19-Mbi aktet e formimit te PKSh
(fakte dhe dokumenta të botuara vetëm njëherë dhe të tjetërsuara shumë herë)
Më 08 nëndor të këtij viti mbushen plot 67 vjet nga formimi propogandistik i PKSh, sot PPSh, por asnjeri nuk është i aftë të argumentojë dhe të vërtetojë se kjo parti ka qënë pararojë e klasës punëtore e themeluar si e tillë dhe e udhëhequr nga ideologjia marksiste – leniniste (kështu ka pretenduar Enver Hoxha në librin e tij “Kur lindi Partia”, f. 212) aq më tepër kur pothuajse i gjithë elektorati punëtor votoi kundër saj në zgjedhjet e 31 marsit 1991. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve u bënë shkaku për të rizbuluar edhe një herë aktet e lindjes së PKSh-re, pasi filozofia materialiste na mëson që pasoja dhe shkaku formojnë një kategori filozofike të pazgjidhshme.
Për të kuptuar se se lindi PKSh-re, kush e formoi, përse e formoi, kur e formoi, ku e formoi, përse mori këtë pamje dhe përse përfundoi kështu është e domosdoshme të analizohet dinamika e shoqërisë shqiptare të shek. XX-të dhe situata ndërkombëtare, në lidhje me Shqipërinë, për periudhën 1939 – 1941. Një analizë kritike e këtyre dy pikave çon në konkluzione krejt të tjera nga ato që janë publikuar deri më sot.
Në historinë e PPSh-së bëhet një analizë empirike e lëvizjes punëtore shqiptare ku thuhet se mbledhja e qershorit 1929 shënoi krijimin e grupit komunist të Korçës (f. 22) dhe Enver Hoxha shton, nga ana e tij, se ky grup ishte më i madh dhe më i rëndësishëm jo vetëm si numër (këtë nuk e di kërkush as sot), por sidomos për idetë të cilat ishin më të drejta se të grupeve të tjera (Kur lindi Partia, f. 21) edhe pse deri në vitin 1941 ai pranon se nuk dihej asgjë për grupet e tjera (po aty, f. 63).
Të gjitha këto pikëpamje të mbarsura me një vetëmburrje, pasi Enveri ka pretenduar se ka qënë pjesmarrës i grupit të Korçës, nuk duhet të jenë dhe fort të sakta dhe reale. Analiza kritike e shtron problemin nga dy këndvështrime: ose lëvizja komuniste në Korçë ka lindur thjeshtë si një lëvizje intelektualo – mikroborgjeze me karakter antizogist (aderimi i mëvonshëm i punëtorëve në të do të ishte pa domethënie në drejtimin proletar të lëvizjes); ose teoria e Marksit mbi lidhjen e ideve komuniste me klasën e proletarëve është një mashtrim (ne anojmë nga e para tani për tani). I themi këto pasi lëvizja punëtore në Korçë ishte me të vërtetë e varfër: 1 maji në Korçë është festuar për herë të parë vetëm më 1923 (shih Kristaq Misha, Lëvizja punëtore në Shqipëri, f. 93).
Kurse në Shkodër grupi komunist formohet më 1934 (Histori e PPSh-së,f. 35) shtritshmëria e të cilit ishte pothuajse në të gjithë qytetet kryesore të vëndit (mos vallë degët e partisë komuniste të Shkodrës nëpër Shqipëri janë quajtur më vonë grupe komuniste?). Lëvizja punëtore në Shkodër ishte shumë më e zhvilluar dhe më e vjetër se në Korçë (1 maji ka qënë festuar që më 1905, për herë të parë, dhe më 1917, 1918 si rrjedhojë e reflektimit të ideve të revolucionit të Tetorit; (Lëvizja punëtore në Shqipëri, f. 42, 79), por ka pasur dhe grevë te shegertëve këpucarë më 1905 (Gjurmë te historisë kombëtare në fototekën e Shkodrës, f. 74)) e megjithëatë propoganda komuniste në Shqipëri raportet midis dy grupeve e nxirrnin grupin e Korçës si më revolucionarin e më të zhvilluarin (se çfarë nënkuptohet me fjalën revolucionar e zhvillim për një grup njerëzish me pikëpamje të ndryshme politike nga ato qeveritare ec e merre vesh).
Megjithëatë në historiografinë tonë problemi është parë më ndryshe nga ato që na imponon Historia e PPSh-së dhe “kujtesa” e Enver Hoxhës.
Në librin e Kristaq Mishës “Lëvizja punëtore në Shqipëri” analiza është krejtësisht me konkluzione të tjera ku vlen të përmënden:
-Shqipëria doli e fundit nga feudalizmi në Europë (f. 7). Dhe po të mendosh se shkëputja ndodhi në shekull e XX-te, rreth viteve 1920, për shkaqe të pavarura nga dinamika e popullit tonë, kuptohet se sa fallco ka qënë lëvizja komuniste në Shqipëri jo vetëm në kohën e pretenduar te formimit të grupeve, por edhe më 1941.
-Shkodra ishte qëndra më e madhe ekonomike e vëndit (f. 12). E megjithëatë grupi komunist u formua më vonë se në Korçë edhe pse lëvizja punëtore ka qënë më e hershme.
-Nuk mund të thuhet se në Shkodër, e aq më pak në vise të tjera të Shqipërisë, kishin depërtuar idetë revolucionare socialdemokrate (f. 57). Kështu që del pa shpjegim lindja e lëvizjes komuniste (në thelb) në vëndin tonë kur nga pikëpamja autoktone gjithëshka duhej t’i takonte një të ardhme disa shekullore, në mos disa mijëravjeçare.
-Në pozita luftarake ndodheshin nëpunësit e PTT, pas arsimtarëve (f. 97). Dhe vetëm për këtë lëvizja komuniste në Shqipëri nuk ka pasur kurrë karakter proletar, kur pranohet që kjo klasë në Shqipëri nuk ka ekzistuar(f. 57).
Gjëndja ndërkombëtare, në lidhje me Shqipërinë, solli të re bashkimin e Kosovës (një pjese të saj) me Shqipërinë në sajë të pushtimit fashist. Pikërisht ky fakt duhet të ketë qënë vendimtar në mënyrën e propogandimit se si u formua PKSh “realisht”. Ky fakt duhet marrë në konsideratë duke pasur parasysh edhe pavarësinë e Shqipërisë më 1912-ën dhe reagimin e fuqive të mëdha ndaj kësaj pavarësie. Ata nuk mund t’ja falnin Shqipërisë mëvetësinë e saj pa lejen e tyre për të dytën herë.
Pas këtyre mendojmë se është shumë e lehtë përcaktimi i aktit të formimit të PKSh. Historia e PPSh-së fsheh faktin më kryesor në aktin e formimit të partisë; kur Enver Hoxha e thotë fare hapur, por duke fshehur tendencën dhe thelbin e problemit (gjë të cilën e ka ditur vetëm dhe vetëm ai; asnjeri nuk mund të thotë një fjalë të vetme për këtë problem). Në librin mbi partinë ai përmënd pothuajse në të gjitha ngjarjet praninë e një të huaji, roli i të cilit, sipas autorit të librit, nuk ka qënë vendimtar. Ky person, përgjegjësi real i gjëndjes së sotme shqiptare, ka qënë Miladin Popoviçi armiku numër një i popullit shqiptar, i cili mori pjesë në mbledhjen e formimit të PKSh-re dhe në të gjitha konferencat e partisë duke përfshirë mbledhjen për formimin e Shtabit, Brigadës së Parë, Kongresin e Përmetit. Ai u ndodh në Shqipëri nga vjeshta 1941 (ndoshta nga gushti) deri në shtator të 1944-ës. Lind pyetja: prania e tij ka qënë e rastit, apo përfshihet në ndonjë prapaskenë të paditur akoma, duke përjashtuar aktin final të formimit të PKSh-re. Me sa duket kjo do të mbesë mister për disa vite, por mënyra e trajtimit të problemit nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar na vuri në dyshime të mëdha aq më tepër kur Enver Hoxha pranon se ai kishte deklaruar se jam urdhëruar nga PKJ-së për të ndihmuar në formimin e PKSh-re (Kur lindi Partia, f. 187) dhe Tito doli kundra rrymës staliniste. Unë mendoj se problemi duhet të jetë krejt tjetër për tjetër. Në pamje të parë duket sikur pushtimi i Jugosllavisë nga gjermanët, bashkimi i Shqipërisë me një pjesë të madhe të Kosovës, sulmi dhe mësymja e madhe gjermane në Lindje u krijoi përshtypjen udhëheqësve të luftës jugosllave se Kosova i lau duart një herë e mirë dhe, duke menduar për një të ardhme më të largët (Titua në këtë drejtim ka qënë me të vërtetë largpamës), influencuan në krijimin e PKSh-re, në sensin e këtij krijimi dhe tendencën e sajë në një masë të tillë sa shqiptarët duhet të pranojnë se PKSh-re është vepër origjinale e Miladin Popoviçit. Dhe në fakt propoganda komuniste gjatë gjithë jetës së saj 55 vjeçare u mundua me te gjitha mënyrat ta indroktinonte popullin shqiptar me dualitetin kritik se PKSh e kishin formuar ose jugosllavët për interesat e tyre, ose shqiptarët nga këmbëngulja largëpamëse e Enver Hoxhës. Populli shqiptar le të mendonte si të duante, por të vërtetën nuk duhet ta mësonte kurrë. Në pamje të parë duket sikur çmimi i formimit të PKSh-re dhe vendosja e Enver Hoxhës në postin e sekretarit të I-rë të PKSh-re dhe të kryeministrit të vëndit është pikërisht Kosova. Fakti që mbledhja e Jaltës nuk ja kaloi Shqipërinë asnjë krahu, por e la në ajër, në duart e vetë shqiptarëve për të zgjidhur rrugën e tyre duhet të argumentojë se problemi është tejet mase larg këtyre dy pamjeve të para dhe duhet të fshehë një ndër atë sekrete të tmershme të historisë së njerëzimit që ndryshojnë fatet e kombeve.
Justifikimi që Enver Hoxha i bën këtij fakti duke mos pranuar domosdoshmërinë e Miladin Popoviçit në formimin e PKSh-re është thjeshtë një tendencë për të fshehur diçka tjetër për tjetër duke krijuar tymnajën sikur malazezi ishte autori i vërtetë i të tërë prapaskenave dhe skenave politike të ndodhura gjatë luftës nacional – çlirimtare; sikur ai ka qënë i dërguari i Titos për të vënë nën kontroll të plotë lëvizjen nacional – çlirimtare shqiptare, por që në realitet duke u lidhur varësisht nga PKSh-re e humbi karakterin kombetar të çlirimit të ideuar nga udhëheqësit e çetave të para nacionale. Pikërisht kjo e fundit duhet të përbëjë shtysën më të parë për të zbuluar se kush e formoi në realitet PKSh-re.
Akti i formimit të PKSh-re ka një defekt të madh. Praktikisht gjëndja shoqërore e popullsisë shqiptare e përjashton një lëvizje komuniste reale sipas teorisë së Marksit, aq më tepër kur Enver Hoxha ka pretenduar se PKSh-re ka qënë një parti marksiste – leniniste që në krijimin e saj (shih Kur lindi Partia, f. 131). Historiografia shqiptare e trajtoi problemin fillimisht jashtë politikës duke nënvizuar mos pasjen e një klase proletare në aktet e lëvizjes komuniste, por ky fakt shpejt ra ndesh me teorizimet marksiste, që filluan të botoheshin me sasira titujsh pas 1978, të cilat nuk pranonin lëvizje komuniste pa klasë të proletarëve. Atëhere Enver Hoxha mori përsipër të ndryshojë historinë e popullit shqiptar duke shpikur shtetin ilir, shtetin feudal, fillimet kapitaliste dhe sidomos lëvizjet fshatare, si parakapitaliste, dhe e ngriti Haxhi Qamilin nga një bandit universal në një udhëheqës popullor (vetëm hero kombëtar nuk e bëri dot dhe kjo për faj të kujtesës së popullit). Pas kësaj historiografia shqiptare ndryshoi sensin analitik dhe konkluziv : formoi shtetin ilir (Kuvendi i Parë i studimeve ilire, 15-20 shtator 1972, botuar në dy vëllime), formoi principatat feudale shqiptare (Studime për epokën e Skëndërbeut, botuar në tre vëllime), revolucionarizoi banditizmin e Haxhi Qamilit deri në lëvizje shoqërore fshatare duke e lidhur me kryengritjen e fshatarëve të Shqipërisë së Mesme 1914-1915 (dy punimet e G. Shpuzës), sajoi një klasë punëtore të fuqishme dhe të aftë për të formuar PKSh-re (të gjithë punimet e Institutit të studimeve marksiste – leniniste për epokën 1939-1944, së fundi e vendosi Enver Hoxhën në krye të PKSh-re dhe themelues të saj.
Si është e vërteta? Ne u kapëm vetëm në faktin e fundit, pasi të parat kërkonin një shpalosje më voluminoz, duke mos lene pas dore kohen dhe vendin e formimit te PKSh. Autorët e Historisë së PPSh-së kanë pasur guximin të jenë hipokritë dhe gënjeshtarë duke shkruar:
“Për udhëheqjen e Partisë u zgjodh Komiteti Qëndror (i përkohëshëm) prej 7 vetësh. Për drejtimin e tij u ngarkua Enver Hoxha, ndonëse nuk u caktua asnjë sekretar” ( f. 65).
Por harruan dhe nuk donin ta pranonin se do të ishte vetë Enver Hoxha që do t’i tradhëtonte më vonë në librin e tij mbi partinë, ku sipas të cilit:
“Për të siguruar unitetin nuk pati zgjedhje për kryetar ose sekretar të Komitetit Qëndror” (f. 220).
dhe vetëm kaq (e vërteta eshte krejt tjeter per tjeter dhe ne i premtojmë lexuesit mbi zbulimin e akteve të vërteta të formimit të PKSh-re). Ky fakt tregon jo vetëm politizim të historiografisë shqiptare, por shumë diçka tjetër. Studimet e ardhëshme duhet të tregojnë pozicionin real të historiografisë shqiptare në vitet 1970-1990 dhe si ka qënë e vërteta (nihilizmi nuk ka asnjë vënd kur kundërshtohet gënjeshtra dhe mashtrimi).
Ka nje menyre analitike per te percaktuar trinomin (kush,kur dhe ku) e formimit te PKSh: duke u mbeshtetur edhe vetem ne veprat e Enver Hoxhes pasi dikur ai i ka shprehur gjerat krejt ndryshe. Përplasja e vetë veprave me njëra – tjetrën na con në zbulime interesante dhe perfundime krejt te tjera nga ato qe ka shprehur historiografia shqiptare prej gjysem shekulli. Sidomos perplasja e ketyre perfundimeve me ato te atyre qe formuan realisht PKSh çon ne zbulime shume te medha per historine boterore te fillim shekullit te XX-te pasi lidhet me autoresine reale te revolucionit bolshevik. Ta themi, nder thojza, autori i formimit te PKSh eshte autori i revolucionit bolshevik dhe ky paradoks kërkon argumentim.
Pa dyshim qe kryesorja e ketij trinomi eshte autoresia e formimit, por duke qene se ajo eshte tej mases e fshehte ne vendosem fillimisht te zgjidhim vendin dhe kohen e formimit te PKSh dhe prej ketyre ishte me e lehte zgjidhja e te fshehtës kryesore te saj, duke e ditur fare mire se pas 1992 dualen dy punime per problemin e komunizmit shqiptar (Kristo Frasheri, mbi levizjen e majtë në Shqipëri, dhe Agim Musta mbi komunizmin e zi shqiptar) te cilat nuk ndryshuan asgje ne pretendimet e Enver Hoxhes duke mos i dhene rendesi kohes dhe vendit te formimit te PKSh, por duke i mare te mirëqëna sipas ideve te Enverit. Faktet qe po paraqesim duhet te tregojne thelbin e botimit te atyre punimeve dhe seriozitetin.
Sipas Enver Hoxhes, ne kongresin e I-re te PKSh, partia ishte formuar tek Varrezat e Bamit (bot. 1950, f. 61). Kjo fraze “e mallkuar” eshte hequr nga veprat e plota (shih vepra 5, faqe 248) duke treguar se e gjithe panorama e atehershme dhe e sotme e vendit te formimit te PKSh eshte e genjeshtert. Kjo e fundit zmadhohet shume me teper po te kemi parasysh pretendimin e Enverit mbi pronesine e shtepise se themelimit te partise (emri i Zylfie Canit konsiderohet si emri i pronarit) dhe daljen ne drite, si nje e vertete e padiskutueshme, te emrit te Hasan Kurdarit si pronari i asaj shtepie nga studiuesja sovietike Nina Smirnova (Historia e Shqiperise përgjate shek. XX-te, f. 224). Fakti i fundit është i aftë të argumentojë se shumë punime të huaja mbi temat historike të Shqipërisë përgjatë shekullit të XX-të janë shkruan me porosinë e udhëheqësve të PPSh për të realizuar fshehjen e të vërtetës mbi themelimin e PKSh. Mbi keto baza dyshimesh ne arrijme ne perfundimin qe PKSh nuk është formuar në Tiranë, në shtëpinë që mban emrin si shtëpia e formimit te saj.
Sipas Enver Hoxhes, ne librin mbi partine, PKSh eshte formuar me 8 Nendor 1941 dhe kjo date nuk eshte diskutuar asnjehere nga kerkush. Mirepo ka nje te dhene, nga vete Enveri, qe e permbys kete date dhe na hap rrugen per te zbuluar kohen reale te formimit te PKSh.
Edhe koha e formimit të PKSh është propaganduar e gënjeshtërt dhe përsëri e dhëna vjen nga vetë Enver Hoxha. Lexuesi duhet të përqëndrohet pak pasi fjalët e thëna përmbajnë sekretin kohor të themelimit të PKSh. Sipas tij:
“Enver Hoxhën që nga formimi i saj (partisë, GH) dhe deri më sot Partia e ka zgjedhur sekretar të saj(nënvizimi i ynë)”(Vepra 12, f. 310).
Dmth sipas kësaj të dhëne Enver Hoxha ka qënë sekretar i PKSh që nga dita e themelimit të saj. Por si duhet kuptuar fraza e mëposhtme:
“Në rast se Enver Hoxha nuk u zgjodh atëhere sekretar i Partisë, kjo është thënë dhe dihet se ne atëhere ishim të rinj….” (po aty).
Për çfarë kohe e ka fjalën Enveri që nuk paska qënë sekretar i partisë dhe pse paska qënë i ri më 1941 vetëm 33 vjeç, dhe i vjetër më 1943 vetëm 34 e gjashtë muaj kur u zgjodh? Kuptohet se fjala është për fillimet kohore të pretenduara si të formimit të PKSh dhe këtu qëndron e fshehta e madhe e kohës së formimit të PKSh; kohë e cila nuk e ka pasur Enver Hoxhën sekretar, por as vetë partinë të qënë. Pra koha e trumbetuar për 50 vjet si koha e formimit të PKSh nuk është koha e themelimit të PKSh.
Promotor i lindjes të sajë duhet të ketë qënë polika angleze në Ballkan pasi janë pikërisht këta anglezë që mohojnë ndonjë parti komuniste në Shqipëri (Reginal Hibert, Fitorja e hidhur, f. 27). Përse mohohet prania e partisë komuniste të Shkodrës të paktën në vitin 1939 kur ka ndodhur një gjyq special për organizatorët e partisë? Me sa duke anglezët duhet të kenë qënë ata që organizuan operacionin e madh të krijimit të PKSh me anë të levës jugosllave duke kryer dy veprime: asgjësimin e partisë komuniste të Shkodrës në planin fizik individual dhe krijimin e një partie të re komuniste me elementë të rinj njerëzorë. Ne pretendojmë se këtu qëndron gjithë e fshehta e formimit të PKSh nën drejtimin e Enver Hoxhës.
Paaftësia për të organizuar një lëvizje të armatosur kundra fashizmit e bëri partinë komuniste të Shkodrës një forcë politike të panevojshme dhe duhet të ketë qënë ky fakt që e dënoi me vdekje përgjatë viteve 1941 – 1942 ku roli i Miladin Popoviçit duhet të ketë qënë vendimtar. Kujtojmë asgjësimin e qarkorit të Durrësit më 1942 me Telat Nogën me shokë dhe pesë heronjtë e Vigut me Ndoc Mazin me shokë. Vetëm pas asgjësimit të partisë komuniste të Shkodrës i hapet rruga formimit të PKSh me njerëz të tjerë dhe bosht politik krejt tjetër për tjetër nga partia e vjetër. Kaq e vërtetë është kjo sa e detyron anglezin, me pikëpamje të majta. Riginald Hibertin (The Times, Daily Register, 10.10.2002, Rubrika Court & Social), të pranojë se në mars 1943 në Labinot u mbajt konferenca themeluese e PKSh (Reginald Hibert, Fitorja e hidhur, f. 334).
Domethënë koha e formimit të PKSh nuk është 1941, por 1943; vëndi i formimit të PKSh nuk është shtëpia e Zylfie Canit, apo shtëpia tek Varrezat e Bamit, por Labinoti, ose Shmili, i Elbasanit. Partinë Komuniste Shqiptare nuk e formuan jugosllavët, as shqiptarët, por anglezët dhe këtë nuk e bënë se i kishte marrë malli për komunizmin, por sepse Enver Hoxha ishte njeriu i tyre.
Mbi këtë bazë përfundimi rrjedh se të gjitha ngjarjet historike që lidhjen me partinë para marsit të vitit 1943 të jetë të tjetërsuara në thelbin e tyre dhe sidomos Konferenca e Pezës duhet të ketë tjetër performancë historike nga ajo që na kanë mësuar nëpër shkolla dhe trumbetohet edhe sot. Me fjalë të tjera ka një të vërtetë krejt tjetër për tjetër për historinë e PKSh që lidhet me politikat europiane perëndimore kundra Gjermanisë. Pikërisht kjo e fundit ka përcaktuar fatin politik të popullit shqiptar përgjatë shekullit të XX-të. Kjo duhet pasur parasysh sot, më 2008, kur realizojmë politikat e jashtme të shtetit shqiptar duke mos harruar kë kemi pasur miq dhe armiq përgjatë shekullit të kaluar.
21.09.2008
Ky artikull është një përmbledhje e Historisë së PPSh e shkruar përgjate viteve 1985-1989, 1992-1996, 2004-2005, dhe e përfunduar më 2008