Artikuj

3-Përse lindi desidenca shqiptare?, 16.04.1992

Posted by Genc Hoti

Loading

3-Përse lindi desidenca shqiptare?

Artikulli i Ardian Klosit (botuar në fillimet e Rilindjes Demokratike) vetëm sa hoqi petën e parë të lakrorit 45 vjeçar. Heqja e lirisë dhe ekzekutimi i folkloristëve dhe romancierëve më kombëtarë të popullit shqiptar treguan qysh në atë kohë se krahas të ardhmes “komuniste” PKSh  do të kishte si bashkëudhëtare edhe të tashmen antikombëtare. Duket pak si paradoksale dhe i pamundur ky veprim, por ka qënë pikërisht kështu. Autori i parë mbi desidencën shqiptare përmëndi vetëm emrat e atyre që kishin punuar në lëmin e letërsisë kombëtare. Ne kemi mundësi t’i tregojmë lexuesit për raste shumë më flagrante ku del në pah si dhe pse lindi desidenca shqiptare në vitet e para të çlirimit, i cili mund të ketë qënë i tillë nga ana kombëtare (jo plotësisht), por aspak shoqërore.

Nuk duam të përcaktojmë kush ishin shkaktarët dhe përse e bënë këtë krim, por duam të tregojmë se kush ishin disa nga këta njerëz që muarën mbi vete mbrojtjen e popullit shqiptar dhe u sakrifikuan pikërisht për këtë mbrojtje.

Në mars të vitit 1941 prifti italisn Fulvio Cordiniano botoi në “Revista d’Albania” artikullin: “L’Albania nella Storia e nella Vita ossia Visione panoramica di un piccolo mondo primitivo” (Shqipëria në histori e në jetë ose shikim panoramik i një bote të vogël primitive). Artikullin e përshkruajnë dy linja: së pari, shqiptarët e sotëm janë një popullsi e ardhur në një gjëndje tepër primitive dhe të paciviluzuar; së dyti, shqiptarët e sotëm nuk janë pasardhës të shqiptarëve të kohës së Skëndërbeut. Si rrjedhim pushtimi fashist në Shqipëri do të kishte dy të mira në këtë vënd: së pari do të qytetëronte këta banorë primitivë dhe, së dyti, do t’i kthente Shqipërinë banorëve të vet autoktonë, që ndodheshin në Itali qysh në kohën mbas vdekjes së Skëndërbeut. Nuk është e vështirë të kuptohet as sot që ky artikull ka qënë pjesë e propogandës fashiste për të justifikuar pushtimin e 7 prillit 1939.

Si përgjigje të këtij artikulli lindi lëvizja intelektuale antikordiniano, që na është mbajtur e fshehtë deri më sot, si shumë e shumë ndodhi të tjera. Arësyeja e kësaj të fundit ishte e thjeshtë përse ndodhi kështu: në këtë lëvizje intelektuale merrte pjesë, përveç shtresës së mësonjësve patriotë edhe kleri katolik, i cili u akuzua pas 1944-ës si pjesa më antikombëtare e popullit tonë, që në fakt ka qënë qëndra kombëtare e lëvizjeve shoqërore për çlirim kombëtar në një masë të tillë sa duhet pranuar pa frikë se ekzistenca e gjuhës dhe e kombit tonë duhet t’i dedikohet maksimalisht edhe këtij kleri (këtu nuk ka rëndësi forma fetare, por ekzistenca e elementit njeri). Fill mbas publikimit të artikullit të italianit u shkruan një sërë artikujsh kundra tij dhe përfundimisht inteligjenca shqiptare e tyre kohërave, nën hundën e pushtuesit fashist, mori përsipër mbrojtjen e popullit shqiptar. Ne muarëm për bazë dy artikuj kryesorë të aska kohe ku del në pah si dhe pse lindi desidenca shqiptare.

I pari për nga rëndësia, pasi tregon si lindi desidenca, është artikulli i Nikë Barcolla-s, pas të cilit fshihej kleriku Dom Nikollë Mazreku. I ashpër në fillimin e tij, prifti shqiptar merr përsipër mbrojtjen e kombit tonë nën titullin “Skandali “Cordiniano” dhe mprojtja e kombit shqiptar” e cila fillon me sentencën aristoteliane: “…..mos me u idhnue kur lupet, asht marri”; dhe përfundon me vargjet e të madhit Fishtë:

Jo po as desht djalli Shqipni

Jo po as desht hasmi shqiptarë

Qe pra sot po ka Shqipni

Qe pra sot po ka shqiptarë

Po ku asht autori i kësaj mbrojtjeje, të cilën do ta kishte për nder ta bënte çdo intelektual dhe shqiptar i ndershëm në ndjenjat kombëtare? Pas 1944-ës prifti Dom Nikollë Mazreku arrestohet, akuzohet për agjitacion e propogandë, akuzohet për veprimtari antikombëtare dhe burgoset (u lirua vetëm më 1989). A nuk kemi ne të drejtë të themi se desidenca shqiptare lindi si rezultat i ndeshjes së rrymës antikombëtare me atë kombëtare ku fitoi e para? A nuk kemi ne të drejtë të themi se desidenca shqiptare lindi se rezultat i ndeshjes së rrymës progresive me atë feudale (Enver Hoxha është përfaqësuesi më tipik i feudalizmit shqiptar; historianët duhet t’i shohim më me vëmëndeje deklaratat e bëra mbi feudalizmin shqiptar në kohën e Skëndërbeut pasi gjërat nuk jenë dhe krejt ashtu për Shqipërinë) ku fitoi kjo e fundit? Le të dalë njeri dhe të pretendojë të kundërtën, pasi ne atëhere do të zgjerohemi në kritikën tonë deri në lidhjen e PKSh me sllavët dhe gjëndjen pasojale të kufijve të sotëm shqiptarë, të cilat mbajtnë vulën e të vetëquajturit themelues të PKSh.

Artikulli i dytë qe me një gamë më të gjërë pjesmarësish. Atë e nënshkruan njëzet (20) profesorët e liceut shtetëror të Shkodrës nën titullin “Cordiniano në gjyq përpara botës”. E filluar me vargjet e poetit tonë kombëtar, Gjergj Fishtës:

Ne jemi t’bijt e një fisi të përmëndun,

n’dorë, qi i ndriti si rrfeja çeliku,

qi e qestisë veç t’u dridhun anmiku,

qi t’tanë bota kah besa e nderon.

(këto vargje janë bërë promotori i ndryshimit të gjenezës së popullit shqiptar mbi një bazë të re filozofike).

Artikulli përfundon me emrat e të nënshktuarve. Nuk i dhamë rëndësi përmbajtjes së artikullit, por pikërisht këtyre emrave, diferencimi i të cilëve tregoi përse lindi desidenca shqiptare.

Duke menduar se lexuesi nuk do të mërzitet, po japim emrat e këtyre profesorëve (ky nuk është titull profesioni, por titull kombëtar) që muarën mbi vete mbrojtjen e populli tonë nën hundën e fashizmit pushtues. Ata janë:

Ismail Anamali                                      Kasem Bajrami

Zef Kurti                                               Pashko Geci

Taib Shkodra                                                  Prenk Kaçinari

Kolë Margjini                                          Mark Ndoja

Fadil Repishti                                        Kolë Prela

Simon Rrota                                         Injac Gj. Ndoja

Rexhap Neziri                                       Simon Dedej

Kel Ujka                                               Zef Pali

Qazim Turdiu                                        Filip Ndocaj

Gjergj Canco                                         Gaspër Pali

Disa prej tyre lexuesi i njeh mirë pasi kanë qënë mësonjësit tanë të nderuar në shkollat e mesme dhe të larta. Nga të njëzetët vetëm dy jetonin deri në vitin 1991, të cilët me heshtjen e tyre nuk e mbuluan dot psenë e lindjes së desidencës edhe pse vetë në shpirt kanë qënë, ose nuk kanë qënë, të tillë (Fadil Repishti, Injac Ndoja). Por tetëmbëdhjetë të tjerët nuk kanë vdekur në mënyrë “të nderuar” të gjithë njësoj. Katër prej tyre formojnë gardën e desidencës shqiptare (të katërt janë katolikë, gjë që duhet ta ketë një shkak, dhe me sa duket PKSh mori përsipër të zhdukë katolikët shqiptarë dhe jo të vendoste komunizmin e premtuar. Me sa kemi kuptuar ajo donte të barazonte historinë e krahinave shqiptare për të realizuar tendencën vepruese të saj) dhe ja sepse:

Prenk Kaçinari, akuzohet për demokrat liberal, futet në burg 5 vjet ku thuhet se vret vehten.

Mark Ndoja, komunist i orëve të para, deputet në legjislaturën e parë, sekretar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë, mbrojtës i flaktë i Fishtës dhe për këtë të fundit përjashtohet nga partia, lidhja e shkrimtarëve, hiqet si deputet dhe futet në burg. Ky i fundit e detyron të heshtë dhe vdes “pa nder” në Tiranë (në burg me personalitetin e tij është bërë një lojë e ndyrë, paraqitej si agjent i pushtetit komunist).

Kolë Prela, deputet, bashkohet me grupin e deputetëve të Riza Danit duke kërkuar që republika të mos quhet popullore, por thjeshtë republika e Shqipërisë dhe për këtë pushkatohet.

Simon Dedej, akuzohet për veprimtari antikombëtare, arrestohet, futet në burg ku dhe vdes.

Pas gjithë këtyre a nuk kemi ne të drejtë të themi se arësyeja pse lindi desidenca shqiptare është e lidhur me përcaktimet e parimeve që do të ndërtonin histroinë e ardhëshme të popullit tonë. Dhe kur shohim se si u katandis shoqëria e jonë sot arrijmë në konkluzionin se rryma desidente e asaj kohe kishte plotësisht të drejtë, prandaj jemi të detyruar të ndjekim rrugën e tyre. A nuk do të thotë kjo se ka ardhur koha që të ndryshohet opinioni për ata intelektualë dhe t’i bëhet e qartë popullit tonë e vërteta mbi luftën e madhe që ka bërë shtresa më progresive e tij për çlirimin kombëtar dhe unitetin e tij? Le të shpresojmë nga era e re e demokracisë!

 

 

Tiranë, më 16.04.1992

Related Post