54 – Tragjedia e të vërtetave historike shqiptare
(ose hakmarrja primitive e historisë)
Kaluan mbi shtatë vjet nga dita e vdekjes së njeriut që shkroi historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Ngjarjet madhështore plot suksese të famshme tashmë janë vënë në dyshim të plotë nga pjesmarrësit në to. Kur e vret mëndjen për këto gjëra dhe e kupton se padia jonë e sotme është fitorja e përgjakshme e Enver Hoxhës mbi Historinë, Drejtësinë dhe shpirtin e stërplakur të shqiptarit, të vjen të ulërish me sa ke në kokë për madhështinë e rreme të historisë së tij. Këtë nuk bën të mos e dish, për këtë nuk bën të mos interesohesh. Ai që nuk kërkon të dijë, ai që nuk interesohet, e lë Enverin fitimtar të gjallojë nganjëdhimtar në histori. Kryesorja që përfitoi enverizmi nga njeriu shqiptar ishte gadishmëria për të mohuar. Atë e arritën me torturat e pafund në qelitë e burgjeve të famshme enveriste, atë e demostruan në proçeset gjyqësore shëmbëllore për të gjithë njerëzimin dhe për të gjithë kohërat. Enveri imponoi tek shqiptarët figurën e Uriah Hipit. Të mohosh nënën, të mohosh babanë, të mohosh gruan apo burrin, të mohosh fëmijët e tu, të mohosh ç’të shohin sytë e ballit e ç’të dëgjojnë veshët, të mohosh vetveten dhe kujtesën tënde –ja kjo ishte deviza enveriste që i’u imponua njeriut shqiptar të mesit të dytë të shekullit të XX-të. Dhe ka nga ata intelektualë të pafytyrë që e akuzojnë shqiptarin e sotëm për nihilizëm.
Lufta kundër tyre është dituria, është fitorja më e madhe mbi të kaluarën, është mohimi i krimit kolektiv (ky është pak a shumë kuptimi i terrorit stalinist që vë në dukje autori i librit “Arrestimi i Rublës”).
Duke u marrë dhe interesuar për madhështinë e ngjarjeve historike të kaluara, zbuluam tragjedinë e të vërtetave shqiptare. Në fakt merita inisiatore e zbulimit të kësaj të vërtete i takon intelektualëve të nderuar shkodranë, të cilët tashmë nuk jetojnë më në mes nesh. Rreth 15 vjet përpara ata patën shprehur revoltën për faktin se në delegacionin gjirokastrit, që pat ardhur për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit në Shkodër, Enver Hoxha nuk pati qënë kur vetë këta intelektualë kishin marrë pjesë aktive në organizimin e mitingut. Detyrimisht edhe fotografia që paraqet Enverin duke folur nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës (foto 1,2 ose nuk është reale, ose nuk ka lidhje me atë ngjarje). Argumentimi dhe vërtetimi shumë formësh i dinamikës së kësaj ngjarje, me domethënie historike për Enver Hoxhen, ka kushtuar plot 15 vjet duke kaluar nëpër një sërë peripecish, por kur ai u zbulua plotësisht nxorri në dritë disa fakte të tjera me nënkuptime më të thella për figurën e diktatorit.
Arësyeja që na detyroi t’i publikonim tani këto fakte u bë një artikull i botuar në gazetën “Besa” të botuar në Shkodër në muajin mars 1992 ku shpallej me ngjyra sensacionale shkaku përse Enver Hoxha pushkatoi Padër Anton Harapin më 1946, ku sipas autorit ngjarja ishte pikërisht kjo që do të analizojmë këtu poshtë dhe ku kleriku patriot kishte mbajtur një fjalim të bukur (kështu është në fakt), kurse Enveri nuk kishte qënë i aftë të tregonte talentin e vet prej oratori (kjo përbën gënjeshtrën e artikullit). Me sa kemi kuptuar shumë artikuj publikohen për të fshehur të vërtetën se sa për ta ekspozuar atë. Pushkatimi i Pader Anton Harapit duhet te kete lidhje me kete ngjarje, por jo sipas pikepamjes te autorit te artikullit. Ne ate ngjarje duhet te fshihet dicka tjeter per tjeter dhe ne marrim persiper ta zbulojme.
Pa frikë themi se materiali që po publikojmë është më i ploti për këtë ngjarje dhe lexuesi le të konkludojë vetë mbi saktësinë e tezës sonë.
Më 1978 u botua një album me rastin e 70 vjetorit të Enverit ku, midis të tjerash, botoheshin dy fotografi mbi ngjarjen e Shkodrës. Sipas albumit ngjarja kishte ndodhur më 1937 dhe jepej delegacioni gjirokastrit prej 7 pjestarësh dhe një fëmijë ku Enveri kishte kostum të zi (foto 3); si dhe Enverin duke folur i vetëm nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës me shikim nga mitingu dhe kostum të hapur (foto 2) (data nuk jepej). Ngjyra e kostumit dhe drejtimi i syve në dy fotografitë paraqet interes të veçantë pasi këto vogëlima do të shërbejnë më vonë për të ballafaquar me materiale të tjera.
Fotografia e delegacionit gjirokastrit u publikua përsëri më 1982 në albumin me rastin e 75 vjetorit të Enverit pa asnjë ndryshim nga publikimi i 1978-ës.
Por një album shumë interesant mbi historinë kombëtare, prodhuar nga Fototeka “Marubi”, botuar më 1982, nxjerr në dritë faktin se ngjarja ka ndodhur më 14 shtator 1936 dhe fotografia e parë e albumit është ajo e Enverit duke folur i vetëm nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës me sy të ulur (foto 1). Në faqen përbri jepet një pasazh i kujtimeve të Enverit për këtë ngjarje ku veçojmë dy fakte: së pari koha ka qënë e një stine që kërkonte pallto dhe, së dyti, kleri katolik ka bërë propogandë që populli të mos e priste mirë delegacionin dhe të mos kishte entuziazëm.
Një kërkim i mëtejshëm në Fjalorin Enciklopedik përmbys këtë fakt duke përcaktuar lajmin se eshtrat e Çerçiz Topullit u transportuan nga Shkodra më 1937. Pa kaluar një vit nga dalja e këtij fjalori doli albumi mbi jetën e Enver Hoxhës (bot. 1986) ku u botuan tri fotografi, dy nga të cilat për këtë ngjarje. Fotografia nr 3 (foto 4) tregon Enverin duke folur nga ballkoni i Bashkisë (1936), por tashmë me një grup të tjerësh ku midis të cilëve dallohet kleriku Padër Anton Harapi. E veçanta e fotografisë është se ngjyra e kostumit qëndron midis ngjyrës së zezë dhe asaj të hapur (me sa duket e kuptuan defektin e mashtrimit, por ishte vonë). Fotografia nr 4 jep delegacionin gjirokastrit (foto 3)
pa asnjë ndryshim nga botimet e mëparshme dhe fotografia nr 5 (foto 5) jep faksimile të fjalës së Enverit mbajtur para varrit të Bajo Topullit dhe të botuar në gazetën “Demokratia” e dt. 01 gusht 1936 ku fjala e Enverit është në faqen e parë dhe si kryeartikull i gazetës në fjalë.
Pas të gjithë këtij materiali kontradiktor shtrojmë pyetjen: si është e vërteta e ngjarjeve të përshkruara në ato fotografi dhe a ka qënë Enver Hoxha në mitingun e Shkodrës? Lexuesi duhet ta marrë me mënd se këtu fshihet diçka pasi e njëjta fotografi botuar tri herë në botime të ndryshme ka drejtime të ndryshme sysh dhe, ç’është më e bukura, në dy kohë të ndryshme të së njëjtës ngjarje Enveri na paraqitet me dy kostume të ndryshme në ngjyrë. E njëjta situatë paraqitet edhe për personazhin tjetër të fotografisë, Zenel Prodanin, i cili ka dy kostume të ndryshme brënda të njëjtës ditë (vetëm në qoftë se ata kishin marrë garderobat me vete).
Së pari duam të sqarojmë lexuesin se kryeartikulli i gazetës “Demokratia” e datës 01 gusht 1936 nuk është fjala e Enverit, por artikulli “Populli dhe zyrtarët” (foto 6); ndërsa fjala e Enverit botohet në faqen e katërt, pas mesit të kollonës së dytë (foto 7) ku mësojmë se Enveri atë vit ka qënë student në drejtësi dhe jo i kthyer përfundimisht në atdhe pas pushimit nga puna në Belgjikë, siç është pretenduar gjithmonë.
Ndërsa kronologjia e ngjarjes në Shkodër, duke u mbështetur në shtypin e kohës, është pak e ngatërruar po të analizohet sipas orëve. Megjithëatë ajo është si më poshtë:
Sipas gazetës “Demokratia” Nr 508 e datës 26 shtator 1936 rezulton se eshtrat janë kërkuar, por nuk janë gjetur dot. Merita për gjetjen e tyre i takon Javer Hurshitit, prefekt i Shkodrës më 1936. Por nga një pjesmarrës në atë miting (emri i të cilit nuk ka qënë i autorizuar të përmëndej para vdekjes dhe quhet Profesor Rrok Zojzi) mësojmë se vëndndodhjen e eshtrave dhe shkakun e vrasjes se “herojve” e dinte i gjithë populli i Shkodrës dhe merita e Javer Hurshitit qëndron vetëm në publikimin e faktit, nga e muarën vesh zotërinjtë nga Gjirokastra; të cilët u nisën për në Shkodër ku arritën me 14 shtator 1936. Kjo e dhënë jepet në gazetën Cirka të datës 27 shtator 1936 (nr. 9), faqe 141 – 142, sipas së cilës i pari foli profesor Ernest Koliqi (fjala e tij botohet në gazetën “Demokratia” të dt. 10 tetor, kurse Padër Anton Harapi foli nga shkallët e PTT së vjetër pa na dhënë datën se kur është organizuar mitingu në fjalë (fjala e Padër Anton Harapit botohet e plotë nga gazeta Demokratia e dt 03 tetor 1936)). Por këtë datë e jep revista “Përpjekja Shqiptare” Nr1, tetor 1936, faqe 49, sipas së cilës me 15 shtator 1936 në Shkodër zbuloheshin dy varret e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit. Pas mitingut eshtrat e personazheve historike u nisën për në vëndlindjet e gjithseicilit ku ato të Çerçizit arritën në Gjirakastër me 15 shtator 1936 ora 4 e 30 minuta duke kaluar nëpër Berat dhe Këlcyrë (gazeta Demokratia Nr 508, datë 26 shtator 1936). Po të merret i vërtetë ky fakt rezulton që mitingu në Shkodër të jetë realizuar në mëngjes herët dhe të ketë qënë i shkurtër. Ekziston nje fotografi e delegacionit gjirokastrit (pronë e z. Qerim Vrioni) kur kalon nëpër Berat dhe ku ndodhet vetem z. Beso Gega dhe paria e Beratit. Mungesa e Enver Hoxhës ne kete fotografi duhet të argumentojë, në mënyrë suplementare, se ai nuk ka qënë në Shkodër me rastin e marrjes së eshtrave të Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit më 15 shtator 1936.
Nga i gjithë ky material ne nxuarëm kronologjinë më të mundëshme të ngjarjes duke eleminuar karambolet që na jep shtypi i kohës dhe konkretisht:
Me 14 shtator 1936 arrin në Shkodër delegacioni gjirokastrit i përbërë nga të afërmit e patriotit Çerçiz Topulli (i vëllai, Junuzi) dhe një sërë zotërinjsh nga paria intelektuale e Gjirakastrës dhe gjirokastritë të tjerë me banim në Tiranë, si z. Emin Toro (babai i aktorit Qenan Toro), etj. I gjithë delegacioni kryesohej nga z. Beso Gega (babai i Liri Gegës, cka duhet te jete nje fakt perse u pushkatua kjo e fundit, foto 9). Po me 14 shtator, mbas dite, anëtarët e delegacionit nxjerrin eshtrat nga varret dhe i vendosin në sallën poshtë Bashkisë. Me datën 15 shtator në mëngjes, rreth orës 9 në qëndër të Shkodrës mbahet mitingu i përmotshëm ku folën profesor Ernest Koliqi. Nuk ka asnjë të dhënë mbi pasjen e ndonjë fjalimi nga anëtarët e delegacionit gjirokastrit. Më pas bëhen fotografitë e rastit, nxirren arkivolat dhe merret rruga për në Tiranë. Në kohën kur kortezhi i përmotshëm kalon qëndrën e Shkodrës i del përpara Padër Anton Harapi, hypur mbi një karocë, i cili i drejtohet delegacionit gjirokastrit me një fjalim përshëndetës të filluar me fjalët:
“-Ndalni burrat e Gjirokastrës, Shkodra e ka një fjalë me Ju!”
duke i përcjellë eshtrat e te vdekurve në mes të duartokritjeve të zjarrta të popullit të Shkodrës që përshëndeste klerikun patriot, njeriun e unitetit të popullit shqiptar. Duhet vënë në dukje se kleriku i famshëm ishte mik i ngushtë i shume familjeve në Gjirokastër ku mund te permend: familjen Dilo, dhe Meksi. Në fototekën “Marubi” gjënden: fotografia e delegacionit gjirakastrit me shumë më tepër anëtarë se sa në foto 3 (26 persona, foto 9), fotografia e Zenel Prodanit duke i folur popullit të Shkodrës ( a ka lidhje me këtë ngjarje kjo fotografi është për t’u diskutuar, por në sfond të ballkonit dallohet koka e Enver Hoxhës) dhe dy fotografitë e Padër Anton Harapit duke i folur popullit të Shkodrës dhe duke i dhënë dorën vëllait të patriotit, z. Jonuz Topullit, mbi arkivolin e Çerçizit.\
Ne u kapëm tek fotografia e cila e paraqet Enverin duke folur nga ballkoni i Bashkisë. Kjo fotografi nuk ka lidhje me ngjarjen e lidhur me marrjen e eshtrave te Cerciz Topullit dhe Muco Qullit me 15 shtator 1936 nga qyteti i Shkodres dhe këtë e themi me bindje të plotë jo vetëm për të metat e thëna më lart, por edhe për katër fakte të tjera që shoqërojnë fotografinë. Së pari në ballkon nuk gjëndet asnjë nga anëtarët e delegacionit gjirokastrit; së dyti Padër Anton Harapi nuk ka qënë në ballkon gjatë mitingut (në të vërtetë pretendohet se mitingu nuk është mbajtur fare para Bashkisë, por në qëndër të qytetit); së treti, vini re me kujdes hijen e flamurit të projektuar në mur, ajo është krijuar për të mbuluar një linjë tensioni, me lartësi 2,4 m mbi tabanin e ballkonit, kur flamuri që ka mbi kokë z. Prodani është 2,3 m. Dmth hija e flamurit është më lart se vetë flamuri edhe pse dielli është më lart se të dy. Injoranca e fallsifikatorëve duket sheshit. Së katërti, mitingu është realizuar në mëngjes herët, ndërsa fotografia është të paktën dy orë më vonë. Për të hequr çdo dyshim mbi këtë fakt ne me 28 mars 1992, ora 1100 bëmë një fotografi të ballkonit të bashkisë së atëhershme (foto 8) dhe këndi i pjerrësisë së reflektimit të diellit, që përcakton orën e saktë, rezultoi shumë më i madh (shikoni hijen e ballkonit). Mbi këtë bazë del i qartë fallsifikimi i fotografisë pasi lartësia e diellit me 15 shtator është e njëjtë me atë të datës 29 mars, gabimi ka qënë vetëm 24 orë.
Por mbetet forografia e delegacionit gjirokastrit e cila në fakt nuk është tipikisht e njëjtë me origjinalin, që nuk gjëndet më, por që mund të verifikohet lehtësisht. Varianti i publikuar (pronë e familjes Topulli) përmban në vetvete 26 persona ku përmblidhen anëtarët e delegacionit, paria e Shkodrës, si dhe vetë Enveri, kostumi i të cilit ndryshon nga ai i ballkonit të Bashkisë brënda disa orëve.
Pas të gjithë këtyre shtrojmë pyetjen: përse i është dashur Enverit ta fallsifikojë ngjarjen historike të marrjes së eshtrave të patriotëve: Për dijeni të lexuesit qëllimi nuk ka qënë për të fallsifikuar këtë ngjarje, por për t’i fshehur publikut shqiptar një akt të Enverit, i cili gjëndej i pasqyruar në fotografitë e plakut patriot, Kel Marubi. Ka qënë pikërisht kjo fotografi që e detyroi Z. Gegë Marubin të dorëzojë “vullnetarisht” fototekën “Marubi”, ndoshta mrekullinë e vetme të botës shqiptare, e cila sot gjëndet e masakruar nga marrësit e “dhuratës”. Mos të kujtojë lexuesi se kjo fotografi anonime, e ndryshuar në thelbin e saj, lidhet me ngjarjen e vitit 1936. Fakti që ajo gjithmonë, sa ishte gjallë Enveri, është publikua si e ndodhur më 1937 dhe përputhet me zërat pretendues që Enver Hoxha ka qënë në Shkodër më 1937 si i dërguar i Musa Jukës (ministër i brëndëshëm në kohën e Zogut mbret) për të formuar rininë zogiste, prandaj dhe pat urdhëruar që publikimi i ngjarjes së vitit 1936 të publikohej si e bërë më 1937, duhet te sherbeje se argument per te vertetuar se qyteti i Shkodres fsheh nje nder sekretet politike te jetes se Enver Hoxhes. Ne e kërkuam me këmbëngulje të gjatë këtë fakt, por nuk qemë në gjëndje ta gjenim dot. Vetëm një studim i hollësishëm i ditarit të fototekës “Marubi” mund të çojë në zbulimin e së fshehtës, të tmershme për Enverin, pasi fotografia që paraqet kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Zenel Prodanin, ku Enverit i duket koka në sfond mund të jetë pikërisht ajo që ne kërkojmë dhe që gjëndet realisht në fototekën “Marubi” edhe sot. Per kuriozitet shtepia e nje trashegimtari te fototekes Marubi eshte djegur me 1999 pasi atje eshte pretenduar se gjendet nje kopje e ditarit te fototekes dhe familjaret akoma nuk e kane marre vesh. Menyra dhe rruga e transmetimit te informacionit ka qene e lidhur me familjen Hoxha qe ne vitet 80-te, por nuk u pat ezauruar pasi kerkush nuk e dinte kete. Ajo u muar vesh nga njerezit e brendeshem te familjes vetem ate vit nga une, pasi ja kisha thene kete fakt avokatit te Nezhmije Hoxhes, dhe per te mbuluar te vetmin burim te diskretitimit u vune flaken shtepise niperve te Kel Marubit.
Ky Enver qe i pari në historinë e popullit shqiptar që gjeti dhe zbatoi formulën e bashkimit objektiv të propogandës kombëtare me përdorimin e metodave mafioze, gjë e paarritëshme nga Hitleri apo Stalini. “Falë kësaj formule të gjitha kategoritë morale dhe normat e pranuara si të zakonshme për sjelljen njerëzore iu nënshtruan një proçesi shndërrimi dialektik të përhershëm: vesi mund të bëhej – virtyt; çnderimi – nderim, detyra – një paragjykim dhe poshtërsia – një akt heroizmi ose anasjelltas” (Ismail Kadare). Dhe vetëm mbi këtë bazë u formua dhe u zhvillua njeriu i ri shqiptar i sotëm i cili po bredh gjithë botën për të gjetur diellin e vet iluzor, njësoj si Moiseja nëpër shkretëtirë.
Tiranë 06.12.1992
Ky artikull është shkruar në shumë variante dhe i është bashkangjitur jetës së Enver Hoxhes në kuadrin e historisë së PPSh-re. Ky është varianti i parë i ripunuar tani
Shënim
Ky artikull është i dyti për nga rëndësia ne krijmtarine time pasi duke qarkulluar nëpër redaksi të ndryshme mori në qafë shumë gazetarë dhe redaktorë, së fundi u kopjua mbi çbazë u kundërshtua hapur në shumë libra dhe artikuj pa permendur pretendimet e mia. Mund të përmënd librin e Kristo Frashërit mbi historinë e lëvizjes së majtë shqiptare, f. 220, Tiranë 2006, por qe pranon se dikush e kundershton kete fakt; apo librin e Kastriot Dervishit mbi shërbimin sekret shqiptar, f. 323, Tiranë 2007, që u shoqërua me një artikull të botuar në Gazeta Shqiptare ku përmëndej tamam kjo ngjarje; artikullin e Besi Bekteshit i cili shkruan se “normalisht Enveri ka qenë në Shkodër” botuar ne gazeten “Sot”, duke botuar dhe nje fotografi mbi varrin e hapur ku ndodhet kinse edhe Enver Hoxha, pamja e se ciles (hijet e diellit) duket sikur ngjarja ka ndodhur ne mesdite; ky studiues e citon gati te plote pretendimin tim duke i cituar argumentat si te tijat dhe duke mos i pranuar. Shtrohet pyetje perse gjithe kjo pune per te fallsifikuar nje ngjarje. Cfare fsheh realisht ajo dhe perse ekstremet e kategorive intelektuale po merren sot me te? Nuk e kuptojne valle keta studiues, gazetare e autore se me kete diskretitojne veten e tyre duke treguar fare hapur se cfare jane dhe kujt i sherbejne. Disa fotografi nga ky artikull, i publikuar ne internet (shih albanovaonline.com, logoreci.com, www.genchoti.com), jane marre nga Blendi Fevziu dhe perdorur ne librin e tij mbi Enver Hoxhen (f.379-380) i cili tenton te pergenjeshtroje fallsifikimin e ngjarjes duke treguar fallsifikimin e fotografive.