Artikuj

34-Pse rrufete bien mbi Olimp? 09.11.2009

Posted by Genc Hoti

Loading

34-Pse rrufetë bien mbi OLIMP?

 

Nuk është vështirë të kuptohet qe pas 1991-shit në Shqipëri ka filluar një luftë e maskuar midis trashëgimtarëve të kulturës dhe politikës së kaluar shqiptare, dmth para 1945, dhe pinjollëve të komunizmit. Përmbajtja e betejës së fshehtë konsiston në argumentimin se kush nga polet vertikale të Shqipërisë ka bërë më shumë për popullin shqiptar pa çka se njëri nga polet ka kryer krimin më të madh antishqiptar në të gjitha kohërat e ekzistencës së paraardhësve të largët e të afërt të marrë së bashku dhe kërkon me çdo kusht jo vetëm që ta fshehë, por dhe të dalë përpara popullit shqiptar si ajka e shqiptarizmit pa i shkuar ndërmënd që nga prejardhja banditeske, injoranca dhe keqdashja rrjedh krimi i hapur dhe antishqiptarizmi.

Por edhe për rastet e individëve ku paraqitet gjenialiteti i tyre, pamvarësisht se nga janë dhe i japin lavdi vëndit të lindjes, do të përdoren të gjitha mjetet për ta denigruar, për ta tjetëresuar, për ta poshtëruar vetëm pse nuk janë të produktit komunist, duke të kujtuar taktikat e sigurimit famëkeq të krimit shqiptar të epokës komuniste. Nën logon e gazetarit që merret me problemet e persekutimit të njerëzve intelektualë të kohës komuniste me datën 28 dhe 29 tetor 2009 në gazetën Panorama botohen dy artikuj mbi mënyrën se si Sigurimi i Shtetit ndiqte dhe përndiqte Profesorin zëmadh Eqrem Çabejin. Por artikujt kanë dy defekte kulmore: fshehin punën gjigande dhe thelbin e punës së Profesor Çabejit, mbi çbazë sot kanë dalë zëra se puna e gjuhëtarit gjeni është antishqiptare, së bashku me atë të profesor Gustav Majerit, dhe akuzohet nga plehu komunist me finicione që kurrsesi nuk janë të Profesorit të nderuar. Profesor Eqerem Çabej nuk mund të kishte mendim te zeruar për marksizmin dhe rastësor për atë të Leninit, siç pretendon artikullshkruesi me anë të deklaratave të agjentëve të sigurimit jo vetëm pse këta të fundit nuk ja kanë pasur haberin as njërit dhe as tjetrit duke qënë copa mishi me dy sy, por Profesori i nderuar kishte përfunduar studimet në Austri, pra i përkiste shkollës gjermanike, dhe nuk ka asnjë arësye, qoftë dhe teorike, të jepte një mendim për leninizmin. Kjo e gjitha është një sajesë shumë më e mëvonshem dhe dosja “Çabej” është e formuluar për qëllime krejt të tjera nga ajo që e publikon artikullshkruesi. Gazetari i Panoramës bën lojën e atyre që kanë formuluar dosjet e shkencëtarëve shqiptarë dhe jo diskretitimin e kupolës komuniste, siç mundohet të na mbushë mëndjen.

Aq më tepër shtohen dyshimet mbi qëllimin e botimit të këtyre artikujve kur përmënden emra shkencëtarësh të lidhur me pseudonime agjentësh. Sipas artikullit (i dt. 28 tetor) “Bashkëpunëtores “Drojtja” nëpërmjet Rrok Zojzit me të cilin lidhet t’i jepet detyrë që t’i afrohet profesor Çabejit”, duke na treguar se emri i shkruesit të planit nuk përputhet me dialektin geg të përdorur. Pastaj cila është lidhja midis “Drojtjes” dhe Profesorit të nderuar Rrok Zojzit; përse është futur emri i profesorit gjeni të etnografisë? Apo për të fshehur vjedhjet e panumërta që shumë e shumë intelektualë i kanë bërë veprave të Tij duke pasur dhe emër ne mediat e sotme shqiptare? Pastaj me artikullin e dt. 29 na thotë që Profesori i etnografisë na paska qënë anti-regjimit së bashku me Qazim Turdiun, Eqerem Çabej, Minella Karajanin. Akoma me keq artikulli i datës 28 tetor përmënd vetëm dy emrat më të lavdishëm të shkencës shqiptare, krahas shtatë pseudonimeve të agjentëve, atë të Profesor Eqerem Çabejit dhe atë të Profesor Rrok Zojzit. Për dijeni të lexuesit veprat e dy Profesorëve të mësipërm përbëjnë dy tullat më të rendësishme të shkencës së albanologjisë dhe bazën teorike të argumentimit e vërtetimit të autoktonisë absolute të shqiptarëve të sotëm. Unë marr përsipër t’u tregoj shqiptarëve të mijëvjeçarit të ri se cila është vlera reale e dy dishepujve të shkencës albanologjike shqiptare dhe përse krijohen insinuata mbi veprën e tyre? Përse përndiqet jeta e tyre private dhe heshtet për veprën e tyre shkencore? Cila është merita e këtyre të fundit dhe përse na shërbejnë sot?

Duke mbaruar shkollën universitare në Austri (thonë se edhe shkollën e mesme e ka mbaruar në Austri me një të drejtë të dhënë nga shteti mbretëror me propozim të Av. Dr. Vasil Dilo), detyrimisht Profesori i nderuar i përkiste shkollës monogjeniste dhe teorisë mbi indoeuropianizmin e ilirëve. Mbi këtë bazë Ai realizoi studimet etimologjike në fushë të shqipes duke shpjeguar prejardhjen e çdo fjale dhe nga kush ishte huazuar. Kjo e fundit përbënte sakrilegjin e profesorit pasi mohonte autoktoninë absolute të shqiptarëve-ilirë, duke rënë në kundërshtim me idetë antishkencore të Enver Hoxhës dhe dishepujve të komunizmit. Nga ana tjeter studimet etimologjike te Profesorit tone binin ndesh me qellimet e studiuesve te epokes komuniste dhe, rrjedhimisht, Ai nuk pëlqehej në qarqet akademike shqiptare. Atëhere profesori i nderuar bëri një lëshim në parim: ripranoi një mosqënie si realitet; pikërisht termin autoktoni relative. Ne e kemi hasur për herë të parë këtë term më 1982 kur u botua përmbledhja studimore “Shqiptarët dhe trojet e tyre” nga ana e Akademisë së Shkencave rë RPS të Shqipërisë, ku Profesori ynë kishte studimin “Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e emravet të vëndeve” të botuar për herë të parë në Buletinin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria e shkencave shoqërore, nr. 2, 1958, f. 54-62. Pikëpamja e Profesorit tonë nuk përbënte asnjë rrezik për temën që po trajtoja në atë kohë mbi gjenezën e shqiptarëve, pasi duke marrë për bazë parimin poligjenetik të lindjes së njeriut në Tokë, sipas raportit kohor-hapsinor të zhvillimit, e parakalova këtë pikë botëkuptimore dhe, përkundrazi, nga idetë e Tij  unë nxorra mësimin e madh se gjuhët

 “nuk janë madhësi që ekzistojnë në vetvete; ato janë të lidhura me njerëzit që i flasin, me popujt si bartësit e atyre gjuhëve,prandaj historia e gjuhëve në thelb është pasqyrë e historisë së popujve e të kulturave” (Referati i Eqerem Çabejit në Kuvendi i  I-rë i Studimeve Ilire, vëll. 1, f. 7).

Mbi këtë bazë postulative unë formulova idenë që gjuhët nuk mund të shërbejnë për të argumentuar prejardhjen gjenetike të popujve, por ato në rastin më të mirë mund të shërbejnë për të vërtetuar botën historike të relacioneve universale. Akoma më tej, në gjurmët e absolutizmit analitik, vjetërsia e një gjuhe mund të argumentohet edhe mbi bazën e ngjashmërive që ka me gjuhët e tjera edhe pa pasur fare relacione midis bartërve të tyre me kusht që gjeneza të tyre të përcaktohet mbi bazën e gjëndjes shoqërore dhe jo ndryshe.

Puna titanike e Profesorit Eqerem Çabej me krijoi mundësinë për të argumentuar se gjuha shqipe e sotme ishte rezultat i botës së relacioneve që shqiptarët dhe paraardhësit e tyre kishin pasur, për rrethana rastësore për ta, me botën politike që i rrethonte prej 2500 vjetësh dhe kjo ishte arësyeja përse prejardhja e fjalëve të gjuhës shqipe ishte prej helenishtes, etruskishtes, latinishtes, sllavishtes, gjuhës otomane, rumanishtes, italishtes, ndërsa prejardhja nga ilirishtja ishte e pamundur të identifikohej për efekt të mosnjohjes së kësaj të fundit. Prej këtej do të ishte e lehtë të argumentohej që lëvizja mekanike e paraardhësve të shqiptarëve do të ishte tepër-tepër e shkurtër duke u përputhur me rrjedhimet e absolutizmit analitik (këtë të drejtë konkluzive na e jep bota e madhe e relacioneve universale, mbi ç’bazë është formuar gjuha shqipe).

Problemi ishte sinjifikativ dhe i një rëndësia të pakrahasueshme duke treguar se sa pak e njohin veprën e Profesor Eqerem Çabejit brezi i ri i studiuesve shqiptarë dhe sa larg realitetit historik gjëndet ky brez sot kur kerkon te argumentoje se gjuha e sotme shqipe sherben per te zberthyer gjuhet e tjera. Është një tentativë antishkencore, që për mua përbën anën më të turpshme të shkencës shqiptare, duke treguar se deri ku ka arritur produkti intelektual komunist. Më thjeshtë fare, shkenca e sotme shqiptare ka kaluar hapur në pozitat e idealizmit filozofik duke treguar, në këtë mënyrë, se nuk ka qënë kurrë në pozita materialist. Pretendimi i kaluar për një pozicion të tillë ka qënë thjeshtë politik dhe irealist. Pikerisht per t’i ngritur lavdi vetvetes brezi i sotem i studiuesve shqiptare kerkon mohimin e veprës gjuhësore me te lavdishme te produktit shkencor shqiptar. Kjo eshte aresyeja perse botohen dosjet mbi dishepujt e shkencës shqiptare. Ulja e madhështisë shkencore të së kaluarës dhe ngritja e vetvetes, pa pasur asnjë lloj niveli krijues, përbën poshtërsinë e propogandës së sotme shqiptare dhe karakterin negativ të individëve të saj (kjo të mos merret në funksion të uljes së studiuesve komunistë, të cilët realisht nuk kanë pasur asnjë pozicion në shkencën shqiptare përveç atij politik).

Në qoftë se Profesor Çabej ishte produkt i shkollave europiane, ndoshta i shkollave më të mira të tyre, si rezultat i trashëgimisë së politikave mbretërore të Perandorisë Danubiane, Profesor Rroj Zojzi ishte produkti më i dallueshëm i shkollave katolike shqiptare të para 1945-sës dhe pa dyshim përbën rastin më të jashtëzakonshëm të këtij produkti. Tulla e dytë e themelit të albanologjisë shqiptare është vepra madhështore e Profesor Rrok Zojzit, trashëgimtarja më dinjitoze dhe autoktone e veprave të Etërve tanë Katolikë duke filluar me klerikët e epokës së Kastriotit, duke vazhduar me Etërit Katolikë të shekujve XVI-XIX e duke përfunduar me Shtjefën Gjeçovin, nxënës i të cilit Ai ishte me shpirt e vepra.

Të shkruash për veprën e Profesor Rrok Zojzit është pothuajse e pamundur, pasi ishte i vetmi shqiptar që njihte të gjithë Shqipërinë gjeografike dhe njerëzore. Ishte njohësi i vetëm i të gjitha familjeve shqiptare që përbën rastin e vetëm në botë për një popull. Pikërisht në këtë pikë fillon vepra e tij etnografike dhe shkencore mbi ç’bazë zbuloi ekzistencën e rendit fisnor në brëndësi të popullit shqiptar. Se deri kur shtyhet kohëformimi i shtresave në gjirin e organizimit fisnor pak rëndësi kishte për kohën e largët historike, kryesorja tek shkenca e historisë qëndron në gjetjen e gjurmave të këtij organizimi deri në fillim të këtij shekulli në disa mikrorajone të vëndit tonë (Kumtesa e Rrok Zojzit mbajtur në Konferencën Kombëtare të studimeve etnografike, 28-30 qershor 1976). Pa dyshim që ishte pika më e rëndësishme për të argumentuar autoktoninë e popullit shqiptar dhe pikën nga ku mund të fillonte argumentimi e fillesës së racës së bardhë në Europë.

Ishte Profesori i nderuar Rrok Zojzi që na tregoi se ka mundësi që të lidhen epokat midis tyre pasi

“për të gjurmuar lidhjet e popullit të sotshëm me një popull të lashtë zakonisht mbështetemi te karakteri etnik dhe nëpërmjet një krahasimi diakronik, përpiqemi të gjurmojmë pika takimi në mes tyre. Kjo është një metodikë e mirë pune, por nuk është e mjaftueshme dhe gjithnjë e sigurtë. Duke patur parasysh karakterin dinamik të traditave dhe kohën e gjatë në mes të dy epokave, duhet të pranojmë se ndryshimet janë aq të shumta dhe aq të thella sa me vështirësi të madhe mund të zbulohen lidhjet në mes tyre” (Kumtesa e Rrok Zojzit; Kuvendi i I-re i studimeve ilire, vëll. 1, f. 261).

Qe ky mësim shtytësja e parë për të formuluar një metodikë të re studimore për vertetimin e autoktonisë absolute të shqiptarëve të sotëm edhe pse kjo gjë binte ndesh me mendim shkencor të kohës

Ishte Profesori i nderuar Rrok Zojzi që zbuloi se Kanunet e Lek Dukagjinit dhe Skëndërbeut ishin më të avancuar se kanunet e Maleve të Dibrës, Labërisë dhe Lurës edhe pse këta të fundit ishin formuluar më vonë se dy të parët. Ishte ky zbulim që më çoi në përfundimin se Kanunet e Lek Dukagjinit dhe Skëndërbeut nuk ishin produkte të drejtëpërdrejta të popullit shqiptar dhe ishin krijuar për qëllime krejt të tjera nga tre kanunet e tjera. Ky dualitet qëllimi ishte i mjaftueshëm për të filluar argumentimin e gjenezës së popullit shqiptar mbi një bazë metodike krejt tjetër për tjetër dhe në zbulimin e pranisë së fenomenit të paradoksit të binjakëve në shoqërinë shqiptare me pretendimin qe pikëpamja e Ajnshtajnit ishte e drejtë vetëm për shoqërisë njerëzore dhe aspak për atë lëndore.

Ishte Profesori i nderuar Rrok Zojzi që zbuloi se forma patriarkale e familjes ishte forma e vetme autoktone në Shqipëri dhe këtu kishte shumë pune për të bërë për të zbuluar përse kjo formë e familjes vazhdonte prej 2000 vjetësh në trojet shqiptare dhe çfarë përfaqësonte në realitet kjo formë e familjes. Ishte ky fakt që më çoi në përfundimin se ketu duhet të kishte diçka të panjohur për shkencën e albanologjisë, gjë që më çoi në zbulimin e parametrit dallues të popujve nga njeri-tjetri jashtë metodikave ekzistuese. Shpejtësia e zhvillimit shoqëror ishte i vetmi parametër që mund të zbërthente rebusin e autoktonisë të shqiptarëve. Kur e diskutova me Profesorin këtë problem (1977) më dha një përgjigje që më shtyu ta vazhdoj punën pa pushim për 30 vjet: duhet ndryshuar metodika analitike e shkencës së albanologjisë dhe duhet të ndahet nga politika.

Ishte Profesori i nderuar Rrok Zojzi që zbuloi se forma fisnore e pronës ishte forma maksimale e zhvillimit të pronës private në territorin e banuar nga shqiptarët dhe kjo pikë ishte e mjaftueshme për të argumentuar se ata ishin të vetmit autokton në Ballkan. Në përputhje me shkallën e zhvillimit të pronës Profesori arriti në përfundimin se në Shqipëri ekziston mirëfilli organizimi fisnor i cili “përbënte një njësi politike dhe ushtarake. Forcën e tij luftarake e përbënte djelmnia. Në djelmninë e fisit merrnin pjesë burrë për shtëpi, pamvarësisht prej sa frymësh përbëhej, pse çdo shtëpi përfaqësonte një pjesë në pronën e përbashkët” (Rrok Zojzi, Mbeturina të rendit fisnor në disa mikrorajone të vëndit tonë; Konferenca kombëtare e studimeve etnografike, f. 175).

Ishte Profesori i nderuar Rrok Zojzi që zbuloi se lëvizja mekanike e fiseve ishte e lidhur me ndarjen e punës dhe pikërisht me ndarjen e blegtorisë nga bujqësia. Kjo na shërbeu për të ecur përpara edhe kur vjen puna për të bërë dallimet që rrjedhim nga ndarja e blegtorisë nga bujqësia dhe sidomos masën e lëvizjes së fiseve blektorale në raport me fiset që merreshin me bujqësi (Rrok Zojzi, Mbeturina të rendit fisnor në disa mikrorajone të vëndit tonë;Konferencakombëtare e studimeve etnografike, f. 161-180, konkretisht 169-171). Në këtë mënyrë u formulua teza që lëvizja mekanike e fiseve dhe popujve i nënshtoheshin një ligjësie ekonomike pa e prishur unitetin kohor të lindjes së tyre duke hedhur poshtë idenë monogjeniste të formimit të popujve.

Kam pasur fatin e madh ta kem njohur Profesorin e Etnografisë që në vogëlin time deri sa mbylli sytë në shtëpinë e rrugës Ali Demi mes librave dhe veprave të tij të panumërta. Për personin tim qe një humbje e madhe pasi sapo e kisha përfunduar redaktimin përfundimtar të studimit mbi gjenezën e popullit shqiptar duke arrirë në përfundimin se paraardhësit e largët të shqiptarëve përbënin fillesën e racës së bardhë në kontinentin europian dhe Ai kërkonte të dinte se si kisha arritur në këtë përfundim të papranueshëm për shkencën bashkëkohore shqiptare.

        .

                       .              .

Bashkësia e veprave të dy Profesorëve tanë të nderuar me gjëndjen shoqërore të paraardhësve shumë të largët të shqiptarëve (pellazgët), me paraardhësit e largët të tyre(ilirët – epirotë) dhe me paraardhësit e afërt (arbërit) çon në dy përfundime të reja dhe përmbysëse për shkencën e sotme të albanologjisë.

Së pari, metodika historike mbi gjenezën e shqiptarëve nuk duhet të mbështetet mbi dokumentat e arshivave, siç pretendohet rëndom, por në gjëndjen reale shoqërore të popullit shqiptar (politika shkruhet me dokumenta dhe jo historia e njerëzimit). Mbi këtë bazë analitike duhen përmbysur të gjitha përfundimet a arritura me anë të gjuhësisë, arkeologjisë dhe historisë përsa i përket prejardhjes së popujve. Baza analitike duhet të jetë proçesi poligjenetik i lindjes së njeriut në Tokë dhe  bota gjigande e relacioneve universale midis fiseve, popujve, kombeve dhe racave.

Së dyti, mbi deduksionin e fundit, vetëm gjëndja e sotme e racës shqiptare, mund të argumentojë se si, në sajë të relacioneve universale, zhduket prapambetja e zhvillimit shoqëror të një populli në sajë të kohëlindjes së kahershme. Rasti shqiptar tregon se si realizohet barazia e zhvillimit social brënda një race. Ndërsa rasti kontinental amerikan tregon se si realizohet barazia e zhvillimit social midis racave, duke përfshirë edhe kohët ekstreme të lindjes së tyre.

Të dy këto përfundime çojnë në zbulimin se epoka e revolucioneve merr fund me revolucionin borgjez dhe revolucioni i ardhëshëm social do të mbështetet mbi botën e madhe të relacioneve midis kombeve dhe racave. Specifika juridike e veprimtarisë së njerëzimit është ajo që do të komandojë proçesin gjigand të zhvillimit të mëtejshëm të racës njerëzore në Tokë njësoj si për rastin e ligjeve të Solonit në Athinë dhe ligjeve të dymbëdhjetë tabelave në Romë. Është kjo arësyeja përse vepra e Dy Profesorëve tanë më të nderuar nuk pëlqehej atëhere në kohën e komunizmit dhe sot nga pinjollët e këtij komunizmi.

 

09.11.2009

Related Post