8-Edhe një herë: Kur është çliruar Shqipëria?
Për pesëdhjetë vjet është thënë se vëndi ynë u çlirua nga nazifashistët me 29 Nëndor 1944, kurse qarkullonin zëra me kohë (të shtyrë nga PPSh-ja) që kjo datë ishte vendosur nga jugosllavët pasi Shqipëria në të vërtetë ishte çliruar me 28 Nëndor të atij viti. Ka ardhur koha që ky paragjykim historik t’i nënshtrohet kritikës dokumentare, aq më tepër sot kur dikush deklaroi në televizion që problemet historike kanë zënë shtratin e vet real. Ne i përgjigjemi se kjo nuk është e vërtetë me përmasa shumë-shumë të mëdha.
Fakti që festa kombëtare e Jugosllavisë së Titos ka qënë 29 Nëndori 1945 e hedh poshtë pretendimin e zërave të fshehtë; atëhere çfarë fshihet pas datës 29 nëndor, cila është rëndësia e sajë dhe kur është çliruar në të vërtetë Shqipëria?
Bota e dyshimeve kërkon të zbardhë tri probleme që zgjidhin misterin e datës 29 nëndor duke kërkuar dhe ndryshimin e historisë së Shqipërisë të atyre viteve:
1-Çfarë ka ndodhur në të vërtetë midis datës 17 nëndor dhe datës 29 nëndor 1944?
2-Përse shkuan dy divizionet komuniste në Kosovë e Mal të Zi mbas nëndorit 1944 dhe pse pikërisht në atë kohë?
3-Cili është raporti politik midis komandës komuniste të udhëhequr nga Enver Hoxha dhe asaj gjermano-hitleriane?
Nga ana tjetër zbardhja e këtyre tri problemeve zgjidh dhe pozicionin real në historinë e Shqipërisë të PKSh-re dhe pasuesve të sajë.
Sipas Historisë së luftës antifashiste nac-çli. të popullit shqiptar, vëll 4, pas çlirimit të Tiranës (17 nëndor, kjo datë nuk është diskutuar kurrë) u dha urdhëri për asgjësimin e garnizonit gjerman të Lezhës ku me 20 nëndor brigada e VII e çliroi përfundimisht atë. Të nesërmen forcat partizane u vendosën në Bushat duke formuar vijën Bogë-Vau Dejës-Bushat të gatshëm për të çliruar qytetin e Shkodrës (f 848). Dmth për katër ditë u kalua nga Tirana në dyert e Shkodrës (vetëm 15 km larg sajë). Deri këtu çdo gjë duket e saktë, por ajo përmyset kur më poshtë shkruhet se me 25-26 nëndor batalionet e Brigadës VI u vendosën në vijën Hot-Koplik-Lepurosh duke kryer rrethimin e jashtëm, të largët të formacioneve armike (f. 851). Akoma më tej, pranohet se lufta për çlirimin e Shkodrës filloi me 23 Nëndor dhe po atë ditë forcat e brigadave XXIII dhe XXIV u ndalën tek ura e Bahçallëkut (f. 852-853) të cilën e muarën vetëm me datën 28 Nëndor (f. 855). Kuptohet nga kushdo që ngadalësimi i ngjarjeve midis datës 23 dhe 28 është i paqënë, por gjithëshka është sajuar për të justifikuar datën 29 Nëndor. Këtu ka dy pasaktësira të pafalshme. Së pari është e papranueshme, nga ana ushtarake, të realizohet rrethimi i afërt përpara atij të largëtit; së dyti, ndalimi i luftimeve për pesë ditë buzë urës e pa shoqëruar me luftime tregon që ndalesa ka qënë artificiale e imponuar për shkaqe jashtë luftarake (të paktën ushtarakët e sotëm shqiptarë, pamvarësisht nga kultura e tyre profesionale, e kuptojnë këtë më mirë se kushdo).
Ekzistojnë një sërë përgënjeshtrimesh për ato kohëra. Fillimisht në ndihmë na vjen gjenerali Shefqet Peçi, i cili në librin e tij me kujtime dhe dokumenta nga lufta nac-çli. tregon se me 25 Nëndor 1944 ai e kishte gjetur popullin e Shkodrës në festë, dmth të çliruar. Nuk jemi ne, por shqiptaro-amerikani që kostaton se 4 ditë në kalendarin komunist nuk prish punë, e keqja vjen nga gënjeshtra (Lekë Harapi, 50 vjet kujtime, f. 46). Sinjali për datën 25 nëndor 1944, si ditë e çlirimit të Shqipërisë nuk e pranojnë dhe vetë shkodranët e sotëm në moshë relativisht të madhe (mbi 70 vjeç), por që materialet e botuara në ato kohëra tregojnë se kjo datë është e saktë dhe e vetmja (duhet dalluar kur kanë ikur gjemanët dhe kur janë futur partizanët në Shkodër,-këtu qëndron sekreti i datës).
Në janar të 1945-sës Kombet e Bashkuara kanë botuar një revistë në gjuhën shqipe me titull “Ngjarjet e Muejit” ku flitet dhe për Shqipërinë. Në këtë revistë çuditërisht jepet një përcaktim për ditën e çlirimit të sajë, por pa dhënë datën e saktë. Sipas sajë “Për çudi çlirimi i plotë i Shqipërisë takoi pak ditë para ditës së Flamurit” (nënvizimi i yni). Ky fakt hedh poshtë jo vetëm datën 29 nëndor, por edhe atë 28 nëndor si ditë të çlirimit. Datën e saktë e jep një libër tjetër që flet mbi pleniumin e 2 të KQ të PKSh-re në Berat, por që autorët e tij nuk e kanë kapur dot domethënien kryesore të atij pleniumi. Mbas faqes 98 kemi diskutimin e datës 25 nëndor dhe diskutimet e Nako Spiros (faqe 113-126) apo Sejfulla Malëshovës (faqe 126-133) dhe fjalën e Velimir Stojniçit (faqe 134-152) të cilat tregojnë se në këtë ditë është thënë: “Sot jemi në një Shqipëri të çliruar” (f. 125); “Sot jemi në çlirimin e krejt Shqipërisë” (f. 131); “Keni çliruar me luftë vëndin tuaj” (f. 134). Shihet qartë se data 25 Nëndor 1944 është dita e çlirimit të Shqipërisë. Në këtë mënyrë nuk shtrohet problemi më për intervalin kohor 17-29, por për atë 25-29 nëndor. Çfarë ka ndodhur? Përse u futun partizanët në qytetin verior me 29 nëndor në mëngjes? Në këtë interval kohor janë zhvilluar luftime midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, pra aspekt i luftës civile, të cilat vazhduan për një kohë të gjatë, por që nuk janë thelbësore në vonësen historike. Gjithashtu në këtë interval kohor u përgatitën divizionet shqiptare për të kaluar në Kosovë dhe Mal të Zi sipas një kërkese speciale me qëllime të pashpallura akoma.
Të dhënën e fundit na e jep Todi Lubonja i cili thotë: “Në kohën e luftës, pasi i gjithë territori i Shqipërisë u çlirua nga forcat e ushtrisë Nacional-Çlirimtare, E.H. i u përgjigj kërkesës së Josif Broz Titos për të dërguar dy divizione që të luftonin krah për krah forcave partizane jugosllave” (Nën peshën e dhunës, f. 179). Dmth divizionet shqiptare nuk ikën në Kosovë dhe Mal të Zi për të ndjekur armikun, por sepse i thirri vetë shoku Tito dhe këtu qëndron themra e Akilit pasi vetë Kosova është çliruar me 24 nëndor 1944 (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, f. 418) dhe divizionet shqiptare u kthyen në atdhe vetëm në dhjetor 1945, pra një muaj pasi komunizmi kishte triumfuar në të gjithë Jugosllavinë, kur Berlini ishte dorëzuar që në maj 1945. Është tepër e thjeshtë të bëhet pyetja: Ç’deshën divizionet shqiptare mbas majit 1945 në tokat e Jugosllavisë?
E vërteta është krejt ndryshe: divizionet shqiptare shkuan në tokat e Jugosllavisë për të çarmatosur popullatën shqiptare dhe për t’ja dorëzuar të skllavëruar marreshallit Josif Broz Titos, prandaj dhe u vonuan mbi 6 muaj nga rënia e nazizmit (a nuk tregon kjo se komunizmi shqiptaro-jugosllav ka qënë më i egër se nazizmi?). Ata që nuk u nënshtruan formuan një kollonë prej 12 000 (dymbëdhjetëmijë) vetësh të moshave 16-26 vjeç dhe duke kaluar Qafë Morinën (Kukës) morën rrugën drejt perëndimit duke u masakruar tre herë nga 4 000 (katërmijë) vetë në Qafë Mali (Pukë), derdhje të Bunës në një anije të shkatërruar dhe në dalje të Shkodrës duke mos ngelur asnjë i gjallë. Ajo që quhet masakër e Tivarit është një minimasakër për të mbuluar krimin e përbindshëm të komunizmit shqiptar në Kosovë qysh në agimet e veta. Shaban Braha do të kishte bërë më mirë që librin e tij ta kishte shkruar në funksion të genocidit shqiptar pasi ka qënë ky i fundit që i ka paraprirë genocidit komunist serbomadh.
Problemi i tretë është pak i sfazuar nga dy të parët, por rëndësia e tij është më e madhe se e dy të parave në planin historik, pasi tregon se thelbi i ekzistencës së PKSh-re ka qënë vetëm marrja e pushtetit me çfarëdo lloj çmimi në emër të një politike antishqiptare. Fjala është për raportin politik midis PKSh-re dhe komandës gjermane. Gjithmonë është thënë se PKSh-së e rreshtoi Shqipërinë në frontin antihitlerian dhe vërtetimi i vetëm i kësaj ka qënë interpretimi i partisë kur në Jaltë vetë Stalini i pati vënë vizë të madhe Shqipërisë përsa i përket rolit që luajti ajo në luftë (Artur Konte, Jalta dhe ndarja e botës, f. 123). Pra nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk u përmënd në Jaltë. Por ajo u përmënd për mos luajtje të asnjë roli në luftën e madhe. Ndoshta janë thënë dhe gjëra të tjera, por që mund të zbulohen vetëm po të zbërthehet saktë historia e PKSh-së. E themi këtë pasi vetë gjermanët kanë pretenduar se shqiptarët kanë qënë aleatë të tyre gjatë luftës pa vënë dallime politike midis forcave.
Pra ne ndodhemi përpara dy rrugëve ku njëra është e mbushur me gënjeshtra dhe tjetra e errët fare. Vetëm një emër e zbardh këtë sekret të tmershëm për shqiptarët e shekullit të XX-të. Të pa mësuar me tradhëtira historike ndërkombëtare që ndryshojnë fatet e kombeve qysh nga lufta e Dy Batove (viti 6-9 pas Kr.), shqiptarët edhe sot nuk do ta pranojnë këtë finicion të pa dokumentuar. Megjithëatë ne po e hedhim në diskutim pa pasur ndërmënd të bëjmë bllof.
Rreth 1-2 nëndorit 1944 në Tiranë është vrarë një njeri i cili ka qënë ndërlidhësi dhe përkthyesi i komunistëve të rinj shqiptarë me komandën hitleriane. Mbiemri i tij ishte Pekmezi (flitet se emrin e ka pasur Gjergj) dhe u vra pas krahëve nga vetë komunistët duke zhdukur dëshmitarin më të plotë në tradhëtinë komuniste. Por komunistët e asaj kohe bënë një gabim: e futën emrin e tij në listën e 84 vetëve të pushkatuar me 4 shkurt 1944 nga qeveria kuislinge. Pikërisht ky spostim datash e diskretiton propogandën 50 vjeçare të komunistëve të rinj duke zbardhur faktin se midis PKSh-re dhe komandës gjermane ka pasur një marrëveshje të fshehtë: me largimin e gjermanëve pushtetin do ta merrnin komunistët, por ata do të futeshin pas disa ditësh. Është qyteti i Shkodrës dhe data 29 nëndor ato që tregojnë se shifra e fjalës disa është katër (4). Partizanët ishin të detyruar ta zbatonin me rigorozitet absolut këtë kohë dhe pasi Shkodra u boshatis me 25 nëndor 1944 pritën plot katër ditë për tu futur në qytet dhe të formonin brigadën e 27 të tyre, dhe ta trumbetonin këtë datë si ditën e çlirimit të Shqipërisë, por e gjitha kjo vetëm pas 730 ditëve pasi fitorja e marrjes së pushtetit në nëndor 1945 është festuar me 28 Nëndor, kur u mbajt dhe një koncert festiv.
Si përfundim vendosja e datës 29 nëndor 1944, si ditë e çlirimit të Shqipërisë, fsheh tre probleme kardinale për historinë e Shqipërisë të intervalit kohor 1939-1944:
- Ekzistencën e luftës civile dhe suprimimin e sajë ndaj luftës kundra okupatorit në planin kohor në një masë të tillë sa duhet pranuar se luftën për çlirimin e vëndit nuk e bënë komunistët, por populli shqiptar i ndihmuar nga rastësia politiko-historike.
- Tradhëtinë e PKSh-së ndaj çështjes kosovare, jo se PKSh-së e shiti Kosovën (sepse në atë kohë dhe sot shqiptarët nuk janë të zot as të shesin dhe as të blejnë pronat e tyre milionavjeçare), por sepse ajo luftoi me armë në dorë kundër tempit nacionalist të kosovarëve në ato vite duke i nënshtuar politikisht.
- Tradhëtinë e PKSh-së ndaj koalicionit antihitlerian botëror, por e gjithë kjo krejt rastësisht për të, pasi ishte e komanduar nga një pjesë e koalicionit.
====////===
Shënim: Lexuesi nuk duhet të alarmohet dhe shumë nga këto përfundime, pasi nëqoftëse redaksia e gazetës do ta botojë këtë artikull (e kemi kaluar në disa redaksi gazetash, por nuk kanë pranuar ta botojnë pasi redaktorët bisedonin me dikë në telefon) mbas disa kohësh ne do të hedhim për diskutim kohën, vëndin dhe kush e formoi në të vërtetë PKSh-re pasi të gjitha ato që janë thënë deri më tani nuk janë të sakta (duke përfshirë edhe pretendimet e disa oponentëve). Dokumentat mbajnë firmën e vetë Enver Hoxhës dhe disa janë botuar vetëm një herë më 1950 duke u fshirë nga veprat e plota.
Tiranë, më 11.12.1996