Artikuj

16-Peza dhe Mukja 02.08.2008

Posted by Genc Hoti

Loading

16-Peza dhe Mukja

Sivjet kemi 65 vjetorin  e marreveshjes se Mukjes dhe 66 vjetorin e Konferencës së Pezës, por asnje historian nuk ka arritur te zbuloje sekretin e Mukjes, nje sekret me te vertete i tmershem per historine e komunizmit propogandistik shqiptar. Ajo qe eshte mbajtur e fshehte, me nje diktature ekstreme, nuk eshte zbuluar akoma dhe asnje historian shqiptar nuk eshte i afte t’i pergjigjet pyetjes me te thjeshte fare: c’ndryshim ka Peze nga Mukja? Akoma nuk është kuptuar se Mukja është e pavleshme pa Pezën dhe Peza e pavlefshme pa nacionalistët atdhetarë.

Ne qofte se do t’i hedhim nje sy studimeve dhe fjaloreve enciplopedike (pas 1992) per keto dy ngjarje do te zbulojme se te dy mbledhjet kane te njejten performance propogandistike: organizimi i forcave politike kundra okupatorit. Atehere ku qendron ndryshimi dhe perse duheshin mbajtur dy mbledhje me te njejten permbajtje (ne fakt nuk jane te tilla ne thelb) brenda 10 muajve e gjysem? Cfare fshihet pas ketij fakti?

Zbulimi i akteve te formimit te PKSh, dmth data dhe vendi, çuan ne kerkesen per rishikimin e te gjithe te kaluares se ngjarjeve qe lidheshin me komunizmin shqiptar dhe konkretisht me Pezen historike. Cfare ka ndodhur ne Peze me 16 shtator 1942? Ka shume enigma qe duhen zgjidhur dhe perse u kerkua bashkimi i te gjithe forcave nacionale ne lufte kundra fashizmit. Ne fund te fundit: kush ishin keto forca, pasi ketu qendron edhe sekreti i Mukjes. Problemi ka nevoje per pak interpretim pasi shume gjera jane ndryshe nga ajo qe dine shqiptaret e shekullit te vjeter.

Konkretisht ne Shqiperi ne vjeshten e 1942 ekzistonin disa forca nacionaliste ne veri e ne jug pa asnje lidhje me njera – tjetren: Balli Kombetar ne Jug e Legaliteti ne Veri, por ekzistonin dhe forca nacionaliste pa bosht politik aktual, por qe perfshiheshin ne rrymat antizogiste si forcat e Myslim Pezes ne perendim te Tiranes, ato te Haxhi Lleshit ne Dibren e Vogel dhe forcat e Hysni Lepenicës në Labëri; dy të parat perfshiheshin në inteligjencën shqiptarë me nje edukacion europianoperëndimor që anonte nga shkollat gjermano-austriake, ndërsa tre te fundit përfshiheshin në forcat popullore jashte politikave shtetërore. Komunizmi shqiptar (behet fjale per partine komuniste te Shkodres) ne kete kohe ndodhej i mberthyer nga intrigat e dy jugosllaveve me tendence eleminimin total te tyre dhe ne vjeshten e 1942-shit ishte i çorganizuar totalisht. Në këto kushte kërkohet bashkimi i tyre pasi, siç po shihej, Italisë Fashiste po i vinte fundi. Fakti që mbledhja nuk u bë në Jug, ku ndodhej qëndra e Ballit Kombëtar (në thelb një lëvizje antizogiste) dhe as në Veri, ku ndodhej qëndra mbretërore duhet të tregojë se këto dy forca politike ishin diametralisht të kundëta në qëllimet e tyre. Por fakti që mbledhja u bë në Pezë duhet të tregoje se Babë Myslimi ishte, trashmë, një personazh antifashist i deklaruar dhe i palidhur me asnjë forcë politike të mësipërme, por me një menjanim nga krahu antizogist. Me sa kemi kuptuar të dy forcat politike kryesore ja kanë pasur nevojën udhëheqësit pezak pasi ato nuk mund të realizonin kurrë atë që bënte rebeli antizogist kundra fashizmit. Në këtë pikë gjërat duhen thënë siç janë dhe jo si na pëlqen. Në këtë fazë lidhja e Myslim Pezës me forcat komuniste ka qënë inekzistente dhe kjo përbën të panjohurën e parë për lexuesin shqiptar. Plaku i mëvonshëm i Pezës historike e pranoi pazarin me Enver Hoxhën dhe, sa ishte gjallë, asnjëherë nuk deklaroi se në atë kohë komunistët i takonin modës politike dhe nuk kishin asnjë lidhje me Pezën. Pikërisht kjo i është nevojitur diktatorit shqiptar dhe këtë e shfrytëzoi në mënyrë perfekte, prandaj dhe krijoi atë lidhje të ngushtë me Babë Myslimin dhe e nderoi sa ishte gjallë. Plaku i historisë ja mbajti besën autorit të antihistorisë dhe asnjeri nuk mori vesh në Shqipëri se Enver Hoxha nuk kishte lidhje me Pezën historike; kjo përbën të panjohurën e dytë për lexuesin shqiptar.

Në këtë mënyrë në Pezën antifashiste u formua aleanca nacionaliste kundra okupatorit fashist me pjesmarrjen e të gjitha forcave politike ku roli i Myslim Pezës duhet konsideruar ndër më kryesorët. Kjo duhet vënë në dukje pasi këtë pikë shfrytëzoi më vonë Enver Hoxha për të realizuar intrigën e vet historike dhe pikërisht kjo anashkalohet duke i fshehur shqiptarëve të vërtetat historike siç kanë ndodhur dhe jo si na pëlqejnë të kenë ndodhur. Në këtë pikë historiografia shqiptare, pas 1992-shit, në vënd që t’i bjerë gozhdës i ra patkoit me qëllimin e vetëm pse nuk di të intepretojë aktin e madhe të luajtur në Pezë më 1942. A nuk është kjo një pikë ku padija përzihet me politikën dhe është kjo e fundit që i fsheh popullit shqiptar realitetin historik të së kaluarës? Pikërisht në këtë pikë kemi rolin negativ të Akademisë së Shkencave të RPSSh e cila asnjëherë nuk e nxorri në dritë të vërtetën e Pezës Historike. Peza nuk i përket komunizmit, por nacionalizmit shqiptar dhe është pika ku populli shqiptar mund të krenohet njësoj si më 1912, 1878-1881, apo1444.

Pas shtatorit 1942 ne Shqiperi duhet te kete filluar lufta e organizuar kundra okupatorit fashist dhe kjo vetem per aresyen e deshtimit te operacioneve italiane kundra popullit grek për te cilin u pushtua Shqiperia me 1939 dhe jo me perpara. Spontaniteti i luftimeve antiitaliane duhet t’i dedikohet vetem çetes se Pezes dhe ndoshta Haxhi Lleshit në Dibër (ne te vertete nuk disponojme ndonjë të dhënë mbi kohën e antifashizmit dibran) e Hysni Lepenicës në Jug. Dinamika e antifashizmit shqiptar eshte teper e varfer dhe as qe ja vlen te permendet. Kete situate nuk mund ta pranonin forcat angleze, prandaj dhe organizuan komunizmin me te vetmin qellim per te vene ne krye te shtetit shqiptar njeriun e tyre, por qe ishte kunder interesave te nacionalizmit shqiptar.

Ky eshte momenti i krijimit te situates ne prag te Mukjes te cilin vetem komunistet e dinin, ndersa nacionalistet ishin vene ne gjume duke kujtuar se shtetin shqiptar kishin per ta drejtuar ata pas largimit të italianëve. Por këtu duhet pasur parasysh disa probleme, jo të vogla, jashtë paragjykimeve edukative që na ka dhënë shkolla shtetërore përpara 1992-shit Së pari duhet sqaruar që roli i forcave antifashiste nuk ishte i aftë të çlironte vëndin nga pushtimi fashist, të paktën me raportet e forcave ekzistuese. Së dyti roli i shtabit partizan ishte zero për kohën e shkurtër të ekzistencës, pasi në kohën e kapitullimit të Italisë fashiste forcat që komandonte ky shtab ishin partizanët e 62 çetave dhe 1 brigade me rreth 4000 partizanë të llogaritur për limitin maksimal. Por arësyeja që PKSh trumbetoi fitoren mbi fashizmin ishte marrja përsipër e fitoreve të çetave nacionaliste që ajo i asgjësoi më vonë përgjatë periudhës 1943-1944 në Jug dhe 1945-1948 në Veri. Kjo gjë pranohet me gjysëm zëri në një formë të maskuar edhe nga autori i historisë së krijimit të PKSh (për herë të parë) sipas të cilit është gabim të thuhet se lufta nacional-çlirimtare ishte thjeshtë luftë për dëbimin e okupatorit (Ndreçi Plasari, Krijimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë (1939-1941), f. 39). Ishin pikërisht këto çeta që luftuan kundra fashizmit pushtues në kohën kur komunistët prisnin dadon angleze t’i merrte për dore dhe t’i tregonte platformën e re të luftës nga antizogizmi në antifashizëm. Paaftësia për tu organizuar si parti politike më vete bëri që komunistët shqiptarë të fshiheshin gjatë pushtimit fashist. Kaq e vërtetë është kjo sa e detyron anglezin, me pikëpamje të majta Riginald Hibertin, të pranojë se në mars 1943 në Labinot u mbajt konferenca themeluese e PKSh (Reginald Hebert, Fitorja e hidhur, f. 334). Sipas “Historia e luftës antifashiste nacional-çlirimtare të popullit shqiptar”, në fund të vitit 1942 kanë qënë 2000 luftëtarë në mbi 30 çeta partizane (Historia e luftës antifashiste nacional – çlirimtare të popullit shqiptar, V. 1, f. 148), të cilin numër Historia e PPSh, e zgjeron edhe në njësite guerile (Historia e PPSh, bot. 1, f. 97). Por ne kemi një të dhënë nga një burim krejt i kundërt, por më i besueshëm se të gjithë të tjerë.  Sipas këtij burimi “Në të gjithë Shqipërinë veprojnë sot rreth 40 çeta rebelësh, me një forcë komplekse prej 6 000 veta, nga të cilët rreth 1.500 vetë janë në veprim të vazhdueshëm luftarak” (Piero Crociani, Shqiptarët në forcat e armatosura italiane 1939 – 1943, f. 291), por pa bërë asnjë specifikim të mëtejshëm (flitet gjithmone para kapitullimit të Italisë).

Në këto rrethana forcat nacionaliste, duke ditur formimin e PKSh dhe të shtabit komunist, i propozojnë kësaj të fundit bashkimin për idealin e vetëm të çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi, të cilit i kishte ardhur ora e vdekjes dhe që politikanët nacionalistë e kishin kuptuar. Pikërisht në këtë pikë qëndron ndryshimi midis Pezës dhe Mukjes; dmth në Pezë nuk kishte komunistë, kur në Mukje komunistët u ftuan për të qënë anëtarë me të drejta të plota në aleancën e madhe antifashiste. Dihet se si përfundoi ajo  konferencë, por nuk dihet dinamika e përmbysjes së saj nga komunistët. Pa kaluar dy javë nga marrëveshja e Mukjes komunistët u mblodhën në Vithkuq për të formuar brigadën e tyre të parë dhe të hidhnin poshtë atë marrëveshje duke treguar qëllimin e tyre real edhe pse ishin krejt të pafuqishëm përballë realitetit historik. A nuk tregon kjo se prapa komunistëve shqiptarë fshihej një forcë shumë herë më e fuqishme se ajo e jugosllavëve, kur këta të fundit ishin vetëm krahët e mashës  historike. Çfarë ndodhi me 15 gusht 1943 në Vithkuq? Kjo përbën të renë për lexuesin shqiptar të shekullit të ri.

Rendesia e 15 gushtit 1943, per ne, nuk qendron ne mohimin e Mukjes apo formimin e brigades se pare. Ajo dite ka nje te dhene te vecante per Enver Hoxhen dhe për anetaret e delagacionit komunist ne Mukje duke nxjerrë ne drite se kush ishin ata qe e permbysen Mukjen. E dhena nuk ka goditje individuale dhe merita e saj qendron ne mosangazhimin e politikes kundra Enver Hoxhes pa e ditur se si do te vine ngjarjet pas nje viti. Vini re se cfare ka ndodhur ate dite ne Vithkuq sipas nje pjestari akular, dikur brenda vathes komuniste e pastaj kundra saj, dhe pozicionin e diktatorit të ardhëshëm kundrejt drejtuesve të PKSh të asaj kohe.

Në një artikull me titull “Kush e vrau Mustafa Gjinishin?” të botuar në gazetën “Bashkimi i Kombit” datë 31 gusht 1944, Nr 205, me autor Xhelal Staraveckën (ish komandant i batalionit të II-të të brigadës së I-rë dhe i larguar nga ai post për të njëjtat shkaqe si për rastin e Ndoc Çobës), jepet e gjithë panorama hapsinore e asaj që ka ndodhur midis 1 dhe 2 gushtit 1943  në Mukje dhe me 15 gusht në Vithkuq. Në atë artikull thuhet:

 “ Partia rebele gjakatare, në vjetin e kaluem (1-2 gusht 1943, GH), e dërgoi Mustafa Gjinishin, që tani e vrau, bashkë me Dr. Ymer Dishnicën, që sigurisht do ta vrasë (ndoshta ky paralajmërim e shpëtoi doktorin e urtë nga vdekja e sigurtë, GH), në mbledhjen e Mukajt për tu bërë bashkimi i të gjithë shqiptarëve. Të dy delegatët, të udhëhequr nga ndjenjat e vëllazërimit, u bashkuan me rrymat dhe me organizatat nacionaliste të Shqipërisë. Dihet mirë si ç’asht shfaqun shpesh herë dhe me shkrime se sërbianët Dushani dhe Miladini, e thyen bashkimin e vendosur në Mukajt për të realizuar ëndrat e vllavrasjes, në të cilën ndodhemi sot. Kam ndodhur vetë, në vendimin e dënimit me vdekje të Mustafa Gjinishit dhe të Ymer Dishnicës, që aderuan në bashkimin e Mukajt. U dënuan, por nuk u ekzekutuan, pse Mustafa Gjinishi dhe Dr. Ymer Dishnica ishin popullarizuar në Shqipni dhe vrasja e tyre mund të krijonte përçarje të tmershme në Partinë rebele, pse, Partia nuk i kishte rrëmbyer akoma frenat e fuqisë në dorë. Përveç kësaj, vrasja e Mustafait, mundej të krijonte përçarje edhe ndërmjet Myslim Pezës dhe Partisë rebele, pse Myslimi e kishte dhandër Mustafa Gjinishin. Në vendimin e dënimit te Gjinishit dhe të Dishnicës me vdekje në Vithkuq, ku kam ndodhur edhe vetë, kanë marrë pjesë këta persona: në krye të mbledhjes Druzhe Miladini, në të djathtën e tij Sejfulla Malëshova; mbas tij Enver Hoxha; në krah të Enverit Spiro Moisiu; mbas Spiros Dushan Gogozhani (kemi përshtypjen se duhet të jetë Dushan Mugosha, GH); mbas këtij vinte i nënshkruemi, mbas të nënshkruemit Mehmet Shehu. Rrethi mbyllesh në krahun e majtë të Miladinit me Fiqret Sanxhaktarin, Jovana e dyte e Napolit…”

 

Këto rreshta, në funksion të temës sonë, nuk kanë nevojë për intepretim, pasi pozicioni e forcave nacionaliste  kundrejt komunistave, dhe i këtyre të fundit kundrejt jugosllavëse, është mjaft i qartë, por ne na intereson dinamika e zhvillimit të PKSh në ato vite dhe i figurës së Enver Hoxhës në krye të partisë komuniste. Të gjitha këto tregojnë se Mukja shërbeu, sipas interesave të jugosllavëve, për të forcuar Partinë gjakatare dhe ngritur figurën e Enverit. Të dyja këto përbëjnë sekretin e madhe përse u prish marrëveshja e Mukjes dhe çfarë përfaqësojnë dueti Parti Komuniste – Enver Hoxha; çfarë përfaqëson dueti Britani e Madhe – Parti komuniste shqiptare

 

  1. 08. 2008

 

Botuar në albanovaonline.com 04.08.08

 

Gazeta “55” datë 05.08.2008

 

Ketij artikulli gazeta Peza i beri nje refleksion me autor Dhimiter Shtembari me titull: Peza qe lavdia, ndersa Mukja qe turpi. Me poshte po japim permbajtjen e artikullit:

———–

 

Dhe thone, se ne tregun e sotem te publicistikes nuk u shitkan hedhurina historike!

Ne nje treg te madh, ku kishte lloj – lloj sendesh me vlere, dikush shiste ca hedhurina, te cilat mund t’i kishte gjetur mbase ne kazanat e  e plehrave. –Cfare i ke keto? – e kishte pyetur dikush tregtarin e sendeve te cuditshme. Tjetri kishte vene buzen ne gaz dhe, sikur te mos e kishte kuptuar pyetjen, i ishte pergjigjur fare thjeshte: -Sende te nevojshme per popullin…..-Keto – per popullin?! –Po, po; pikerisht per popullin. Populli ka nevoje per sende luksi, por ka nevoje edhe per keto! Se po te mos kishte nevoje, nuk do te shikonim njerez duke germuar neper kazanat e plehrave….Ai qe e pat pyetur vazhdonte vazhdonte te degjonte disi i cuditur. Ne nje cast e kishte nderprere: Dhe ju mendoni se mund te fitoni dicka nga kjo tregti? Se sa fitoj, kjo varet, por pa nje lloj fitimi nuk dale, – ia kishte kthyer tregetari i cuditshem.

Keto mu kujtuan teksa lexova shkrimin “Peza dhe Mukja” te zotit Genc K. Hoti, botuar ne gazeten e perditshme 55 te dates 5 gusht 2008.

Po le te analizojme nja tri ceshtje, qe ja vlen te ndalemi:

 

1.

“….. asnje historian nuk ka arritur te zbuloje sekretin e Mukjes, nje sekret vertete i tmershem per historine e komunizmit propogandistik shqiptar” (?!) shkruan zoti Genc K. Hoti ne hyrje te shkrimit.

Nuk merret vesh, se per c’sekret e ha meraku artikullshkruesin.

Delegacioni i Frontit Nacionalclirimtar i kryesuar nga komunisti Ymer Dishnica me shoke kishin shkuar ne Mukje me nje detyre teper te thjeshte dhe plotesisht te qarte: Te ftohej Balli Kombetar qe te futej menjehere ne lufte kunder pushtuesve te huaj, sipas parrulles se hedhur qe ne konferencen e Pezes. Te distancohej Balli Kombetar nga kriminelet e shumte qe kishte ne rredhet e tij. Te ndalonte shkaterrimin e keshillave nacionalclirimtare neper qytete e fshatra.

Te deleguarit e Frontit nuk i qendruan besnik ketyre orientimeve; rane ne gracken e ngritur  prej krereve te Ballit Kombetar, pranuan tezat e tyre dhe….kaq. Udheheqja e larte e Frontit Nacionalclirimtar, personalisht Enver Hoxha, e grisi pacavuren e Mukjes dhe u tha te deleguarve, qe, pak me pas, te shpjegoheshin ne Konferencen e Labinotit. Se cfare thane keta ne ate Konference, ju, zoti Genc, mund ta lexoni origjinalin e asaj konference dhe do te bindeni ne te vertetat e Mukjes. Dhe aty do te zbuloni nje pjese te atij “sekreti” qe ju mundon. Ymer Dishnica me shoke u vune nen presion ne Labinot, mund te hamendesoni ju, prandaj u detyruan qe te benin autokritike aq te thelle! Mirepo edhe ky aresyetim  nuk mund te binde askend, sepse, mbas kesaj logjike, natyrshem shtrohet pyetja tjeter: Kur te deleguarit e Partise Komuniste Shqiptare na paskan “kuptuar” aty ne Mukje se pozicioni i shprehur prej krereve balliste na paskej qene me i mire se ai i Frontit Nacionalclirimtar, atehere perse nuk shkuan per t’u perfshire ne vathet e tyre? Kohe lufte ishte, keshtu qe nuk qe e veshtire te hidheshe nga njeri krah ne tjetrin. Madje, po te kalonin ne ate krah, do te ishte shume me mire, sepse s’do tu duhej te germiseshin maleve, ne balle te partizaneve, por do te vinin kollaro dhe do te hanin pinin me kuislinge te te gjithe kallepeve. Por ata nuk shkuan, sepse u pajtuan me logjiken e drejtuesve te Frontit Nacionalclirimtar.

Apo s’eshte keshtu, zoti Genci?

2.

Ne paragrafin e trete te artikullit shkruhet: “Cfare ka ndodhur ne Peze me 16 shtator 1942? Ka shume enigma qe duhen zgjidhur dhe perse u kerkua bashkimi i te gjithe forcave nacionale ne lufte kunder fashizmit. Ne fund te fundit; kush ishin keto forca, pasi ketu qendron edhe sekreti i Mukjes”.

Te kerkosh “enigma” te Konferenca e Pezes do te thote te mos pranosh alfen e idealeve te luftes kunder pushtuesve te huaj per clirimin e atdheut. Edhe per nje balliste katerqind karatesh nuk ekziston asnje “enigme” te Konferenca I Nacionalclirimtare, e mbajtur ne shtepine e nacionalistit atdhetar, MyslimPeza.

Ne Peze u ftuan te gjithe, pa dallim feje, krahine, pasurie dhe ideje. Nuk  u pati faj askush, as Enver Hoxha dhe askush tjeter, qe ne kete Konference nuk erdhen per te marre pjese Mit’hat Frasheri me shoke. Mbase ata kane pas parazgjedhur me kohe rrugen qe do te ndiqnin, ate rruge qe i coi me pas ne gropen e zeze te krimit dhe te turpit.

Sipas paragrafit te cituar pak radhe me lart vihet e dyshim edhe qellimi i bashkimit te forcave politike e shoqerore, ceshtje e shtruar per diskutim e zgjidhje ne Konferencen e Pezes. Ky qellim ne ate Konference u vleresua thellesisht atdhetar. E shprehen kete jo vetem delegatet komuniste, por deri edhe Abaz Kupi. Shkurt, ne Peze nuk ka pasur dhe nuk ka asnje “enigme”, per te cilen behet fjale ne shkrimin e gazetes “55”.

Zoti Genc K. Hoti orvatet te gjeje “enigme” te Konferenca e Pezes per te dale te “enigmat” e tjera te Mukjes! Por eshte mundim i shkuar dem te orvatesh te gjesh “enigma”, kur te vertetat shkelqejne ne drite te diellit. Populli eshte shume i zgjuar; ai di se kujt i duhet shkuar prapa. Ne qofte se populli u shkoi mbas Nacionalclirimtares, qe frymezohej nga PKSh, kjo do te thote se ishin pikerisht keta ne rrugen e drejte. Ishte jashte cdo logjike ne ate kohe t’u shkoje mbas krereve te Ballit Kombetar, mjaft prej te cileve qendronin e hanin ne po ato sallone ku qendronin e hanin edhe autoritet pushtuese! Dhe arriten te beheshin deri edhe regjente e ministra ne qeverite kuislinge!

3.

“Plaku i historise (lexo:Myslim Peza. Dh. Sh.) ia mbajti besen autorit te antihistorise dhe asnjeri nuk e mori vesh ne Shqiperi, shkruhet ne paragrafin e katert te artikullit qe po analizojme, se Enver Hoxha nuk kishte lidhje me Pezen, kjo perben te panjohuren e dyte per lexuesin”!!!

Autori i shkrimit “Peza dhe Mukja”, jashte cdo modestie, kritikon hapur dhe, si te thuash, nxjerr jashte loje krejt veprimtarine e mbas vitit 1992 te Akademise se Shkencave! Megjitheate pune per te. Kjo perben nje teme me vete, se ciles s’kam asnje aresye t’i futem, perderisa nuk jam ne gjendje t’i pergjigjem. Por po ndalem te ceshtja qe ngre autori, se Enver Hoxha (me fjale te tjera, Fronti Nacionalclirimtar, qe frymezohej e udhehiqej nga PKSh), nuk paskej lidhje me Pezen historike dhe, sipas ketij autori, kjo na perbekej te “panjohuren e dyte”!!!

Nuk e dime se sa e njeh historine e LANC zoti Genc K.Hoti, por, pa dashur ta fyejme aspak, po i kujtojme, se Enver Hoxha dhe drejtues te tjere te larte te Frontit Nacionalclirimtar dhe te PKSh kishin njohje te hershme me Babe Myslimin. Ata siguruan lidhje te ngushta qe para se te themelohej PKSh. Sa per kujtese po shenojme ketu, se Enver Hoxha organizoi ne fshatin Grebllesh te krahines se Pezes nje takim me Babe Myslimin dhe Ceten e tij Antifashiste qe me 28 qershor te vitit 1941, domethene disa muaj para se te themelohej PKSh. A behet fjale ketu per ndonje “te panjohur” zoti Genc?!

Ne emer te komunisteve Enver Hoxha i dergoi Cetes Antifashiste te Pezes komisar shkodranin e lavdishem, komunistin Vasil Shanto qe para krijimit te PKSh. Pra, si nuk paska pasur lidhje me Pezen?! Ne Ceten Antifashiste te Pezes shkoi e militoi para krijimit te PKSh edhe komunisti Qemal Stafa.

Ne po kete Cete qe ne ato dite te para te krijimit te PKSh shkuan dhe luftuan bashke me trimat e lavdishem pezake komuniste te tille, si Mihal Duri, Pandi Nasho, Kristo Themelko e shume te tjere.

Keto e shume fakte te tjera, a nuk deshmojne lidhje me Pezen?

.           .

Le te citojme edhe nje fragment tjeter “interesanr” te shkrimit: “Peza nuk i perket komunizmit, por nacionalizmit shqiptar dhe eshte pika ku populli shqiptar mund te krenohej njesoj si me 1912, 1878-1881, apo 1444”.

Me mendimin e shprehur me lart lihet te kuptohet, se autori ka bere ndonje zbulim te madh shkencor ne fushe te historiografise. Ne fakt, askush nuk eshte shprehur, se Peza i perket komunizmit. E verteta eshte, se te gjithe jane shprehur, madje me ze te larte, se Peza perqafoi qe ne fillim rrugen e nacionalisteve te ndershem, e theksojme: te nacionalisteve te ndershem; ne radhe te pare te Myslim Pezes, pastaj edhe te Haxhi Lleshit, Baba Faja Martaneshit me shoke, rruge qe perkoi ne ato kohe vetem dhe vetem me ate qe orientonte dhe frymezonte PKSh. Rruga e Ballit Kombetar, me Mit’hat Frasherin me shoke, dhe ajo e legalisteve me Abaz Kupin me shoke qe rruga e krimit dhe e turpit kombetar.

Dhe thone, se ne tregun e sotem te publicistikes nuk u shitkan hedhurina historike!

 

 

 

Gazeta Peza, gusht        Dhimiter Shtembari

 

Ketij artikulli ju pergjigja me artikullin: Te nderuar “historiane”! Peza eshte e nacionalisteve dhe jo e komunisteve, por qe gazeta “55” nuk e botoi.