5- Kush e masakroi historinë e populli Shqiptar?
Edhe pse materialet për këtë artikull kishin kohë që flinin në bibliotekën tonë, ne nuk po gjenim dot krahasimin e mundëshëm midis asaj që po ndodhte në Shqipëri dhe një ngjarje analoge të ndodhur në botë, pasi çdo veprim i këtij karakteri ishte bërë me qëllim për të mbuluar negativitetin e veprimit dhe fshirësit e krimit e kishin bërë këtë me kaq talent sa as sot nuk po gjëndet e vërteta. Por ajo që po ndodhte tek ne ishte me përmasa fantastike në kuptimin më të saktë të fjalës, që duhet të jetë pikënisja e zbulimit përse u hapën ambasadat në korrik të 1990-ës.
E vetmja gjë që mund t’i afrohej mashtrimit shqiptar, sado pak, ishte biseda midis ministrit hitlerian të propogandës, Gëbelsit, dhe gazetarëve ushtarakë. Pyetjes se çfarë do të thoshte bota për të gjitha ato krime, Gëbelsi pati dhënë një përgjigje sipas idesë: në qoftë se fitojmë ne, atëhere historia do të shkruhet sipas dëshirës sonë; dhe në të kundërtën, sido që të veprojmë sot, armiqtë do të na shajnë nesër!
E bukura është se historia e Shqipëriaë është fallsifikuar, përveç pas 1939, edhe para prillit ogurzi; dhe ky fakt ka qënë vendimtar për të studiuar disi me hollësi këto veprimtari, të cilat populli ynë ose nuk i di ose i ka kaluar në heshtje. Ne do të analizojmë vetëm tre raste pasi disponojmë dokumentacionin më të plotë për to.
Më 1990 doli në shtyp një librë mbi rrugën e shkrimit shqip me titull. “Nëpër udhët e penës shqiptare” të autorit Ibrahim D. Hoxha, e cila kishte një veçori të rrallë jo vetëm në përmbyjtje dhe në materialin fotografik, por edhe diçka tjetër; dhe ky fakt qe ai që na shtyu ta marrim dhe ta lexojmë me një frymë këtë libër. Libri në fjalë ishte dorëzuar në shtyp më 1984, kishte dalë nga shtypshkronja më 1986 dhe ishte shitur vetëm më 1990. Në kapitullin mbi kongresin e Manastirit 1908 (f. 210) jepej një fotografi, e cila përveç zbehtësisë kishte dhe zhdukjen e disa personave (foto 1). Gjetën analogen e saj(fot. 2) dhe bëmë krahasimin, rezultoi se numuri 1, 2, 19 mungonin. Në kërkim të tyre zbuluam se numuri 2 në fotografi ishte kryetari i Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta. Përpara nesh u shtrua pyetja: përse ishte zhdukur fotografia e tij dhe çfarë përfaqësonte ai për fallsifikatorët e historisë shqiptare? Artikulli i F. Çakullit reth akrobatllëqeve në Enciklopedinë shqiptare vetëm sa e preku këtë fakt, por autori nuk na tregoi të gjithë biografinë e At Gjergj Fishtës në atë kongres dhe ky duhet të ketë qënë shkaku përse ai nuk figuron në asnjë material për Kongresin e Manastirit. Nuk është i mjaftueshëm fakti i pranimit të At Gjergj Fishtës si kryetar i atij kongresi ( i zgjedhur në atë detyrë me 49 vota pro nga 53; -edhe në Kongresin e gjuhës shqipe votimi nuk ka qënë 100 % apo 99,99%); por ai ka qënë edhe më tepër dhe pikërisht kryetar i komisionit për vendosjen e alfabetit të gjuhës shqipe; -kjo ka qënë gjëja më kryesore e figurës së tij në atë kongres. Kur ne sot kostatojmë se gjuha e jonë shkruhet nga ai alfabet i vendosur nga At Gjergj Fishta e marrim me mënd se si e ndjejnë vehten fallasifikatorët e historisë dhe ata që nuk i deshën të mirën popullit tonë, prandaj dhe u munduan ta zhdukin një herë e mirë qoftë si atdhetar qoftë si poet e qoftë si shqiptar. Madhështia e tij universale ka qënë një halë në sy për kupolën e piramidës të popullit tonë, prandaj e luftuan me egërsi dhe injorancë duke ja fshehur popullit shqiptar autorin e vërtetë të alfabetit të[ gjuhës shqipe (a ka injorancë më të madhe kur nuk di autorin e alfabetit të gjuhës së nënës dhe të dish autorin e alfabetit sllav?).
Mirëpo të heqësh disa persona nga fotografitë nuk është fallsifikim, por fshehje do të thonin skeptikët e politikës këtu në Shqipëri. Dhe në fakt ashtu duhet të merret, përderisa të gjithë armiqtë (në thojza) e Shqipërisë nuk figurojnë nëpër enciklopedira, muzeume apo ngjarje memoriale. Por ja që edhe kjo nuk është e vërtetë pasi kemi gjetur (nuk jemi ne të parët) fallsifikime tipike të një fotografie, vlera e së cilës është e pakrahasueshme. Në një libër mbi Luigj Gurakuqin (Tiranë 1962), midis faqeve 304-305 botohet një fotografi (fot. 3) ku thuhet se L. Gurakuqi, I. Qemali e I. Boletini tue zbritë në Vlorë për të ngritur flamurin. Pikësëpari ajo nuk është një pamje drejt Vlorës, por drejtë Durrësit dhe, së dyti, sipas fotografisë dhe shënimit, rezulton që I. Boletini na paska qenë me I. Qemalin dhe jo i ardhur pas tre ditësh siç është trumbetuar nëpër filma e kumtesa (me 30 nëndor në mëngjes ai ka qënë në Vlorë me siguri). Por kjo nuk është kryesorja në këtë fotografi, pasi po të krahasohet me të njëjtën fotografi (fot. 4) botuar në revistën “Leka” 1937 (f. 41) me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, do të dallonim një ndryshim tek personi i dytë majtas nesh, ngjitur me L. Gurakuqin. Pra fotografia e botuar tek libri mbi L. Gurakuqin është e falsifikuar. Po kush është ky person i cili paska qënë kaq i domosdoshëm për t’u zhdukur nga historia e popullit shqiptar?
Nuk e besojmë të gjëndet në Shqipëri ndonjë personazh më interesant se Mark Kakarriqi, i cili përmblidhte në personalitetin e tij atë çka duhet të ketë një njeri dhe atë çka nuk duhet ta ketë. Pjestar në lëvizjen kombëtare për shpalljen e pavarësisë (1912); tregëtar aventurier me një veprimtari afariste shumë të gjërë duke përfshirë edhe Rusinë, ku më 1918 ndihmon Leninin personalisht me furnizime gruri ku ndodhej i rrethuar në Petrograd, -gjatë asaj kohe siguron disa piktura me famë botërore, të cilat I. Erenburgu i rrëmbeu pas 1944 pjesërisht (shpëtoi vetëm “Çifuti shetitës” i Rembrandit); mashtron italianët për një fabrikë birre në Shkodër në vitin 40; bëhet kryetar i bashkisë së Shkodrës gjatë pushtimit fashist dhe pastaj zhduket nga historia e Shqipërisë. Me sa duket kjo e fundit e ka dënuar me vdekje për të dytën herë. Arësyeja përse pionierët e Enverit u ngritën kundra komitetit të partisë së rrethit më 02 prill duhet t’i dedikohet faktit se ata janë edukuar në shtëpinë e këtij “armiku” (shtëpia e pionierit në Shkodër ka qënë pronë e tij).
Pas këtyre dy rasteve shtrojmë pyetjen: kush ka qënë ai që ka kryer këto fallsifikime në historinë statistikore fotografike shqiptare? Për gjithkënd mund të mendojmë, por për autorët e librave të botuar pas 1944-ës nuk mundemi dot pasi kritika nuk do ta linte këtë rast t’i largohej nga dora, por duke ditur se në Shqipëri nuk ka pasur kurrë as kritikë e as origjinalitet shkencor ja vumë vizën kësaj hipoteze dhe ngritëm supet kundrejt pyetjes. Po si i bëhet halli?
Kjo punë do të mbetej shterpë nëqoftë se nuk do të kishim veprat madhore të Enver Hoxhës, i cili edhe në këtë rast na nxorri nga situata, meqënëse autori i falsifikimeve ishte vetë ai.
Lexuesi do të habitej me këtë akuzë, pasi nuk ja merr mëndja ndonjë shqiptari që udhëheqësi 40 vjeçar na qënka marrë edhe me fotografi, përveç brisqeve (këtë të fundit e dimë nga Shefqet Peçi). Por ja që qënka pikërisht kështu dhe ja se si:
Në veprën kujtimore “Vitet e vegjëlisë” në faqet 79-82 autori flet për xhaxhanë e tij, Hysen Hoxhën, i cili paska qenë një ndër ata që ngritën flamurin në Vlorë, ku në faqen 81 jepet dhe një fotografi e kuvendit të Vlorës më 28 nëndor 1912. Me një arësyetim të thjeshtë menduam se për të vërtetuar saktësinë e fotografisë dhe pretendimin e Enver Hoxhës duhej që firma e Hysen Hoxhës të ndodhej në aktin e madh të shpalljes së pavarësisë: Shfletuam me rradhë të gjithë literaturën historike pas 1944-ës dhe në asnjë vënd nuk gjetëm atë që kërkonim. Bile në një libër me dokumenta mbi Ismail Qemalin, të përgatitur nga nusja e djalit të tij, Teuta, ramë në gjurmët e aktit të pavarësisë, por vetëm koka e tij dhe firmat nënkuptoheshin në vazhdim (f. 231). Për të shkurtuar kohë muarëm me imtësi vitet jubilare të shpalljes së pavarësisë dhe rastësisht (më ndihmoi një shoqe, A.Kulla) ramë në disa gjurmë të pjesëshme, por që u bënë dhe zgjidhësja e problemit përfundimisht. Më 1962 ishte botuar një album me fotografi të rilindasve tanë ku ndodhej edhe akti i shpalljes së pavarësisë, veçse tepër i cunguar, por që përmbante edhe fotografinë që Enver Hoxha e kishte kërkuar, sipas pretendimit të tij, për disa dekada dhe e kishgte gjetur vetëm më 1972. Ky fakt na vuri në dyshim të plotë mbi atë çka thuhej në librin e tij. U hodhëm në krahët e literaturës së para 1939-ës dhe me lehtësi gjetëm dy fakte të plota. Në revistën “Përpjekja shqiptare”, Nr 13-1938, ndodhej akti i shpalljes së Pavarësisë i plotë (fot. 5) në faqet 26-27. Duke u marrë me interpretimin krahasues të aktit të plotë dhe atij të pjesshëm kostatuam se i ploti kishte 38 firma e gishta, por që në albumin e 1962 ishte reduktuar jashtë mase. Spikat zhdukja e Mithat Frashërit dhe firma e tij, i cili është dhe numuri 1 në fotografinë e Kongresit të Manastirit (fot. 2). Duke parë raportet e firmave me personin e gjashtë nga e majta (botuar në librin e Enverit) themi se Hysen Hoxha nuk është personi që thuhet në atë libër dhe ne nuk gjejmë asnjë dokument mbi praninë e tij në aktin e madh të 1912. Bile që të mos zgjatemi ne gjetëm dokumentin që duhet të kishte emrin e Hysen Hoxhës po të kishte qënë me të vërtetë në atë kuvend. Në librin “Shqipëria e ilustruar” 1927 (f. 25) thuhet se Kuvendi i Vlorës kishte Ismail Qemalin me 47 delegatë dhe pasqyra a në faqe XXI ka emrat e tyre ku përsëri emri i Hysen Hoxhës nuk figuron; akoma më tej “Shqipëria e Ilustruar” 1927 ka edhe fotografinë e atij kuvendi e cila është po ajo e botuar në librin “Vitet e vegjëlisë” dhe gjëndet në këtë libër të fundit vetëm si një sajesë të autorit për të pasuruar biografinë e tij me bëma kombëtare ku, sipas tij, edhe ai ishte i tillë.
A kemi ne të drejtë të themi se ka qënë vetë Enver Hoxha ai që ka fallsifikuar dhe shtrëmbëruar historinë e popullit tonë vetëm e vetëm pse kështu i është dashur politikës së tij sunduese për të mos i dhënë asnjë krahine supremaci përveç familjes së tij?
Vetëm tani e kuptojmë ne përse u detyrua Gegë Marubi ta dorëzojë “vullnetarisht” fototekën e famshme “Marubi”, prania e sajë në gjirin e popullit do të diskretitonte politikën antikombëtare të PPSh në çdo çast dhe kurdoherë.
Por ama nuk e kuptojmë aspak përse kërkohet hapja apo mbyllja e arshivave. Bindja e jonë e plotë është se jashtë arshivave populli ynë do të jetë i aftë të vërtetojë çmimin e formimit të PKSh më 1941 dhe kush e formoi realisht, vrasjet e heronjve të popullit, vrasjet dhe burgosjet e intelektualëve shqiptarë, persekutimet dhe asgjësimin e klerit në përgjithësi e atij katolik në veçanti, hapjen e ambasadave më 02 korrik 1990 e deri tek fallsifikimi i historisë së tij. Le të betonohen arshivat, le të digjen dokumentat, është kujtesa e popullit shqiptar dokumenti më autentik i masakrimit dhe i vjedhjes së tij gjysëm shekullore.
Tiranë më 12 prill 1991
Numurat e fotografive janë sipas fotografive të dorëzuara në redaksinë e gazetës, por që ajo nuk i ka botuar. Është botuar varianti sipas dorëshkrimit tim dhe jo sipas gazetës.
-Ky artikull zë një vënd të posaçëm në krijmtarinë time jo vetëm si i pari i botuar, por ky artikull publikoi për herë të parë aktin e shpalljes së pavarësisë. Ishte njëkohësisht dhe artikulli i parë kundra Enver Hoxhës pas ngjarjeve të 1990-1991 dhe vendosjes së demokracisë së brishtë. Ky artikull shërbeu për t’i hequr frikën ish pushtetarëve komunistë të persekutuar nga Enver Hoxha të cilët pas daljes së tij afruan kujtimet e tyre si Ymer Dishnica, Bedri Spahiu. Liri Belishova, Drita Kosturi, etj Pas këtij artikulli kjo gazetë nuk pranoi më artikuj të mij për arësyet e saja.