, Dede Gjini, Dede Prenk Palaj, Zym – bukepjekes, Dedush Ndoi – punetor, Franc Dedushi – kepucar, Filip Toshi – nepunes, Gap Gllasniqi – tregetar, Gap Shahini – tregtar, Gjergj Kurti, Gjergj Serreqi i ati i Gjon Serreqit – profesor, i burgosur politik dhe i denuar me vdekje si kryetar i organizates Nacional Demoktare Shqiptare – veprimtar  i ceshtjes kombetare. Lista ishte e gjate edhe me 40 kryefamiljare te tjere.

E nderpreva dhe i kerkova informacion per familjet serbe dhe malazese. Sipas tij numri me i madh i familjeve serbe dhe malazeze kane qene tregtare dhe zejtare. Kryesisht ne Ferizaj kane ardhe nga vende te ndryshme te Kosoves dhe nga vise te tjera midis dy luftave boterore duke qene thjeshte kolonizatore. Me permendi rreth 60 emra familjesh, emrat e te cileve i kishte shenuar ne liber (f. 70-71).

Muhabeti i embel me mesues Ibrahimin kaloi perseri tek shkollat, tema e se ciles i pelqente me teper jo se ishte vete mesues, por postulati i tij ishte: thelbin e zhvillimit te nje popullate e perben arsimimi, kjo eshte pasoja direkte dhe me e rendesishme e te qenurit shqiptarit edhe pse jetonin nen sundimin politik turk, e me vone nen sundimin kriminal serb dhe ketu qendronte sekreti pse jemi shqiptare. Por qyteti i Ferizajt kishte pasur shkolla fetare prej kohesh ku mesohej gjuhe shqipe prej hoxhallareve. Prej vitit 1912 ne Ferizaj ka ekzistuar nje shkolle fillore katerklaseshe, ku mesimi behej ne gjuhen serbe. Ndertesa e pare shkollore eshte ndertuar ne vitin 1923. Ne kete ndertese prej vitit 1945 deri ne vitin 2010, plot 65 vjet, ka funksionuar shkolla fillore “Ismail Qemali” – “Tefik Canga”. Gjate viteve 1924-1928 ne Ferizaj ka ekzistuar gjimnazi i ulet privat, ne te cilin mesimet mbaheshin ne gjuhen serbe. Me vone eshte hapur edhe shkolla e mesme qe quhej shkolla qytetare (gradjanska shkolla). Shkollimi i femijeve shqiptare ne gjuhen serbe dhe shkollat fetare kane vazhduar deri ne vitin 1941, kur fillojne dhe hapen shkollat e para ne gjuhen shqipe.

Hapi librin dhe me tregoi publikimin e disa dokumentave te vjetra shkollore ku dallohej stema: “Mbretnija Shqiptare”; dokumenti kishte daten 1943. E pashe ne sy dhe i thashe: si ka mundesi, a nuk kemi qene te pushtuar nga Italia fashiste? Qeshi: Nuk e di, shihe vete! Mbeta i habitur. Tani po e merrja vesh se i ashtequajturi pushtim fashist paska qene konsolidimi u Mbreterise Shqiptare, por se nen ke mbret ne dokumenta nuk thuhej. Formalizmi qendronte ne mungesen e emrit te mbretit apo ne pranimin e mbreterise shqiptare? A nuk eshte kjo nje pike e erret ne historine e messhekullit te XX-te? Cfare fsheh politika per ato vite ku dhe fillon realisht levizja komuniste e Enver Hoxhes?

E pyeta per pranine e dy institucioneve fetare prane njera-tjeteres ne te njejtin oborr: Xhamise se Madhe dhe Kishes Ortodokse. Ishte nje teme mjaft interesante dhe mesues Ibrahimi fliste me mjaft kompetence. E filloi historine e tyre me xhamite ku Ferizaj kishte pasur dy xhami, te cilat gjenden edhe sot. Xhamia e Vogel eshte ndertuar e para dhe thuhet se eshte e ndertuar nga familja e Ibrahim Boshnjakut me prejardhje prej Bihaqit te Bosnjes, ndersa Xhamia e Madhe eshte ndertuar pas betejes se Slivoves (1881). Pra te dy xhamite jane ndertuar ne kohen e Turqise, para viti 1912. Xhamia e Madhe ne vitin 1941 ushte rrenuar nga bombardimet e avioneve te Gjermanise Naziste e per rrjedhoje me 1943 pak me larg prej hekurudhe ku ishte xhamia e pare, ndertohet xhamia e sotme. Ne keto dy xhami detyren e imamit e kane kryer haxhi Ahmet Pllana, hafez Jusuf Ramadani, hafes Halim Carkaxhiu, mulla Syle Idrizi. Me i permenduri midis tyre ishte Haxhi Pllana qe te moshuarit e kujtojne si hoxhe te madh ne aspektin e diturise dhe njohjes se problemeve, terheqes ne ligjerata fetare ne xhami e gjetke po dhe mjaft korrekt dhe nganjehere edhe i ashper. I perkiste atyre personaliteteve fetare qe dha nje kontribut te madh per ndalimin e emigrimeve dhe te shpernguljes se shume qytetareve dhe fshatareve per ne Turqi.

Ferizaj ne kete periudhe i ka pasur dy kisha: Kishen Katolike dhe Kishen Ortodokse Serbe. Kisha e sotme Katolike eshte e ndertuar ne vitin 1926, por ajo ka pase ekzistuar edhe me perpara pasi ne kete kishe gjenden dokumenta, ne te cilat shihet se qe nga viti 1889 ne kete objekt kulti kryheshin pagezime dhe rregjistrime te femijeve te porsalindur. Fillimisht prifterinjte vinin nga Sllovenia e pastaj nga Shkupi e Prizreni. Ne mungese te lokaleve ritet fetare dhe aktivitetet e tjera arsimore dhe kulturore  zhvilloheshin ne shtepi private te besimtareve katolike. Prifterinjte e zellshem katolike angazhuan rinine  jo vetem katolike ne proceset sportive. Prifti i pare i Ferizajt ka qene Don Bartalomeo Fratelli dhe Don Tadej Ivani si ndihmes i tij. Pastaj erdhen Nikolle Mazreku dhe Don Luigj Kurti. Mesues Ibrahimi ju rikthye edhe nje here figures se Don Shtjefen Kurtit, i cili ishte bere prift me 13.05.1921 dhe kishte qene, sipas studiuesit francez Didier Rance, rrefystar i Nene Terezes. Se bashku me dy prifterinj te tjere, qe sherbenin ne fshatrat perreth Gjakoves, Don Luigj Gashi dhe Don Gjon Bisaku, mblodhen fakte dhe dokumenta qe do te perbenin donencimin kunder Serbise ne materialin historik Momeie ne gjuhen frenge, te cilen me 05.05.1930 do t’ja paraqisnin sekretarit te Pergjithshem te Lidhjes se Kombeve (sot OKB) me seli ne Gjeneve z. Erik Drymond. E mbylli panoramen mbi Kishat Katolike me figuren e Don Shtjefen Kurtit “ferizajasi yne nxenesi i shkelqyer i shkolles sone qe shpetoi nga serbet, por jo edhe nga shqiptaret”.

Per Kishen ortodokse serbe foli mjaft shkurt: ishte ndertuar ne vitin 1928-1931 ne oborrin e Xhamise se Madhe dhe vetem kaq. E kuptova qe ishte i mbushur me nje urrejtje ta pakufishme per nje rregjim qe i kishte torturuar shqiptaret per afro nje shekull ne menyren me teskajshme.

Pashe oren, kishte kaluar pa u ndjere afro nje ore kur befas me drejtoi pyetjen: a e dini se cfare eshte bifurkacioni? Ngrita supet edhe pse para dy vjetesh kisha qene tek lokali ne kompleksin turistik te bifurkacionit, por qe tani nuk me kujtohej as si emer. Mesues Ibrahimi filloi shpjegimin: eshte i vetmi lume ne Evrope (ekziston edhe nje ne Amerike Jugore ne lumin Kisikjare) qe buron ne nje pike dhe derdhet ne dy pika te ndryshme. Behet fjale per lumin Neredime  afer mullirit te Nikes, i cili ndahet ne dy pjese. Njera pjese e ujit qe rrjedh ne veri-lindje, derdhet ne mocalin e Sazlise e prej aty derdhet ne Sitnice, Sitnica derdhet ne Iber, Ibri ne Moraven Perendimore, Morava derdhet ne Danub, kurse Danubi derdhet ne Detin e Zi. Ndersa pjesa e dyte e ujit qe rrjdh ne drejtim te jugut shkon ne Kacanik, ku lumi i Neredimes derdhet ne Lepenc, Lepenci derdhet ne Vardar, kurse Vardari derdhet ne Detin Egje. Por gjeografet pretendojne se bifurkacioni i lumit te Neredimes eshte artificial dhe se eshte krijuar me ndarjen e ujit te lumit per tu shfrytezuar per bluarjen e drithit ne mullirin e Nikes. Nuk dihet viti, por ky bifurkacion ka ekzistuar qe nga mesjeta, para themelimit te Ferizajt dhe mullinjte para vitit 1873. Skema ne faqen 188 (fig. 1) eshte e ndertuar nga une ashtu sic ma ka marre mendja dhe nuk perputhet me gjendjen topogjeografike, por te pakten krijon nje ide se cfare eshte bifurkacioni dhe si paraqitet ai per rastin konkret. Kur erdha ne Tirane dhe kontrollova ne internet procesin ne fjale, pashe qe mesuesi Ibrahim Hyseni kishte bere nje pune jashtezakonisht te pelqyeshme edhe pse ishte ne moshe te thyer. A nuk tregon ky rast se cdo mesues shqiptar, kudo qofte ai, ka se cfare t’i tregoje brezave pasardhes per punen dhe jeten e tij?

fig. 1

Erdhi Rexha dhe m’u drejtua: “- kaloi ora 11, a do te nisesh per Shqiperi?” Ja bera me dore dhe u ngrita, por mesues Ibrahimi nuk me la. Me tregoi librin dhe shkroi ne faqen e dyte: I dhurohet mikut te nderuar z. Genc Hoti. Me respekt Autori, firma Ferizaj, 19.01.2014. Pasi ma dha ne dore me tha: – Cka biseduam i ke te gjitha ketu. E percolla mesues Ibrahimin Hysenin deri tek sheshi qendror ku ndodhej busti i deshmorit te UCK kushtuar 27 Nentorit 1968 diten kur filluan demonstratat per vetvendosje ne viset shqiptare nen pushtimin  jugosllav, per Kosoven Republike, per Universitet dhe per Flamurin Kombetar, inaguruar me 27 Nentor 2008 (ate dite, 2012,  kur eshte vendosur busti dhe erdhen udheheqesit e Shtetit te Kosoves, kam qene pikerisht ketu dhe kam bere disa fotografi).

Kishte kaluar plot nje ore dhe ne ate ore kisha mesuar gjitheshka qe ishte shprehur ne nje liber per te cilin autori kishte punuar muaj te tere. Ja perse shqiptaret kane rast te mesojne mbi Ferizajn vetem per nje ore ate qe historia ka bere per 140 vjet.

 

Tirane, me 26.01.2014

Related Post