4-Edhe një herë mbi simbolet e flamuri tonë kombëtar
Problemi i flamurit mund të trajtohet në disa mënyra: në mënyrë empirike, siç ishte analiza në gazetën Rilindja Demokratike para dy javëve; në mënyrë tendencioze duke fshehur një pjesë të së vërtetës, siç ishte analiza e botuar në gazetën Drita; në mënyrë jo të plotë për shkak të mungesës së materialit; dhe në mënyrë të saktë e përfundimtare.
Në të vërtetë polemika e mundëshme për përmbajtjen e flamurit tonë kombëtar është tepër fallso pasi çdo gjë ka qënë e sqaruar me kohë dhe, do të shtonim, mjaft e qartë pa pasur nevojë për diskurset e sotme. Kështu që ne nuk po bëjmë gjë tjetër veçse po biem në faqet e kësaj përmbledhje atë që është thënë para 450 vjetëve, publikuar para 55 vjetëve dhe shkruar 30 vjet më parë. Diskutimi polemik përmblidhet në idenë në ka pasur yll shqiponja dykrenore ose jo në flamurin tonë kombëtar para 1944 dhe deri para 550 vjetëve, dmth në kohën e Skëndërbeut. Botimi i një fotografie 63 vjeçare në gazetën Drita të datës 20 janar 1991 duket sikur i vuri kapak këtij diskutimi pasi shqiponja ka mbi krye një yll me 5 kulme. Por dhe më indiferenti do ta pikaste që ylli me 6 cepa në vulën e Skëndërbeut ndryshon si nata me ditën nga ylli i mësipërm jo vetëm në formë, por dhe në objektin përkatës që shoqëron. Kështu që përfundimi se simbolet e flamurit tonë kombëtar janë krenaria shqiptare (të kuptohemi drejt, kur përfundimi arrihet në rrugën që ka ndjekur autori i artikullit të Dritës) është tej masës larg të vërtetës pasi rezulton se krenaria e kombit më të vjetër europian kosiston në heqjen e një cepi.
Simbolet e flamurit do t’i analizojmë të bashkangjitura me 4 etapa historike dhe pikërisht:
1-epokën e Skëndërbeut
2-epokën e kryengritjeve të mëdha të viteve 1908 – 1913 duke përfshirë
edhe ngritjet e flamurëve anë e kënd Shqipërisë
3-epokën nga shpallja e pavarësisë deri më 1944
4-dhe nga kjo epokë deri më 1946, ditën ku vendoset juridikisht flamuri dhe stema e republikës sonë.
Studimet në këtë fushë nuk kanë munguar; mund të përmëndim artikullin e Aleks Budës “Pse flamuri ynë e ka shqiponjën me dy krerë” (botuar në gazetën “Mësuesi” 30 mars 1962), artikullin e Kristo Frashërit “Flamuri i Skëndërbeut” (botuar në gazetën Drita 31 dhjetor 1967), artikullin e Luan Maltezit “Rreth origjinës së flamurit të Skëndërbeut (botuar në “Studime historike 3/1987; -të tre këto artikuj janë ribotuar në “Studime për epokën e Skëndërbeut”, Tiranë 1989). Këto studime përmëndin vetëm shqiponjën dy krenare dhe vetëm autori i dytë përmënd shkarazi një yll me 6 cepa pa i dhënë asnjë rëndësi të mëtejshme këtij fakti, pasi anonimi italian (shek. XVI) krahas këtij ylli vendos dhe dy kurora mbretërore mbi kokat e shqiponjës.
Sipas Aleks Budës “Në Shqipëri shqipja dy krenare përdoret, me sa dimë, qysh nga shekulli XIV si shenjë e princërve feudalë shqiptarë. Kështu dimë se Muzakët mbanin në flamurin e tyre një shkabë dy krenare me një yll në mes” (vini re cilësohet ekzistenca e yllit). Po kështu e kanë pasur dhe Dukagjinët veçse me një shkabë të thjeshtë. E dhëna për flamurin e Skëndërbeut vjen nga Marin Barleti i cili duke folur për kthimin në Krujë më 1443 të Skëndërbeut shkruan se ky i fundit “mbante flamurë të kuq të qëndisur me shqiponja të zeza e dy krenare (ky ishte flamuri i fisit të tij)” (Histori e Skëndërbeut, f. 89, bot 1964). Në tekstin barletian nuk cilësohet fare prania e yllit, kur për Muzakajt ky cilësim ishte fare i qartë; atëhere mbi ç’bazë informacioni autori i artikullit të “Dritës” hedh poshtë identitetin e flamurit të 1912-ës me atë të Skëndërbeut? Në qoftë se fjala është për vulën dhe stemën heraldike të Kastriotëve, të cilët kishin mbi dykryet e shqiponjës një yll me 6 cepa, duhet ndalur diçka më shumë për të përcaktuar se çfarë përfaqëson ky yll kur dihet fare mirë se ai ndryshon nga ai me 5 cepa jo vetëm në formë, por dhe në përmbajtjen e përdorimit. Le ta dijë ky autor dhe lexuesi i kësaj gazete se yjet, nuk ka rëndësi numuri i cepave janë simbole fetare dhe lidhen me monoteizmin e hebrejve para 3000 vjetëve (kjo është gjurma më e vjetër e gjetur nga ana e jonë) duke përfaqësuar një mënyrë lidhjeje midis krijesave imagjinare dhe njerëzve (kujtojmë kartolinat katolike mbi lindjen e Krishtit, të cilat kanë në sfond një yll-kometë. Ndërsa ylli me 5 cepa me sa dimë na është i lidhur me lëvizjet proletare të shekullit të kaluar dhe gjithëshka është sinonim i Karl Marksit.
Shtrojmë pyetjen: ku qëndron tradita e simbolit të flamurit tonë kombëtar deri në shekullin e XIX-të tek populli ynë kur ky flamur nuk ka ekzistuar materialisht që nga shekulli i XV-të? Në këtë pikë autori i artikullit të “Dritës” është treguar arbitrar në kulm duke barazuar, pa të drejtë, stemën – vulën – flamurin e Skëndërbeut, kur për këtë të fundit e dhëna e Barletit është e një saktësie absolute, -vetëm në qoftë se ai ka shkruar me hamëndje.
Në qoftë se do të flasim për traditë të flamurit kombëtar ne na duket se gjithëshka fillon me lëvizjet kombëtare të shekullit tonë kur kemi dhe një çfaqje të konsiderueshme të flamurit tonë kombëtar. Përse duhet të flitet për flamurin e Ismail Qemalit, si pasardhës të atij të Skëndërbeut, kur dihet fare mirë se një vit e gjysëm më përpara shpalljes së pavarësisë u ngrit për herë të parë, pas epokës skëndërbejane, flamuri ynë kombëtar i cili për fatin e keq të autorit të “Dritës” ka qënë një flamur i kuq me një shqiponjë të madhe dy krenare pa yll në mes. Ky flamur u ngrit në majën e Bratilës së Deçiçit më 6 prill 1991 gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe që udhëheqi Dedë Gjo Luli (shih “Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës”, f. 122). Po kështu edhe flamuri i qëndisur nga Bernardina Marubi (vajza e fotografit të famshëm), pjesmarrëse në kryengritjet e 1908-1910, është pa këtë yll të diskutueshëm sot për “fatin” e keq të autorit të artikullit të “Dritës”. Por edhe flamuri i ngritur në Vlorë nga patriotët tanë më 28 nëndor 1912, për hir të formimit të traditës, ka pasur vetëm shqiponjën; gjë që duket edhe në një libër të botuar më 1963 mbi qeverinë e përkohëshme të Vlorës.
Periudha 1912 – 1944 ka botime të ndryshme letrare e gazetash ku nuk mungon flamuri ynë kombëtar çka duhet konsideruar si një traditë për këtë problem dhe, përsëri, për fatin e kjeq të autorit të artikullit të “Dritës” këta flamuj janë pa yll në mes. Për këtë shih kapakun e revistës Leka, numurin përkujtimor me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë; ose gazetën “Bashkimi Kombit” të datës 28 Nëndor 1943 e cila ka në faqen e parë një flamur të kuq me shkabën e zezë dykrenore pa yll në mes. Po të lidhim epokën 1908 – 1913 me atë të 1912 – 1944 midis tyre, duke pasur si pikë lidhëse flamurin kemi plotëssiht të drejtë të themi se tradita e popullit shqiptar nuk e përmban yllin në mes të kokave të shqiponjës.
Po ta shohim problemin për periudhën 1941 – 1944 edhe do të dallonim praninë e yllit në flamurin tonë kombëtar, partizan, dhe kjo është e kuptueshme pasi drejtimi i luftës, nga ana e PKSh-re, ishte e lidhur me idetë e komunizmit duke e justifikuar këtë përbashkim. Por edhe kjo epokë e ka një shprehje të traditës kombëtare duke e përjashtuar yllin nga shqiponja dykrenare. Kujtoni festimin e çlirimit të Tiranës më 28 nëndor 1944 ku tribuna përballë hotel “Dajtit” ka qënë e zbukuruar me një shqiponjë shumë të madhe pa yll në mes dhe dëshmitarët për këtë nuk duhet të mungojnë (shih revistën “Një parakalim fytyrash të Kombeve të Bashkuara; vëll. I, Nr 1).
Edhe nga pikëpamja numismatike problemi e ka një farë zgjidhje, të paktën në stemën që shoqëron monedhat dhe kartmonedhat. Po të shohësh kartmonedhat 20 frangëshe ari të shkurtit 1926, nëndor 1939; 5 frangëshe të gushtit 1939; si dhe monedhat e arit 100 frangëshe të 1928, 1929; apo 20 dhe 10 frangëshe të 1927; monedhat e argjëndit të 1935-ës (dy frangëshe), 1939 (10 lek), 1927 (1 frangëshe), 1939 (5 lek), 1939 (2 lek), monedhat e nikelit 1926 (1/2 lek), 1939 (0,20 lek); bronxit 1935; do të dallonim shqiponjat pa yje midis kokave të tyre çka, duke u përputhur me pamjet e flamurëve të atyre kohërave, na ka çuar në përfundimin se flamuri ynë kombëtar para 1946 nuk e ka pasur yllin në mes.
Kurse nga këndvështrimi filatelik problemi ndryshon rrënjësisht. Në revistën “Shqipnija e ilustrueme” (1928) e shtypshkronjës “Zoja e Papërlyema” (f. 127), jepet një emision pullash ku me vështirësi dallohet një yll në mes të kokave të shqiponjës. Kjo jep dhe zgjidhjen e pranisë së yllit në fotografinë e botuar në gazetën “Drita”. Duke shqyrtuar pozicionin e yllit në rastin e pullës dhe në fotografinë e sipërme vihet re se pozicioni i tij është i kundërt për të dy rastet prej nga ne nxjerrim përfundimin se vendosja e yllit mbi shqiponjën tonë simbolike ka qënë një dëshirë e autorëve të tyre dhe aspak pjesë e traditës sonë kombëtare; vetëm në qoftë se pranojmë se Zef Prenushi (tregëtari i pullave në Shkodër), Aqif Pashë Elbasani dhe Imzot Luigj Bumçi kanë qënë komunistët e parë shqiptarë.
Autori i artikullit të “Dritës” vuri theksin mbi ruajtjen e traditës në simbolet tona kombëtare. Duam t’i kujtojmë këtij autori dhe të gjithë atyre që pretendojnë për heqjen ose ruajtjen e yllit në flamurin tonë kombëtar se ka fakt nuk varet nga dëshirat e njërëzve, por nga parimet që do të ndërtojnë shoqërinë shqiptare pas 31 marsit 1991. Në qoftë se fjala është për komunizmin bolshevik ylli duhet në mes të kokave të shqiponjës, vetëm se kjo do të kërkonte shumë ndryshime thelbësore në zbatimet e teorisë së Karl Marksit; dhe në qoftë se fjala është për demokraci shumë partiake ylli nuk duhet në flamurin tonë kombëtar pasi formalisht PPSh merr prioritetin në drejtimin politik të vëndit. Kjo e fundit duhet të ketë qënë shkaku përse “Rilindja Demokratike” sinjalizoi për huazim të simboleve tona kombëtare.
Besojmë se përgjigja dhënë pretendentëve të ekzistencës ose jo të yllit në flamurin tonë kombëtar është e plotë dhe e qartë. Çdo publikim i mundëshëm i pamjeve me flamurin kombëtar ku ylli të ndodhet duhet të tregojë për praninë e internacionalizmit shoqëror si ide dhe aspak traditën e popullit tonë.
Tiranë, më 27 janar 1991