Artikuj

36-Si e ndryshojnë historinë, posaçërisht , Ardian Klosi dhe të tjerët (pjesa e pare) 24.11.2009

Posted by Genc Hoti

Loading

36- Si e ndryshojnë historinë, posaçërisht ,

Ardian Klosi dhe të tjerët

                                    (vazhdim i asaj që shqiptarët e sotëm nuk e dinë nga manipulimet e historisë së djeshme)

Pjesa e parë

Në artikullin mbi triumfin Arbëror të Kastriotit akuzova përkthyesin e librit të Oliver Jens Schmitt si autorin e vërtetë të veprës mbi Gjergj Kastriotin dhe si shtytësin, së bashku me Fatos Lubonjën, e interpretimeve antishqiptare të asaj antivepre. Tani kemi rastin t’i tregojmë lexuesit tonë të nderuar se si e fallsifikojnë historinë Ardian Klosi në përkthim dhe interpretim, të paktën, në veprën e famshme të François Pouqueville: Histoire de la regeneration de la Grece (“Historia e ringjalljes të Greqisë”) mbi figurën e Ali Pashës së Janinës të botuar më 1825; apo Shtëpia botuese Almera, me përkthim të Ilirjana Angonit, në veprën L’Albania” (“Shqipëria”) të Fulvio Kordinjanos, origjinalin e të cilit (vëll. I) botim i vitit 1933, fatmirësisht e disponoj; apo historiani i artit Josif Papagjoni në historine e teatrit shqiptar e shumë e shumë të tjerë, të cilët ma sa kuptoj i kanë shpallur luftë të vërtetës shqiptare me pretendimin sikur çdo gjë fillon me epokën e komunizmit dhe ata janë ata kampionët e kësaj të vërtetë duke harruar se janë produkti më karakteristik i epokës komuniste me negativitetin dhe pozitivitetin e vet. Natyrisht nuk është fort e lehtë të përcaktohet se kush ka qënë pjesa negative e epokës së komunizmit enverist dhe kush pozitive. Por për një gjë duhet të jemi të gjithë shqiptarët të sigurtë: ka mundësi që kjo e fundit të mos ekzistojë.

Une nuk e disponoj origjinalin e librit të Pouqueville sipas botimit të atëhershëm, por kam përpara pikërisht botimin e vitit 2009 i cili nuk përputhet me origjinalin qoftë në titull, qoftë në emërtimin e emrit të Ali Pashës së Janinës nga ana e autorit dhe transformimin e tij në Ali Tepelena nga ana e përkthyesit, i cili i jep titullit të librit emrin e fëmijërisë (në qoftë se është e saktë). Dhe këtë e bën kaq hapur dhe kaq i sigurtë  sa harron qe edukata qytetare kërkon në këtë rast t’i kërkohej falje lexuesit për këtë ndryshim manipulues. Kjo nuk do të kishte ndonjë rëndësi të madhe nëqoftë se përkthyesi nuk do të kishte pasur guximin t’i bashkangjiste një pasthënie të tij, përmbajtja e së cilës përbën tendencën e ndryshimit të historisë së atyre anëve dhe të atyre kohërave. Çfarë kërkon të thotë me ketë përkthyesi i veprës, që tepelenasit e sotëm janë vazhduesit e tepelenasve të kohës së Ali Pashës së Janinës dhe shqiptarët duhet të rrinë të durojnë kamzhikun e ishkomunizmit, njësoj si paraardhësit e tepelenasve të sotëm duronin kamzhikun e tiranit të Janinës? E themi këtë pasi Tepelena e sotme është veçanërisht produkti më karakteristik i komunizmit enverist me të mirat dhe të këqijat e veta; kështu që njerëzit duhet ta pranojnë ashtu siç është dhe jo ashtu siç mundohet të na e imponojë autori i Enciklopedisë mbi Tepelenën, konkluzionet e të cilit janë me të vërtetë skandaloze dhe ne rezonancë të plotë me përkthyesin e veprës së famshme të    Pukëvilit. Problemi është thelbësor dhe është i lidhur me problemin e mëvetësisë së shqiptarëve në shekullin e XX-të dhe në paaftësinë e tyre për të realizuar këtë qëndrim politik, sidomos pjesa jugore e Shqipërisë së sotme, por që autorët shqiptarë postkomunistë shpikin një ide për të përmbysur pasojën e ngjarjeve historike të atyre anëve dhe për t’ja injektuar Ali Pashës së Janinës dëshirën për të formuar shtetin shqiptar (për këtë problem do të flasim në vazhdim). Fantazia e këtyre studiuesve është për tu admiruar, por harrojnë se gjërat nuk është mirë të shpiken në kundërshtim me ligjet e natyrës njerëzore. Për këtë të fundit studiuesit shqiptarë me sa kam kuptuar nuk janë kanë haberin në mënyrë absolute, rezultat i keqarsimimit të tyre universal, por dhe i keqdashamirësisë që i karakterizon, karakteristikë e botës fshatare prej nga e kanë prejardhjen e afërt.

Së pari përkthyesi i ka ndryshuar emrin Ali Pashës së Janinës, duke e nënquajtur Ali Tepelena. Në origjinal është Ali Pasha i Janinës dhe këtë përkthyesi e di shumë mirë. Dmth këtu kemi një tendencë me dashje dhe një qëllim të fshehtë. Përse duhet ndryshuar origjinali dhe të sajohet një mosqënie për autorin? E thënë me fjalë të tjera përthyesi kërkon t’i krijojë histori zonës së parë operative meqënëse kjo zonë nuk ka të tillë, pasi kjo e fundit fillon dhe mbaron me epokën e komunizmit. Gjërat duhen thënë siç kanë ndodhur dhe jo si na pëlqen ne të ndodhin, dhe kjo përbën sakrilegjin e parë të autorit. Tepelena e sotme ka vetëm dy tërësi ngjarjesh për të cilat mund të krenohet, vetëm se njëra është e sajuar dhe nuk ka luajtur asnjë rol në zhvillimin e krahinës, përveç faktit që mban emrin e një prej pashallarëve më me zë të Perandorisë Otomane; akoma më tej, kjo e fundit,  është përdorur si suport për të krijuar tërësinë e ngjarjeve dytësore (1939-1944) pas 1945-sës edhe pse une pretendoj se tërësia e ngjarjeve të viteve të sipërme janë të gjitha të sajuara në letër dhe aspak një realitet historik.

Të flasësh për Tepelënën nuk është fort e vështirë. Në qoftë se qyteti i sotëm e ka zanafillën (njëra hipotezë) tek Ali Pasha i Janinës, i quajtur fëmijë Ali Tepelena (Unë akoma nuk kam e gjetur identitetin e tij sipas ketij emertimi, duke përfshirë edhe Pukëvilin) deri në moshën 24 vjeçare ku u martua me të bijën e një pashai duke e transformuar në Ali Pasha i Tepelenës; emri i fundit u transformua në Ali Pasha i Janinës më 1788 kur u bë sundimtar i Janinës mbi çbazë njihet në të gjithë botën historike, por që titullin pasha e pati marrë që më 1784 kur u caktua me detyrë në Sofie (sipas Enciklopedise se Tepelenës mbi Ali Pashën e Tepelenës).

Ndërsa krahina e Tepelenës e ka zanafillën në kohën e fillimit të komunizmit kur u bë qëndër e një rrethi me këtë emër, të barabartë me Gjirokastrën. Po të bëjmë historikun politik të kësaj krahine komuniste do të kishim këtë panoramë:

Formohet nga Ali Pasha i Janinës, në kujtim të vëndlindjes së tij, në çerekun e fundit të shekullit të 18 dhe ka qënë gjithmonë (pas 1920) nënprefekturë e prefekturës së Gjirokastrës (ky është versioni që jep “Shqipëria e Ilustruar 1927”, ndërsa Enciklopedia e Tepelenës (2005), e krijuar nga pinjollët e komunizmit, jep versionin e prejardhjes së emrit të qytetit jashtë figurës të Ali Pashës së Janinës sipas katër varianteve ku varianti i katërt konsiderohet si më i qëndrueshme dhe që do të thotë “kodra e Helenës” sipas versionit të përkthyer nga turqishtja, por që nuk tregon në rrjedh emri i Ali Pashës nga Tepelena, apo emri i qytetit nga pashai i Janinës. E bukura është se kjo enciklopedi nuk u krijua në kohën e diktaturës, por në kohën e demokracisë. A nuk ka këtu një domethënie me pasoja?); ku kjo e fundit kishte këto dimensione sociale më 1927:

Gjinokastra (kështu e ka pasur emrin deri më 1945), prefektura, kishte 13 lagje, 1807 shtëpi dhe 9578 banorë. Ndërsa si rreth i qëndrës kishte 43 katunde, 5017 shtëpi me 25468 banorë. Si prefekturë Gjinokastra kishte 349 katunde, 23333 shtëpi me 145192 banorë të shpërndarë në nënprefekturat si më poshtë:

Përmetit, nënprefekturë, kishte 4 lagje, 604 shtëpi me 2718 banorë. Ndërsa si rreth i qëndrës kishte 49 katunde, 2578 shtëpi me 12574 banorë. Kjo nënprefekturë kishte në varësi dy krahina: atë të Këlcyrës me 31 katunde, 1335 shtëpi me 7257 banorë dhe krahinën e Frashërit me 25 katunde, 755 shtëpi me 3605 banorë. Totali i kësaj nënprefekture ishte: 105 katunde, 4668 shtëpi me 23436 banorë

Delvina, nënprefekturë, kishte 5 lagje, 356 shtëpi me 2526 banorë; ndërsa si rreth i qëndrës kishte 48 katunde, 3436 shtëpi me 16115 banorë. Në varësi në saj ishte dhe krahina e Sarandës me 18 katunde, 839 shtëpi me 4304 banorë. Totali i kësaj nënprefekture ishte 66 katunde, 839 shtëpi me 20419 banorë.

Libohova, nënprefekturë, kishte 12 lagje, 786 shtëpi me 2545 banorë; ndërsa si rreth i qëndrës kishte 28 katunde, 2477 shtëpi me 15824 banorë. Në varësi të saj ishte krahina e Poliçanit me 8 katunde, 1067 shtëpi me 3030 banorë.

Tepelena, nënprefekturë, kishte 2 lagje, 91 shtëpi dhe 275 banorë; ndërsa si rreth i qëndrës kishte 54 katunde, 3878 shtëpi me 18 223 banorë.

Nënprefektura e Kurveleshit, si rreth i qëndrës, kishte 14 katunde, 2261 shtëpi me 10665 banorë.

Nënprefektura e Çamërisë, si rreth i qëndrës kishte 31 katunde, 1921 shtëpi me

10485 banorë.

Në vitin 1927 jepet veprimtaria ekonomike e kësaj nënprefekture ku Tepelena kishte 5303 franga ari të ardhura, duke konsumuar 5233 të tilla. Nënprefektura e Tepelenës kishte një gjimnaz me 98 nxënësa meshkuj dhe 27 femra, 14 shkolla fillore me 495 nxënësa meshkuj dhe 130 femra ku numuri i nxënsave të detyruar për të vazhduar shkollën fillore ishte 2280. Në nënprefekturë kishte vetëm një mjek dhe asnjë dentist, mami apo farmaci. Kishte vetëm një zyre telegrafike, një postë, 5 makina, një telefon. Nënprefektura e Tepelenës kishte: 4000 hektar ara, 150 hektar vreshta dhe 350 hektar kopshte. Kishte 8000 hektar tokë të papunuar dhe 5000 hektar kullota. Ajo prodhonte: 1800 kuintal grurë, 17900 kuintal misër, 102 kuintal elb, 280 kuintal tërshërë, 140 kuintal okër, 70 kuintal duhan, 500 kuintal rrush, 200 kuintal vaj ulliri 30 kuintal fasule, 30 kuintal verë, 60 kuintal arra,  20 kuintal mjaltë, 80 kuintal patate, 10 kuintal lajthi, 7 kuintal bajame, 2 kuintal fshesa, 12 kuintal peshk. Kjo nënprefekturë kishte: 38667 krerë dhen, 30640 krerë dhi, 18000 krerë shqerra, 12000 krerë kecër, 3000 lopë, 500 viça, 2200 krerë qe, 3500 sqep, 1700 kuaj, 400 mushka 900 gomerë, 1200 pela. Prej këtyre bagëtive është marrë ky prodhim: 200 kuintal gjalp, 800 kuintal djath, 1386 kuintal lesh, 2500 uintal qumësht 40 kuintal kos, 500 kuintal mish 6000 kuintal lëkurë. Nënprefektura e Tepelenës kishte: 2600 rrënjë fiq, 860 rrënjë mollë, 2000 ullinj, 400 dardha, 300 ftonj, 1600 rrënjë shegë, 2000 mana, 6000 arra, 700 bajame, 100 lajthi, 6000 kumbulla. Kjo nënprefekturë kishte 49 mullinjsh dhe 49 punëtorë, 4 destila me 6 punëtorë, 1 fabrike rrasash me 3 punëtorë, 12 furra gëlqeresh me 18 punëtorë, 5 këpucari me 5 punëtorë, 3 rrobaqepësi me 3 punëtorë, 6 zdrukthtari me 6 punëtorë dhe 5 hekur punues me 5 punëtorë, 3 furra buke me 6 punëtorë, 4 kafene me 8 punonjës, 2 berberane me 3 punëtorë, 2 dyqane kasapësh me dy punonjës, 3 opingar me 3 punonjës, 2 dyqane nallbanësh me dy punëtorë, 5 dyqane qymyri me 5 punëtorë, 1 pijetore me  3 punëtorë, 2 hotele me 4 punonjës, 3 hane me 8 punonjës, 2 samarxhi me 2 punonjës, 6 dyqane bakalli me 10 punonjës, 4 dyqane kallajxhi me 8 punëtorë. Nga përmbajtja religjione nënprefektura e Tepelenës kishte 31 xhami, 39 teqe, 7 baballarë, 10 shehlerë, 30 dervishë, 30 kisha ortodokse me 6 priftërinj dhe 3 manastire. Nënprefektura e Tepelenës kishte 33 nënpunës të ndarë si më poshtë: 3 në administratë, 8 financë, 3 drejtësi, 15 arësim, 1 në zyrën botore dhe 3 në post-telegraf (të gjitha këto janë marrë nga Shqipëria e Ilustruar 1927).

Ndërsa kur doli Fjalori Enciklopedik shqiptar (1985) për Tepelenën thuhej se kishte 5092 banorë (sipas kësaj enciklopedie në shekullin e XVII Tepelena kishte 250 shtëpi; kjo duhet të jetë një shpikje) dhe ky qytet kishte qenë qëndër e rëndësishme e Luftës ANÇ. Sipas kësaj enciklopedia Tepelena deri më 1820 ishte rezidenca e dytë e Ali Pashës, pas Janinës (edhe kjo duhet të jetë një shpikje e shkollës komuniste). Ndërsa rrethi i Tepelenës kishte 46 100 banorë të shpërndarë në dy qytete, 66 fshatra të grupuara në 13 fshatra të bashkuara, popullsia në qytet 24,3% dhe në fshat 75,7%. Para çlirimit në Rr. e T. Kishte vetëm 13 shkolla fillore. Sot ka 11 shkolla të mesme, 74 shkolla  8-vjeçare, 59 kopshte. Ka 35 muze fshatrash, 4 shtëpi muze dhe muzeun historik të rrethit, 118 biblioteka. Zhvillojnë veprimtari 16 shtëpi kulture, 46 vatra kulturore, 2 kinema, 1 kinoklub. Ka 22 grupe teatrale (14 në fshat), 48 grupe estradash, 14 ansamble artistike, 186 grupe folklorike. Më 1938 kishte një mjek dhe një farmaci. Sot ka 6 spitale, 40 shtëpi lindjeje, 76 ambulunca, 16 klinika dentare, 9 farmaci, 1 laborator bakteriologjik (të gjitha këto sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, bot. 1985).

Ndërsa në vitin 1995 qyteti i Tepelenës kishte 2259 familje me 8765 banorë, 14 ndërmarje shtetërore, 1 kopësht fëmijësh, 16 ndërmarje të privatizuara, 17 firma private ndërtimi, 7 firma prodhimi, 1 firmë bujqësore, 1 firmë grumbullimi, 11 firma tragëtare, 352 aktivitete private ndër të cilat 100 në transport, 65 në shërbime, 48 të ushqimit social, 137 të tregëtisë dhe 2 në grumbullim. Ka një shkollë të mesme, 2 shkolla tetëvjeçare, 1 spital, 1 qëndër shërbimi epidemiologjik, 1 shtëpi kulture, 1 qëndër kulturore të fëmijëve, 1 muze historik, 1 poliklinikë, 4 klinika stomatologjike private, 4 farmaci private. Rrethi i Tepelenës më 1995 kishte 51 712 banorë, nga të cilët 17 599 në qytet dhe 34113 në fshat. Nga pikëpamja bujqësore rrethi i Tepelenës shtrihet në një sipërfaqe prej 81 734 ha., nga të cilat 13 055 ha. tokë bujqësore, 17 280ha. Pyje, 30 014ha kullota e livadhe dhe 21 417ha. sipërfaqe të tjera. Rrethi i Tepelenës në vitin 1998 kishte 11 879 ha. tokë bujqësore, 183 ha. pemëtore, 229ha. ullinj, 7ha. vreshta. Ndërsa nga pikëpamja blegtorale rrethi i Tepelenës më 1998 kishte: gjedhe gjithsejt 12 449 krerë ku nga këto 7 492 lopë, të leshta gjithsejt 112 469 krerë ku nga këto 77 810 dele, të dhirta gjithsejt 73 505 krerë ku nga këto 52 420 dhi pella, kishte 91 448 shpendë dhe 2 600 bletë (të gjitha këto janë marrë nga Enciklopedia e Tepelenës me autor Novruz Shehun, bot. i vitit 2005).

I tregova të gjitha këto për t’i krijuar lexuesit përmasën e zhvillimit shoqëroro- historik të kësaj krahine brënda 70 viteve, por brënda dy politikave diamentralisht të kundërta në qëllimin kombëtar. Përfundimisht, sipas këtyre të dhënave, raportet shoqërore të zhvillimit e nxjerrin epokën e komunizmit determinuese në planin sasior relativ dhe vetëm kaq. Ndërsa në planin absolut sasior (sipas raportit me individin) me keqardhje kostatoj se ky zhvillim, përgjatë epokës komuniste, ishte më i pakët se në kohën e Republikës Zogolliane edhe pse për bazë është marrë një etapë kohore prej katër vjetësh përtej epokës komuniste, por që autori i Enciklopedisë së Tepelenës nuk ka se si ta kuptojë këtë kur nuk ka marrë parasysh të dhënat e kaluara dhe nuk ka publikuar të dhënat e reja në raport me individin.

Rëndësia nuk qëndron këtu, por kryesisht në përparësinë që epoka e komunizmit i dha krahinës së Tepelenës duke e ngritur atë në rangun e  Gjirokastrës, por e gjitha kjo brënda propogandës politike, pasi në kuadrin e zhvillimit historik ndjehet inferioriteti edhe pse autori i enciklopedisë ka tentuar  t’i bashkangjisë Tepelenës produktin intelektual të Prefekturës së Gjirokastrës, siç është rasti i familjes së nderuar Dilo me prejardhje nga Labova ku veçohet Avokat Dr. Vasil Kostandin Dilo (1868-1959) veprimtaria e të cilit ishte e lidhur fillimisht me Çamërinë, Gjirokastrën dhe pastaj me Tiranën. Është kjo arësyeja përse kërkohet t’i krijohet histori kësaj krahine me anë të figurës së Ali Pashës së Janinës; pasi të gjithë zërat individualë fillojnë dhe mbarojnë pas Ali Pashës së Janinës.

Duke u rikthyer tek vepra e François Pouqueville “Historia e ringjalljes së Greqisë”, Tiranë 2009, marrim në analizë pasthënien e përkthyesit Ardian Klosi mbi figurën e Ali Pashës së Janinës, por duke nxjerrë më përpara, nga libri i mësipërm, dinamikën shoqërore të Ali Pashës së Janinës dhe paraardhësve të tij.

Shqiptarët e sotëm kujtojnë se duke mohuar një pohim mund të krijojnë një pohim të ri dhe të pranueshëm nga bota. Por harrojnë që bota flet vetëm një herë dhe ajo e ka thënë fjalën e saj për figurën e Ali Pashës së Janinës. Për të ndryshuar këtë imazh duhet ndryshuar bota dhe sidomos bota shqiptare të cilën produkti i komunizmit kërkon ta lërë në gjumë edhe për ca kohë të tjera. Vini re këmbënguljen e këtij produkti dhe si kërkojnë ta trajtojnë figurën e Ali Pashës së Janinës duke i ndryshuar historinë:

Sipas François Pouqueville shoqëria e atyre anëve në atë kohë ishte në një gjëndje barbarie ku mbretëronte njëfarë balance politike e mbajtur nga lidhje që i kaliste rastësia, të rregulluara nga forca e zakonit dhe të drejtuara nga një politikë instikti (f.19). Në këtë ambient lindi dhe u rrit heroi ynë, emri i të cilit ishte i lidhur me qytetin e Tepelenës (dmth Ali Pasha i Janinës nuk i ka dhënë emrin qytetit) i cili shpesh herë ishte objekt i vjedhjeve dhe grabitjeve të të jatit dhe xhaxhallarëve të tij (f. 14-15). Pas martesës së parë, filloi intrigat dhe vrasjet që i hapën rrugën drejt vendosjes së sundimit të vet në pjesën jugperëndimore ballkanike të Perandorisë Otomane. Pas vrasjes së kunatit të vet, duke parë që Porta e Lartë nuk po jepte ofiqet e tij, hyri në shërbim të Selim bej Kokës, pinjoll i njërit prej oxhaqeve më të larta të Japurisë. Edhe pse nuk i doli hesapi, emri i Ali Bej Tepelenës mori përditë e më shumë famë. Atentati që kreu, jo vetëm që nuk e damkosi me turp, por i dha popullaritet, në një vënd ku mbretëronte oklokracia (qeverimi i llumit) dhe ku krimet e bujshme i quajnë prova talenti; dhe diti t’i futej kaq bukur në zemër pashait të ri, saqë hynte e dilte në sarajet e tij si të ishte i biri, çka i dha në dorë mjetet për intrigat e reja (f. 28) duke u bërë bashkëpunëtor i pashait, i cili për dreq e për fat të keq në krah të vetin kishte njeriun me emrin Ali Tepelene, tradhëtar që vetëm gropën i dëshironte (f.29). Kështu shkruan për Pashain e Janinës njohësi më i afërt i tij.

Por çfarë ndodh? Mbas 170 vjetëve këto fjalë konsiderohen tendencioze dhe sipas autorit të Enciklopedisë së Tepelenës kurrsesi nuk mund të qëndrojnë versionet e studuesve të huaj për prejardhjen jo shqiptare të Ali Pashës dhe se karrierën e ka nisur si hajdut apo njeri i rëndomtë. Është një qëndrim qesharak, që mbahet zakonisht ndaj personaliteteve të mëdha të kombeve të vegjël (f. 657). Dmth sipas autorit tonë ne duhet të mos i besojmë njeriut që ka bashkëjetuar politikisht me Ali Pashën e Janinës, por një produkti komunist me një intelekt të dyshimtë kulturor. Ky dyshim lind ngaqë autori i enciklopedisë tepelenase i atribuan shqiptarëve një komb dhe e bën Ali Pashën e Janinës personalitet shqiptar kur ai jo vetëm që nuk i ka bërë mirë Shqipërisë në asnjë hallkë të zhvillimit të saj, por, përkundrazi, i ka bërë kaq keq sa kur erdhi puna për ndarjen e kufijve të Jugut të Shqipërisë për bazë u muar kufiri i nënndarjeve të vendosura nga Ali Pasha i Janinës (Protokolli i Firences, 17 dhjetor 1913).

Interesant është fakti se autori shqiptar nuk pranon vetëm keqemërtimin e figurës së Ali Pashës, por pranon veprimtarinë antishqiptare të këtij të fundit, të cilën me sa duket nuk e ka kuptuar dot. Sipas autorit francez pashai i Janinës sundoi për një kohë të gjatë në Greqi dhe e mbushi skenën deri në atë shkallë, saqë Greqia u përgatit për fatin e vet të lartë nën hijen e ambicjes së këtij tirani (f. 9), kur nga ana tjetër pranon që Greqia nuk u përzie asfare në shkundullimat që rrokën Turqinë e që morën fund me Traktatin e Eks-la-Shapelës (f. 11). Autori i Enciklopedisë së Tepelenës, për këtë problem, pranon se nga viti 1820-1822 për rreth dy vjet kryhet përballja e madhe e Aliut me Perandorinë. Paralelisht ndihmon lëvizjet çlirimtare të popujve të Ballkanit e veçanërisht kryengritjen e popullit grek (f. 658). Atëhere për çfarë personaliteti shqiptar bëni fjalë zoti Novruz Shehu? Akoma më keq, për çfarë pasaporte identiteti bëni fjalë i nderuar zotëri (f. 12 e Enciklopedisë së Tepelenës) kur bota e Tepelenës lidhet, nga ana Juaj, ose me botën e një krimineli shumëpërmasor, ose me krimin e një bote thellësisht antishqiptare, siç ishte bota e komunizmit që shumë tepelenas i kanë shërbyer pa ndërgjegje vetëm për bukën e gojës. Mos merrni përsipër justifikimin e krimit të një pakice tepelenase për t’i dhënë lavdi shumicës së paditur. Me sa kam kuptuar ky ka qenë qëllimi i botimit të kësaj enciklopedia që ka vetëm vlera politike, por aspak kulkturore. Keni vazhduar punën përçarëse të një grupi njerëzish që kanë punuar dikur në organet e krimit komunist dhe kjo nuk është gjë e mirë. Fakti që ideje Juaj përputhet në thelbin e saj me idenë e përkthyesit Ardian Klosi duhet të merret me mënd se çfarë përfaqësoni Ju me këtë veprimtari, të vetëquajtur Enciklopedi dhe kujt i shërbeni.

Pasthënia e përkthyesit është një mpleksje e pohimit me mohimin ku kjo e dyta jo vetëm që nuk del hapur asnjëherë, por ngelet detyrë e lexuesit për të zgjedhur atë që kërkon të imponojë Ardian Klosi brënda karakterit hipotetik. Dinakëria e përdorur nga përkthyesi ne këtë pasthënie ka vetëm një qëllim: të argumentojë personalitetin pozitiv të Ali Pashës së Janinës në ndihmë të krahinës së sotme të Tepelenës sipas mentalitetit të shqiptarëve të sotëm. Nënkuptimet mbi figurën e pashait otoman me origjinë shqiptare janë analoge me nënkuptimet e analizës së diktatorit shqiptar me origjinë otomane dhe në këtë pikë ato përputhen në shkaqe dhe pasoja me të vetmin ndryshim se i pari ishte shërbëtor i perandorisë më të madhe feudale në botë, kur i dyti shërbëtorë i perandorisë së parë kapitaliste në botë. Pikërisht këto të fundit përbëjnë thelbin e qënies së tyre të përgjithshme dhe të veçantë, pikën ku fillojnë vuajtjet e popullit shqiptar.

Kur lexon veprën e Pukëvilit mbi ringjalljen e Greqisë e kupton se sa fallso është pasthënia studimore e përkthyesit, pasi përmbajtja e gjithseicilës nuk përkojnë me idenë përse autori shqiptar merr përsipër të interpretojë një mospërputhje idesh, veprash, përfitimesh dhe t’i paraqesë ato si të varura nga vepra e autorit francez. Ç’lidhje kanë të gjitha këto me popullin shqiptar dhe përse duhet t’ja pasurojmë këndvështrimin mbi pashain që i bëri mirë të gjithë Ballkanit, përveç Shqipërisë dhe shqiptarëve? Kur lexon pastaj pasaçërisht pasthënien e përkthyesit e kupton lojën që kërkon të luajë manipulatori i historisë dhe përse ai ka shkruar një pasthënia pas perlës franceze. Nuk bëhet fjalë për një angazhim solidariteti të intelektit të autorit me përkthyesin, por bëhet fjalë për lidhjen e pashait të Janinës me vëndlindjen e tij a thua se akti i lindjes përbën kuintesencën e zhvillimit të racës njerëzore në Tokë. Në qoftë se thelbi i kësaj të fundit është e lidhur me faktorin kohëlindje përkthyesi shqiptar nuk di të përfitojë prej saj për shkak të formalizmit edukativ filozofik që mbart. Por kur pretendon se vepra e Pukëvilit është mirëpritur kudo, përveç se në vëndin e lindjes së protagonistit ku na qënka ngritur një historiografi e vetme mbi një diktaturë të vetme (f. 520) kuptohet që përkthyesi me dashje ka harruar se uniteti i kësaj historiografie me diktaturën ka pasur si pasojë pikërisht kallëpin e intelektualit të tij. Është e pamundur që ndërgjegjja e këtij kallëpi të pranojë përmbysjen e formuesit të kallëpit dhe këtu fillon loja e përkthyesit tonë. Ai kërkon të përmbysë një përfytyrim inekzistent dhe të paraqesë përfytyrimin komunist si të ri dhe në përputhje me idetë e Pukëvilit, ku thelbi i veprës së francezit është fund e krye një përputhje e politikave të Ali Pashës së Janinës me interesat e popullit grek.

Nga ana tjetër, tentativa e përkthyesit për të afruar produktin e pashait otoman me atë të diktatorit komunist duke e paraqitur Enver Hoxhën si simpatizant të Ali Pashës së Janinës (f. 531-535) na duket  një tentativë reale për të zbutur botën e krimit komunist. Pasi lexon veprën e Pukëvilit bindesh që krimi komunist në Shqipëri është ngritur mbi bazën  e skanimit politik që Enver Hoxha i bëri veprës së gjaksorit tepelenas në një masë të tillë sa ato duhet të përputhen në një masë absolute. Raportet politike dhe ekonomike që Pashai i Janinës kishte me Stambollin duhet të jenë krejt të barabarta me raportet komplekse po të tilla që Enver Hoxha kishte me Londrën. Kështu që nuk ka mundësi që figura e Ali Pashës së Janinës të ketë qënë e dyshimtë për diktatorin shqiptar, ajo ka qënë epiqëndra e tij politike në formë dhe përmbajtje, ne sasi dhe cilësi, në çfaqje dhe thelb, kategori të cilat përrkthyesi Klosi mundohet t’i anashkalojë.

Dua t’i kujtoj përkthyesit që figura e Ali Pashës së Janinës nuk mund të krahasohet kurrsesi me atë të Gjergj Kastriotit, të Bushatllinjve të Shkodrës ku këta të fundit i bënë popullit shqiptar dy të mira që përcaktuan të ardhmen europiane të popullit shqiptar: lejuan formimin e qëndrës institucionale katolike në qytetin e Shkodrës, duke e larguar nga trekëndëshi Mat – Mirditë – Dibër, dhe nuk lejuan transformimin e shqiptarëve në fenë e shkjaut, të Ismail Qemalit dhe të atyre burrave që morën përsipër shpalljen e mëvetësisë sonë kombëtare. Ali Pasha i janinës nuk mund të përputhet me asnjë figurë kombëtare shqiptare, sepse nuk ka qënë i tillë as në shpirt dhe as në vepra. Nuk është e vërtetë që figura e tij u nënkuptua si një figurë e shquar e kombit (f. 520); ky nënkuptim ka qënë i shkollës komuniste dhe, personalisht Ju, këtë kërkoni të vendosni me këtë pasthënie. Analiza e figurës eë Ali Pashës së Janinës nga ana e Pukëvilit është e mjaftueshme për të vënë një vijë mospëputhëse midis karakterit të tij dhe popullit shqiptar. Ali Pasha i Janinës nuk ishte produkti i popullit shqiptar, por i perandorisë Otomane dhe kjo përbën thelbin e ekzistencës së tij historike, duke përfshirë edhe diktaturën komuniste me të cilën ajo përputhet.

E sa për mosbotimin e veprës së Pukëvilit pas 1991 nuk qëndron problemi në fortësinë e kafshatës, pasi thelbi i veprës së Pukëvilit është ditur në të gjithë përmasën e vet, por ajo nuk i ka pëlqyer pinjollëve të komunizmit, çka tregon se tërësia e botimeve shqiptare edhe sot është pronë e botës postkomuniste, e barabartë me paraardhësen e vet. Botimet e sotme tentojnë, gjithmonë e më shumë, të argumentojnë pozitivitetin e së shkuarës komuniste ku dualiteti i nënkuptimeve anon nga kjo e fundit paçka se pasoja ka qënë katastrofale për të gjithë shqiptarët pa përjashtim.

Tiranë 24.11.2009

Related Post