Artikuj

20-Edhe nje here mbi simbolet e flamurit tone kombëtar, 02.08.1992

Posted by Genc Hoti

Loading

20-Edhe një herë mbi simbolet e

                                             Flamurit tonë këmbëtar

 

Me ardhjen e demokracisë edhe flamuri ynë kombëtar u vu në diskutim të plotë. Polemika mbi flamurin, e zhvilluar në faqet e gazetave në fillim të vitit 1991, pati në qëndër të vëmëndjes problemin e yllit dhe gjithëshka u mbyll me nënkuptimin se krenaria kombëtare e popullatës më të vjetër të kontinentit europian kosistonte në heqjen e një cepi (kemi parasysh artikullin e botuar në “Drita” me 20 janar 1991)  dhe me artikullin e z. Abdi Barlete mbi mos pasjen qartë të simboleve të flamurit tonë kombëtar nga ana e studiuesve. Pas 18 muajve vëmë re se përfundimi i z. Barleta është i saktë. Historianët dhe studiuesit shqiptarë asnjëherë nuk patën guximin ta shohin problemin në thelb; kurajoja e tyre civile u kufizua vetëm në përcaktimin e prejardhjes së flamurit dhe qënien e shqiponjës duke i fshehur popullit shqiptar (në këtë mënyrë) të vërtetën mbi flamurin, e cila kosistonte në stilizimin e shqiponjës dhe aspak në qënien e yllit. Me qënë se është vëndi duam të vëmë në dukje se ylli është vendosur pas çlirimit dhe aspak gjatë luftës. Aktet e Konferencës së Pezës e pasqyrojnë mjaft qartë këtë problem, të ezauruar me gabime.

E reja që sjellim ne në këtë artikull të shkurtër është e lidhur me faktin se jo vetëm ylli që nuk i përket traditës sonë kombëtare, por edhe stilizimi i shqiponjës në flamurin kombëtar gjatë 50 vjetëve nuk ka qënë i traditës shqiptare, por ai ka qënë i huazuar. Nga kush? Këtu qëndron poshtërsia e diktatorit shqiptar i cili krahas mohimit të të drejtave shoqërore mohoi edhe traditën kombëtar duke e shkatërruar atë në një masë të tillë sa ne e harruam të kaluarën tonë të lavdishme.

Duke u mbështetur në ngjarjet vendimtare të popullit tonë, ku flamuri ka pasur praninë e vet, dallojmë dy forma stilizimi kryesore:

-Forma e parë dhe më e vjetër, që i përket traditës kombëtare, është një shqiponjë dy krenore me dy flatra ku masa është unike. Ky flamur gjëndet tek arbëreshët e Italisë (Nasho Jorgaqi, Larg dhe Afër); u ngrit në Shkodër më 1913 (qëndisur nga e bija e të famshmit Kel Marubi, Bernardina Marubi); ka shumë mundësi që edhe më 1912 Ismail Qemali ngriti një flamur ku shqiponja kishte këtë formë. Flamuri i fundit u vizatua nga Dom Mark Vasa dhe Petro Fotografi duke u qëndisur nga Marigo Pozio mbi ç’baza At Vinçenç Prenushi (OFM) shkroi në “Gjethe e Lule” romancën e tij të pavdekshme: “Gruaja Shqiptare” (Përpjekja Shqiptare, Nr. 13-1938, f. 12) ku veçojmë:

 

“……………….

 Merr pelhurën, qi pat enë

Bija e sajë; kishte pasë kenë

Kuq e zi e m’të qindisë

Gjen dashtnin qi e kisht’molis

N’krye të flamurit kisht’punua

Për rreth shqypje, m’dorë prarue,

Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:

Se Shqypnia asht e Shqyptarëve;

E nder skaje fjalët “liri”

Me ket flamur kuq e zi

Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi.

 Qi, pat njofët tjetër dashtni,

Ishte shkri veç për Shqypni

……………………………………….

……………………………………….

Pse, po kje qi,si kjo bi,

Rriten vashat në Shqypni.

N’vend do shkojë-o fjala e t’Parëve,

Se Shqypnia asht e Shqyptarëve.

Lidhniu tok, si bajshin motit

Ato bijat e Kastriotit,

E broh’ritni n’gzim e n’vajë:

Rrnoftë Shqypnia e flam’ri i sajë.

 

-Forma e dytë është produkt i këtij shekulli dhe gjëndet në disa popuj europianë, ku shqiponja çfaqet me dy flatra, por të spikatura nga pendët. Ky flamur u ngrit për herë të parë pas 450 vjetëve në majën e Bratilës së Deçiçit më 6 prill 1911 gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe që udhëhoqi Ded Gjo Luli (gjatë luftimeve shqiptarët i zunë malazezëve flamurë me shqiponja me të njëjtën formë); u përdor gjërësisht më vonë nga qeveria e Ahmet Zogut duke u bërë flamuri i kombit shqiptar.

Por ndryshimi i përmasave, numuri i pendëve në krah dhe bisht përbën ndryshimet e stilizimeve të kësaj forme shqiponje. Dallimet janë të ndjeshme dhe duken sidomos tek monedhat e viteve 1927 – 1940. Në këtë kuadrë veçojmë shqiponjën e stilizuar në vitin 1927 që shoqëron monedhën 1 frang ar. Këtë stilizim, krejt të veçantë për kohën (se kush e ka bërë nuk e dimë) e muarën italianët fashistë dhe ja bashkangjitën monedhave të tyre (shih monedhën 2 lek më 1939 duke i shtuar sopatat e liktorit dhe vitin e pushtimit.

Pas vitit 1944 Enver Hoxha nga të gjitha stilizimet dhe format e flamurit zgjodhi pikërisht këtë të fundit (akti tregon ose injorancë, ose poshtërsi, pasi lidhet me një stilizim të përafërt malazez) duke i hequr sopatat e liktorit dhe duke vendosur kallëzat e grurit, i shtoi yllin dhe hoqi vitin 1939 duke vendosur datën 24 maj 1944.

Pas të gjithë kësaj analize arrijmë në përfundimin se flamuri dhe stema jonë kombëtar për 45 vjet patën si bashkëshoqërues yllin komunist (mund të konsiderohet edhe si simbol ushtarak) dhe shqiponjën fashiste. Dikush pretendon se edhe kallzat e grurit janë një huazim nga bota sllave. Atëhere ku qëndron tradita kombëtar në flamurin tonë dhe stema shtetërore? Le të na përgjigjen ata që e katranosën këtë traditë vetëm se duam t’i kujtojmë parlamentarëve të nderuar se stilizimet e shqiponjave që ata kanë pasur nëpër duar para dy – tre muajve nuk i takojnë traditës së lashtë të popullit shqiptar.

 

Tiranë, më 02.08.1992

Related Post