Artikuj

134 – Enver Hoxha dhe fallsifikimi i një fototeke

Posted by Genc Hoti

Loading

134 – Enver Hoxha dhe fallsifikimi i një fototeke

Arsyeja që na detyroi t’i publikonim tani këto fakte u bë një artikull i botuar në gazetën “Besa” të botuar në Shkodër në muajin mars 1992 ku shpallej me ngjyra sensacionale shkaku përse Enveri pushkatoi Padër Anton Harapin më 1946, ku sipas autorit ngjarja ishte pikërisht kjo që do të analizojmë këtu poshtë dhe ku kleriku patriot kishte mbajtur një fjalim të bukur (kështu është në fakt), kurse Enveri nuk kishte qënë i aftë të tregonte talentin e vet prej oratori (kjo përbën gënjeshtrën e artikullit). Me sa kemi kuptuar shumë artikuj publikohen për të fshehur të vërtetën se sa për ta ekspozuar atë.

Më 1978 u botua një album me rastin e 70 vjetorit të Enverit ku, midis të tjerash, botoheshin dy fotografi mbi ngjarjen e Shkodrës. Sipas albumit ngjarja kishte ndodhur më 1937 dhe jepej delegacioni gjirokastrit prej 7 pjestarësh dhe një fëmijë ku Enveri kishte kostum të zi (foto 3); si dhe Enverin duke folur i vetëm nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës me shikim nga mitingu dhe kostum të hapur (foto 2) (data nuk jepej). Ngjyra e kostumit dhe drejtimi i syve në dy fotografitë paraqet interes të veçantë pasi këto vogëlima do të shërbejnë më vonë për të ballafaquar me materiale të tjera.

foto 2
foto 2
foto 3
foto 3

Fotografia e delegacionit gjirokastrit u publikua përsëri më 1982 në albumin me rastin e 75 vjetorit të Enverit pa asnjë ndryshim nga publikimi i 1978-ës.

foto 1
foto 1

Por një album shumë interesant mbi historinë kombëtare, prodhuar nga Fototeka “Marubi”, botuar më 1982, nxjerr në dritë faktin se ngjarja ka ndodhur më 14 shtator 1936 dhe fotografia e parë e albumit është ajo e Enverit duke folur i vetëm nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës me sy të ulur (foto 1). Në faqen përbri jepet një pasazh i kujtimeve të Enverit për këtë ngjarje ku veçojmë dy fakte: së pari koha ka qënë e një stine që kërkonte pallto dhe, së dyti, kleri katolik ka bërë propogandë që populli të mos e priste mirë delegacionin dhe të mos kishte entuziazëm.

Një kërkim i mëtejshëm në Fjalorin Enciklopedik përmbys këtë fakt duke përcaktuar lajmin se eshtrat e Çerçiz Topullit u transportuan nga Shkodra më 1937. Pa kaluar një vit nga dalja e këtij fjalori doli albumi jetën e Enver Hoxhës (bot. 1986) ku u botuan tri fotografi, dy nga të cilat për këtë ngjarje. Fotografia nr 3 (foto 4) tregon Enverin duke folur nga ballkoni i Bashkisë (1936), por tashmë me një grup të tjerësh ku midis të cilëve dallohet kleriku Padër Anton Harapi.

foto 4
foto 4

E veçanta e fotografisë është se ngjyra e kostumit qëndron midis ngjyrës së zezë dhe asaj të hapur (me sa duket e kuptuan defektin e mashtrimit, por ishte vonë). Fotografia nr 4 jep delegacionin gjirokastrit (foto 3) pa asnjë ndryshim nga botimet e mëparshme dhe fotografia nr 5 (foto 5) jep faksimile të fjalës së Enverit mbajtur para varrit të Bajo Topullit dhe të botuar në gazetën “Demokratia” e dt. 01 gusht 1936 ku fjala e Enverit është në faqen e parë dhe si kryeartikull i gazetës në fjalë.

foto 5
foto 5

Pas të gjithë këtij materiali kontradiktor shtrojmë pyetjen: si është e vërteta e ngjarjeve të përshkruara në ato fotografi dhe a ka qënë Enver Hoxha në mitingun e Shkodrës? Lexuesi duhet ta marrë me mënd se këtu fshihet diçka pasi e njëjta fotografi botuar tri herë në botime të ndryshme ka drejtime të ndryshme sysh dhe, ç’është më e bukura, në dy kohë të ndryshme të së njëjtës ngjarje Enveri na paraqitet me dy kostume të ndryshme në ngjyrë. E njëjta situatë paraqitet edhe për personazhin tjetër të fotografisë, Zenel Prodanin, i cili ka dy kostume të ndryshme brënda të njëjtës ditë (vetëm në qoftë se ata kishin marrë garderobat me vete).

Së pari duam të sqarojmë lexuesin se kryeartikulli i gazetës “Demokratia” e datës 01 gusht 1936 nuk është fjala e Enverit, por artikulli “Populli dhe zyrtarët” (foto 6); ndërsa fjala e Enverit botohet në faqen e katërt, pas mesit të kollonës së dytë (foto 7) ku mësojmë se Enveri atë vit ka qënë student në drejtësi dhe jo i kthyer përfundimisht në atdhe pas pushimit nga puna në Belgjikë, siç është pretenduar gjithmonë.

foto 6
foto 6
foto 7
foto 7

Ndërsa kronologjia e ngjarjes në Shkodër, duke u mbështetur në shtypin e kohës, është pak e ngatërruar po të analizohet sipas orëve. Megjithëatë ajo është si më poshtë:

Sipas gazetës “Demokratia” Nr 508 e datës 26 shtator 1936 rezulton se eshtrat janë kërkuar, por nuk janë gjetur dot. Merita për gjetjen e tyre i takon Javer Hurshitit, prefekt i Shkodrës më 1936. Por nga një pjesmarrës në atë miting (emri i të cilit nuk ka qënë i autorizuar të përmëndej para vdekjes dhe quhet Profesor Rrok Zojzi) mësojmë se vëndndodhjen e eshtrave e dinte i gjithë populli i Shkodrës dhe merita e Javer Hurshitit qëndron vetëm në publikimin e faktit, nga e muarën vesh zotërinjtë nga Gjirokastra; të cilët u nisën për në Shkodër ku arritën me 14 shtator 1936. Kjo e dhënë jepet në gazetën Cirka të datës 27 shtator 1936 (nr. 9), faqe 141 – 142, sipas së cilës i pari foli profesor Ernest Koliqi (fjala e tij botohet në gazetën “Demokratia” të dt. 10 tetor, kurse Padër Anton Harapi foli nga shkallët e PTT së vjetër pa na dhënë datën se kur është organizuar mitingu në fjalë (fjala e Padër Anton Harapit botohet e plotë nga gazeta Demokratia e dt 03 tetor 1936)). Por këtë datë e jep revista “Përpjekja Shqiptare” Nr1, tetor 1936, faqe 49, sipas së cilës me 15 shtator 1936 në Shkodër zbuloheshin dy varret e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit. Pas mitingut eshtrat e patriotëve u nisën për në vëndlindjet e gjithseicilit ku ato të Çerçizit arritën në Gjirakastër me 15 shtator 1936 ora 4 e 30 minuta duke kaluar nëpër Berat dhe Këlcyrë (gazeta Demokratia Nr 508, datë 26 shtator 1936). Po të merret i vërtetë ky fakt rezulton që mitingu në Shkodër të jetë realizuar në mëngjes herët dhe të ketë qënë i shkurtër.

foto 9
foto 9

Përpos materialit gazetaresk, në fototekën “Marubi”, gjënden disa fotografi me pamje krejt të tjera: fotografia e delegacionit gjirokastrit me shumë më tepër anëtarë se sa ajo e foto 3 (26 persona, foto 9), fotografia e Zenel Prodanit, kryetarit të bashkisë së Shkodrës, duke i folur popullit të Shkodrës nga ballkoni i bashkisë, ku në sfond dallohet koka e Enverit (edhe pse kjo fotografi paraqitet, nga punonjësit e fototekës, si e kësaj ngjarjeje, në të vërtetë ajo nuk ka asnjë lidhje me të pasi mitingu i marrjes së eshtrave të Çerçiz Topullit nuk është mbajtur para bashkisë, por në sheshin qëndror të qytetit para PTT së vjetër) si dhe dy fotografitë e Padër Anton Harapit, duke i folur popullit të Shkodrës dhe duke i dhënë dorën vëllait të patriotit, z. Jonuz Topullit, mbi arkivolin e Çerçizit.

Për të hedhur poshtë pretendimin e Enverit dhe të punonjësve të fototekës “Marubi” mbi vërtetësinë e materialit të paraqitur prej tyre nëpër albume dhe reviste, ne u kapëm tek fotografia e cila e paraqet Enverin duke folur nga ballkoni i Bashkisë (foto 4). Kjo fotografi nuk është reale dhe këtë e themi me bindje të plotë jo vetëm për të metat e thëna më lart, por edhe për katër fakte të tjera që shoqërojnë fotografinë. Së pari në ballkon nuk gjëndet asnjë nga anëtarët e delegacionit gjirokastrit; së dyti Padër Anton Harapi nuk ka qënë në ballkon gjatë mitingut (në të vërtetë pretendohet se mitingu nuk është mbajtur fare para Bashkisë, por në qëndër të qytetit); së treti, vini re me kujdes hijen e flamurit të projektuar në mur, ajo është krijuar për të mbuluar një linjë tensioni, me lartësi 2,4 m mbi tabanin e ballkonit, kur flamuri që ka mbi kokë z. Prodani është 2,3 m. Dmth hija e flamurit është më lart se vetë flamuri edhe pse dielli është më lart se të dy. Injoranca e fallsifikatorëve duket sheshit. Së katërti, mitingu është realizuar në mëngjes herët, ndërsa fotografia është të paktën dy orë më vonë. Për të hequr çdo dyshim mbi këtë fakt ne me 28 mars 1992, ora 1100 bëmë një fotografi të ballkonit të bashkisë së atëhershme (foto 8) dhe këndi i pjerrësisë së reflektimit të diellit, që përcakton orën e saktë, rezultoi shumë më i madh (shikoni hijen e ballkonit). Mbi këtë bazë del i qartë fallsifikimi i fotografisë pasi lartësia e diellit me 15 shtator është e njëjtë me atë të datës 29 mars, gabimi ka qënë vetëm 24 orë.

Pas të gjithë këtyre shtrojmë pyetjen: përse i është dashur Enverit ta fallsifikojë ngjarjen historike të marrjes së eshtrave të patriotëve: Për dijeni të lexuesit qëllimi nuk ka qënë për të fallsifikuar këtë ngjarje, por për t’i fshehur publikut shqiptar një akt të Enverit, i cili gjëndej i pasqyruar në fotografitë e plakut patriot, Kel Marubi. Ka qënë pikërisht kjo fotografi që e detyroi Z. Gegë Marubin të dorëzojë “vullnetarisht” fototekën “Marubi”, ndoshta mrekullinë e vetme të botës shqiptare, e cila sot gjëndet e masakruar nga marrësit e “dhuratës”.

foto 8
foto 8

Mos të kujtojë lexuesi se kjo fotografi anonime, e ndryshuar në thelbin e saj, lidhet me ngjarjen e vitit 1936. Fakti që ajo gjithmonë, sa ishte gjallë Enveri, është publikua si e ndodhur më 1937 dhe përputhet me zërat pretendues që Enver Hoxha ka qënë në Shkodër më 1937 si i dërguar i Musa Jukës (ministër i brëndëshëm në kohën e Zogut mbret) për të formuar rininë zogiste, prandaj dhe pat urdhëruar që publikimi i ngjarjes së vitit 1936 të publikohej si e bërë më 1937. ne e kërkuam me këmbëngulje të gjatë këtë fakt, por nuk qemë në gjëndje ta gjenim dot. Vetëm një studim i hollësishëm i ditarit të fototekës “Marubi” mund të çojë në zbulimin e së fshehtës, të tmershme për Enverin, pasi fotografia që paraqet kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Zenel Prodanin, ku Enverit i duket koka në sfond mund të jetë pikërisht  ajo që ne kërkojmë dhe që gjëndet realisht në fototekën “Marubi” edhe sot. Me anë të këtij fallsifikimi Enveri i atribuoi vetes një akt patriotik të paqënë duke e devijuar qënien e vet në Shkodër krejtësisht jashtë realitetit historik. Në ngjarjen e rinisë zogiste Enveri është përplasur me Padër Anton Harapin, prandaj dhe ja këputi kokën më 1946 për të mos e pasur si dëshmitar direkt.

 

Tiranë më 18 janar 1994