Artikuj

25- Dialektika e Krimit 20.07.1992

Posted by Genc Hoti

Loading

25-Dialektika e krimit

              (në kujtim të pesë heronjve të Vigut)

 

Me datën 17 korrik 1992 “Zëri i Popullit” kopjoi nga simotra e vet, “Kushtrim brezash”, duke e botuar, një artikull i cili bënte fjalë mbi riabilitimin e atyre që kishin bashkëpunuar me “pushtuesit” fashistë. Sa po kaloi 24 orëshi Fatos Nano, duke hapur fushatën elektorale për zgjedhjet lokale, deklaroi të njëjtin përfundim. As veteranët e Mirditës dhe as Fatos Nano nuk kanë se si ta dinë që i gjithë informacioni i ngritur në këmbë për 50 vjet nga PPSh është i gënjeshtërt dhe falls. Nga çdo këndvështrim që të shihet e kaluara e viteve 1942 – 1949 ajo nuk është aspak ashtu siç është propoganduar gjatë këtij gjysëm shekulli. Tërësia e ngjarjeve në përshkruhen në atë artikull të mbapsht përbëjnë vargun e krimeve dhe tradhëtive të PKSh – PPSh, të cilat po të analizohen veçmas zbulojnë rrugën kriminale të Enver Hoxhës dhe PKSh-re, dmth zbulojnë dialektikën e krimit kombëtar.

Për të kuptuar se kush i vrau dhe pse u vranë pesë heronjtë e Vigut duhet përcaktuar më përpara kronologjia e ngjarjes, e cila nuk është ashtu siç është thënë deri më sot. Paraprakisht duhet thënë se vrasjet e pesë heronjve të Vigut u realizuan vetëm për një qëllim: duhej vrarë me çdo kusht Ndoc Mazi, ish sekretari politik i qarkorit të Durrësit (sot pranohet se ka qënë sekretar i PK të Shkodrës, dega Durrës). Vrasja e tij është e lidhur në thelb me vrasjen e Mustafa Gjinishit në verë të vitit 1944, dhe që të dyja vrasjet lidhen me një emër: atë të Miladin Popoviçit, i cili kishte për detyrë të asgjësonte anëtarët e partisë komuniste të Shkodrës për t’i hapur rrugë krijimit të një partie komuniste nën drejtimin e Enver Hoxhës. Më 1942 qarkori i Durrësit, degë e partisë komuniste të Shkodrës, së bashku me Ndoc Mazin zbulojnë të gjithë gënjeshtrën e ngritur mbi figurën e Miladinit dhe të veprimtarisë së tij, në atë kohë Ndoc Mazi transferohet në Shkodër duke mbartur mbi vete sekretin. Historia fillon në Durrës ku ata qenë tetë (8) vetë dhe befas shtatë (7) prej tyre arrestohen (më 1942) pa asnjë shkak dekospirativ, shpëton vetëm Ndoc Mazi i larguar për në detyrën e re, dhe dërgohen në kampet e përqëndrimit të Gjermanisë dhe ekzekutohen (midis tyre dhe Telat Noga). Asnjëherë populli shqiptar nuk e mori vesh të vërtetën e tmershme të arrestimit dhe ekzekutimit të shtatë komunistëve të qarkorit të Durrësit. Tradhëtia komuniste pas këtij veprimi filtron njerëzit e mirëinformuar për figurën e Miladinit dhe e ndjek Ndoc Mazin për dy vjet me rradhë dhe vetëm nga mesi i gushtit 1944 arrin ta fusë në kurth. Në atë kohë i cakton një detyrë të re që do ta çonte drejt përfundimit të Vigut.

Rreth 15 gushtit Ndoc Mazi merr detyrën nga Komiteti Qëndror i PKSh-re me tre shokë: Naim Gjylbegun, Ndoc Dedën dhe Ahmet Haxhinë duke u nisur për në Shkodër ku dhe ishte objekti i detyrës, pa i rënë në të për kurthin e përgatitur. Në atë kohë drejtuesit e PKSh-re lajmërojnë forcat gjermane dhe vetë dalin jashtë loje duke i vrojtuar nga larg. Çeta e përbërë prej katër vetësh i bie nga Rubiku dhe i ngjiten grykës drejt qafë Kingjelit, mbi fshatin Velë. Dmth nuk kanë qënë pesë vetë, por katër dhe natën e 18 gushtit flenë në një shtëpi që sot ekziston akoma në këmbë rreth dy orë mbi fshatin Velë pa dalë në qafë, ku e zonja e shtëpisë, në atë kohë nuse, është një plakë e moshuar mbi 80 vjeç (bëhet fjalë për vitin 1987) e cila di shumë më tepër se historianët e Shqipërisë për këtë ngjarje. Nënë Prenda tregon: “Ata ishin katër të rinj që fjetën atë natë tek unë dhe që i përcolla të nesërmen me 19 gusht (datat janë shënuar prej meje pasi nënë Prenda nuk i mbante mënd, kështu që ato duhen marrë me rezervë, GH). duke i paisur me ushqime dhe duke i treguar rrugën për Kallmet. Pa kaluar dy orë në shtëpinë tonë erdhi një njeri, të cilin e njihnim si komunist, Bardhok Biba, dhe mori të dhëna mbi rrugën e çetës. Më pas ai njeri u bashkua me të tjerët dhe morën rrugën drejt staneve të Frekenit, djathtas shtëpisë. Më vonë unë mora vesh se të katër djemtë, bashkë me një tjetër, ishin vrarë në afërsi të Kalivaçit (dmth në Vig, GH). Nuk ka asnjë dyshim se ata i vranë komunistët të udhëhequr nga Bardhok Biba, të cilët hanin kokat e njeri – tjetrit”. Ne do të shohim në vazhdim se tregimi i Nënë Prendës përputhet saktësisht me një ngjarje që lidhet me vrasjen e Bardhok Bibës.

Me kalimin e qafë Kingjelit grupi zbret në Kallmet ku bashkohet me Hydajet Lezhën dhe arrestohen nga gjermanët, për shkaqe të lidhura me informacionin e dhënë nga drejtuesit e PKSh-re, duke i mbajtur në burg (dikush thotë se në burg u bashkua me ta Hydajeti). Me 20 gusht në drekë me urdhër të komandantit shqiptar të forcave të rendit në Lezhë, mik i babait të Hydajetit, lirohen dhe grupi merr rrugën e Mjedës, duke kaluar nëpër Vig (në të vërtetë ngjarja nuk ka ndodhur tamam në Vig, por afro 2000 metra në jug të fshatit dhe duhet marrë me rezervë). Pikërisht në këtë pikë qëndron sekreti zgjidhës i shkakut të vrasjes së pesë heronjve të Vigut si akt. Në atë fshat askërkush nuk e mban mënd ngjarjen, pleqtë kujtojnë vetën disa të shtime armësh në mëngjesin e 21 gushtit (dhe këtë me dyshim) dhe qetësia ka mbretëruar në ato livadhe ku ndodhi masakra, përpara se të zbresësh në fshatin Vig. Në ato livadhe kishin bërë pritë forcat e Bardhok Bibës, e sa për ato të Gjon Marka Gjonit apo Kol Bibë Mirakës është një gënjeshtër e sajuar për të mbuluar krimin. Dmth kurthi ishte ngritur nga bashkëveprimi i komunistave të zonës me komunistat e qëndrës dhe aspak veprim i Gjon Marka Gjonit, apo i një tjetri. Pikërisht kjo duhet kuptuar primarisht kur analizohet shkaku i vrasjes së pesë heronjve të Vigut. Kush është tradhëtari dhe krimineli në këtë mes? Në qoftë se gjermanët u konsideruan pushtuesa nga ana e komunistëve, sepse kaluan nëpër Shqipëri, përse nuk duhen konsideruar pushtuesa partizanët kur kaluan nëpër Mirditë? E gjithë ngjarja e 21 gushtit 1944 është trajtuar me tendencë për të fshehur të vërtetën mbi tradhëtinë e bërë ndaj pesë heronjve të Vigut nga ana e drejtuesve të PKSh-re. Prandaj edhe ngjarja imagjinare u pasurua me elementë fallsë për të krijuar një imazh sa më të besuar.

Pikërisht pse donencoi këtë akt, në formën e shkruar kështu, u vra Bardhok Biba për të cilin akt akuzohet Gjon Marka Gjoni me njerëzit e tij. Edhe pse sigurimi i shtetit me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun vepruan me fshehtësi të madhe nuk mundën dot ta mbulonin përfundimisht shkakun e vrasjes së Bardhok Bibës. Vrasja e tij përbën pak a shumë fundin e vargut (përveç vrasjes së Mehmet Shehut) të vrasjeve që lidhen me një fillesë. E vërteta e vrasjes së Bardhok Bibës nuk është dhe fort e vështirë të zbulohet pasi versioni i publikuar ka mjaft të meta, evidentimi i të cilave çon në shkakun real të vrasjes. Fiks para 43 vjetëve Tuk Jakova, në atë kohë sekretar i K.Q. të PPSh-së dhe zv/kryeministër i Qeverisë (dmth numuri dy pas Enver Hoxhës) thërret në raport Bardhok Bibën në lidhje me shkuarjen keq të veprimtarisë së partisë në atë krahinë kryengritëse. Në atë mbledhje ishte i pranishëm edhe M. Shehu, në atë kohë në detyrën e ministrit të punëve të brëndëshme. Biseda u krye e acaruar dhe ndërhyrja e M. Shehut e detyroi Bardhok Bibën t’i shprazej kriminelit direkt duke e akuzuar si shkaktarin e vetëm të terrorizimit të populli të Mirditës në ato vite të rënda. Nuk është  e vërtetë aspak që Bardhok Biba luftoi për unitetin e popullit të Mirditës me Partinë komuniste. Përkundrazi Bardhok Biba luftoi gjithë jetën për idealin e barazisë shoqërore sipas ideve komuniste duke tentuar t’i shtrinte ato ide edhe në Mirditë jashtë tendencave kriminale të PPSh-re dhe në atë mbledhje ai donencoi poshtërsitë që kryente partia. Duke treguar me gisht M. Shehun e tha sekretarit të PPSh: “Është partia ajo që po tradhëton popullin e Mirditës, njësoj si para pesë vjetëve në Kalivaç (duhet nënkuptuar Vigu, GH)”. Aludimi ishte i qartë si drita e diellit: vrasja tradhëtisht e pesë heronjve të Vigut nga ana e komunistëve ishte një ndër format që po aplikonte në atë kohë partia rebele dhe gjakatare në Mirditë. “Por unë –vazhdoi Bardhok Biba – do t’ja them popullit tim tradhëtinë e kryer”. Kjo deklaratë e sinqertë e mori në qafë mirditorin e penduar pas të vjelave, pasi M. Shehu menjëherë ngriti grupin e punës dhe pas dy javësh e vrau Bardhok Bibën duke kryer një sërë krimesh të tjera për të krijuar imazhin e vrasjes së tij nga ana e “kriminelëve” të maleve. Me këtë akt ai futi në grindje fiset mirditore duke realizuar përçarjen e tyre. Sa qe gjallë Bardhok Biba populli i Mirditës gjithmonë e pa me dyshim PPSh-së dhe vetëm në sajë të terrorit enverist u realizua heshtja rebeluese dhe skllavërimi i krahinës më të pastër shqiptare në drejtim të autoktonisë dhe të etnicitetit.

Së fundi, populli i Mirditës nuk ka asnjë veteran që të ketë luftuar përkrah komunistëve gjatë luftës 1943 – 1944; kështu që ai artikull i botuar në “Kushtrim brezash” (Zëri i Popullit 17 korrik 1992) nuk është shkruar  nga mirditorët, por nga ajo farë e keqe e cila duke mos qënë kurrë komuniste e quajti veten PKSh, duke mos qënë kurrë në krye të klasës punëtore e quajti veten PPSh, dhe duke pasur një prejardhje të tillë kriminale e duke mos ja pasur haberin socializmit klasik apo modern e quajti veten PSSh.

Asgjë nuk harrohet! “Ju qorroftë një sy atij që kujton të kaluarën, por ju qorrofshin të dy sytë atij që e harron të kaluarën!”; atëhere le të gjejnë socialistët e sotëm se ku qëndron defekti i bajraktarëve të Veriut jo vetëm në raport me krimet e përbindëshme të Enver Hoxhës, por edhe në raport me moralin njerëzor. Rihabilitimi i tyre do të thotë rihabilitim i kombit shqiptar.

 

Tiranë, më 20 korrik 1992

Shënim: Kam pasur fatin e mirë, apo të keq nuk e di, të bëj në këmbë të gjithë rrugën e pesë heronjve të Vigut nga Rubiku, të fle për pesë muaj në shtëpinë ku fjetën ata katër ditë para se të vriteshin, dhe deri në vëndin e masakrimit të tyre. Banorët e rrugëkalimit tim e tregojnë ngjarjen pikë për pikë sipas këtij artikulli.

Botuar në:  albanovaonline.info 10.02.2009

logoreci.com        14.02.2009

Related Post